Prezantimi i Hasan Domit si mjek erudit në mjekësinë alternative/ Prof.dr. Et’hem Ruka: Ekosistemi i Korabit, pasuri e jashtëzakonshme

Oct 22, 2024 | 10:31
SHPËRNDAJE

ethem rukaHALIL RAMA
“MJESHTËR I MADH”

“Një libër i veçantë me karakteristikat shkencore të 200 bimëve mjekësore të Korabit”. Kështu e ka vlerësuar rektori i universitetit “Luarasi”, prof. dr. Et’hem Ruka, veprën enciklopedike të dr. Hasan Domit, që u promovua të dielën në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave në Tiranë. “Ky botim i shkruar me kompetencë e profesionalizëm, pas një pune të gjatë studimore nga Hasan Domi, sjell një copëz me vlerë të pasurisë sonë kombëtare, si ekosistemi i Korabit me bimë mjekësore shumë cilësore. Me këtë vepër, ai dëshmon lidhjen shpirtërore me bimët e Korabit, me aromën e tyre. Ndaj dhe i është kushtuar për një kohë të gjatë shkrimit dhe botimit të librit ‘Bimët Mjekësore të Korabit’, me pasion për t’u admiruar”, – tha prof. Ruka.

Ai solli në vëmendjen e qindra të pranishmëve në këtë event (dhjetëra akademikë e profesorë), rastin e një bariu të bjeshkëve të Korabit, të shumë viteve më parë, i cili në kontakt me ekspertë të një ekspedite botanistësh, u kishte prezantuar atyre një lule krejt të veçantë, të panjohur deri atëherë prej tyre, lule kjo që bariu e kishte përdorur për mjekimin e ekzemës në fytyrën e tij. Dhe vetëm pas ballafaqimit me botimet shkencore të kohës, botanistët ishin bindur për efektin çudibërës të kësaj luleje të rrallë që gjendej edhe në Kazikistan. Në të njëtën linjë edhe prof.dr. Bujar Kapexhiu, “Nderi i Kombit” e ka vlerësuar Fushën e Korabit, perlë të natyrës botërore, e në këtë kontekst edhe vlerat shumëdimensionale të veprës së këtij autori. Madje, sipas Kapexhiut, ajo duhet të gjendet në të gjitha farmacitë e vendit.

Redaktori i librit, prof.dr. Petrit Bara, zëvendësrektor i universitetit “Luarasi”, vlerësoi si veçanti të kësaj vepre harmoninë shkencore, letrare dhe biomedikale, e cila është pasqyruar nga autori për të qenë në shërbim të njerëzve. Parë nga ky këndvështrim, ai e vlerësoi veprën e dr. Hasan Domit, me të cilën prezantohet si mjek erudit në mjekësinë alternative, duke shpalosur preokupimin profesional dhe intelektual për problemet madhore të shëndetësisë në shërbim të njerëzimit. “Ky libër në formën e një manuali është mjaft i vlefshëm, pasi mjeku Hasan Domi e ka shkruar me shumë dashuri, shkencë e kulturë mjekësore në fushën e farmaceutikës të mjekësisë humane dhe asaj veterinare pas një përvoje të gjatë prej më shumë se gjashtë vitesh në fushën farmaceutike në Kala të Dodës dhe mbi 25 vjet në farmaceutikën mjekësore dhe veterinare në Tiranë”, – shkruan ndër të tjera në parathënien e librit prof.dr. Petrit Bara.

PËRSHKRIM NË DETAJE I KËSAJ PASURIE TË JASHTËZAKONSHME

Më hollësisht për vlerat shkencore të kësaj vepre foli recensenti i saj, prof. dr. Nefail Biba. Ai tha se libri “Bimët mjekësore të Korabit” i sapobotuar (nga Botimet AN), përbën një ndihmesë për të gjithë lexuesit që janë të interesuar për ruajtjen e shëndetit të tyre si dhe të studiuesve të ndryshëm si: botanistët, farmakologët, farmacistët, kimistët, mjekët humanë e veterinerë, historianët e mjekësisë popullore, pse jo edhe gjuhëtarët etj.. Kjo sipas tij, për faktin se materiali përbën risi, sepse fokusohet, i kushtohet pasurisë floristike mjekësore të një zone të caktuar, e cila me të vërtetë përbën një trashëgimi kombëtare ekonomike dhe sidomos kulturore. “Punimi/libri sjell në vëmendje të lexuesit një numër të konsiderueshëm bimësh mjekësore të krahinës si: boronica, salepi, kamomila, hithra, sherbela, çanta e bariut, çikorja, rigoni, çaji i malit, bari i qenit, haraqina, shafrani i Korabit, laboti, zambaku i Korabit, helmarina, lulekuqja, petriku (fik ujku), lotzoja, shpendra, hisopi mjekësor etj., mjaft prej të cilave shoqërohen me një informacion të ri, do të thosha, si: emërtimi sipas zonës, përdorimi për qëllime mjekësore sipas traditës së zonës, shpjegimi i etimologjisë së emërtimit popullor apo dhe latin, historia e përdorimit mjekësor që nga lashtësia etj.. Po kështu, historitë e ardhjes në Ballkan të disa bimëve frutore si: arra, pjeshka, kajsia, apo patatja, bamja, argjinarja, çaji, duhani, etj.”, – tha prof. Nefail Biba.

Po ashtu, prof. dr. Luigj Turmalaj, bashkëredaktor, tha se libri “Bimët mjekësore të Korabit” është një kontribut i pazëvendësueshëm i dr.Hasanit, nëpërmjet të cilit përshkruan me detaje pasuritë e jashtëzakonshme që Zoti na ka dhuruar. Ai e vlerësoi si të veçantë në llojin e vet këtë libër, pasi përshkruan jo vetëm bimët mjekësore të Korabit nominalisht, por sepse sjell informacion të trajtuar në mënyrë tradicionale dhe shkencore për efektet e dobishme dhe mënyrën e përdorimit të secilës nga 200 bimët e studiuara nga autori.

Një veçanti tjetër sipas prof. Turmalaj konsiston në faktin se autori, falë përvojës profesionale shumëvjeçare ka përshkruar edhe disa bimë helmuese si dhe efektet e dëmshme në njerëz dhe kafshë, klinikën e tyre dhe kujdesin për të shmangur efektet e padëshiruara. Në libër përshkruhen një numër i konsiderueshëm bimësh mjekësore, të cilat janë të shoqëruara me foto origjinale dhe karakteristikat specialifike për secilën prej tyre. Ndryshe nga botimet e derisotme të kësaj fushe, dr. Hasan Domi, për 200 bimët e Fushës së Korabit që konsiderohet si shtëpia e primulave më të bukura të vendit tonë, jep emrin shkencor, emrin popullor, historikun, përmbajtjen dhe përdorimin si dhe mënyrat e përgatitjes dhe të ruajtjes. Për domosdoshmërinë e studimit të hollësishëm të kësaj vepre enciklopedike, në këtë veprimtari promovuese të moderuar me mjeshtri të rrallë artistike nga “Mjeshtri i Madh” Defrim Methasani, janë shprehur edhe prof. dr. Jordan Daci (një nga juristët më të mirë në rang kombëtar), prof. dr. Skënder Durrësi, dr. Dhimitër Brano e prof. dr. Enver Roshi, pedagog në Universitetin e Mjekësisë.

KORABI NJË MAL QË TË SHËRON, NJË FARMACI E MADHE

Deputeti Petro Koçi që ka shërbyer disa vite si mësues në Kala të Dodës, gjatë përshëndetjes së tij tha se e konsideronte këtë produkt shkencor, një libër shumë praktik, një pasuri të madhe, që u jep zgjidhje praktikave tona. “Në këtë libër gjen shërim. Autori i përket një mjedisi civilizues me virtyte të jashtëzakonshme, ndaj dhe vjen për lexuesin me një produkt të mrekullueshëm, na njeh hollësisht me bimët mjekësore të Korabit, këtij mali të lartë që të shëron, që është një farmaci e madhe të cilën duhet të dimë ta shfrytëzojmë”, – tha ndër të tjera Petro Koçi. Ai evidentoi veçanërisht shafranin e Korabit dhe avantazhet e mjekësisë alternative që argumentohen më së miri në këtë vepër. Madhështia dhe shumëllojshmëria e luleve të Korabit ka frymëzuar edhe poetin e këtyre anëve Munir Hoxha, për ta përshkruar në vargje Kalanë e Dodës si Mrekullua e tetë e botës.

Një sipërmarrje madhore dhe fryt të një pune serioze e dinjitoze kërkimore shkencore, rezultat të një pune të gjatë kohore me shumë mund, vullnet e përkushtim e ka konsideruar këtë vepër edhe shkrimtari Xhavit Lashi, i cili përshëndeti në emër të shoqatës atdhetare “Luma”, si sekretar i saj. Ai vlerësoi organizimin nga autori të mjaftë takimeve me specialistë e banorë të moshave të ndryshme për gjetjen dhe identifikimin e bimëve mjekësore, që nuk janë të pakta, por me qindra e qindra. Ndërsa dr. Petrit Gjorgji që si mjek infeksionist e internist ka lexuar e trajtuar të sëmurë pa fund gjatë karrierës së tij, me të gjitha llojet e ilaçeve sipas diagnozave përkatëse, duke përdorur edhe mjekimet me bimë mjekësore, konkludon se libri “Bimët mjekësore të Korabit” ia shton aftësitë profesionale në vazhdim.

“Ky libër do t’i shërbejë njerëzimit ndër breza, pasi është bazë e njohurive për bimët mjekësore të Korabit, shpjegon me detaje përgatitjen dhe përdorimin e ilaçeve shumë saktë”, – tha dr. Petrit Gjorgji. Autori Domi, në fjalën përshëndetëse vlerësoi rrafshnaltën e Korabit, në verilindje të vendit si një nga zonat mjaft të pasura me bimë mjekësore. Duke qenë me origjinë nga kjo zonë, ku ka kaluar fëmijërinë dhe disa vite pune si mjek veteriner (i diplomuar në Universitetin Bujqësor me rezultate të larta dhe i specializuar në Institutin e Kërkimeve Veterinare për farmaci) ka pasur mundësinë jo vetëm ta njohë këtë vend me pasuritë dhe vlerat e tij, por edhe ta dashurojë atë. Si bashkëpunëtor me Institutin e Kërkimeve Veterinare, me Departamentin e Bakteriologjisë për sëmundje infektive e parazitare në rrethin e Dibrës dhe Tiranës dhe si njohës i gjuhëve të huaja italisht dhe rusisht, ai ka marrë pjesë në simpoziume e Konferenca kombëtare e ndërkombëtare. Me këtë vepër me vlera të rralla shkencore, dr. Hasan Domi renditet padyshim me elitën shkencore të vendit./ Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura