Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është nderuar me urdhrin “Ibrahim Rugova” nga Presidentja Vjosa Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e vlerësoi atë më shumë se një ambasador.
“Ishte me ne kur populli i Kosovës ishte viktimë e krimeve të llahtarshme, ishte me ne kur raportonte për masakrën e Reçakut, ishte me ne kur vendosnim themelet e shtetit tonë të pavarur, e ishte me ne edhe përgjatë viteve të fundit në mbrojtje të pavarësisë, sovranitetit dhe aleancës së pathyeshme me SHBA-në”, tha Osmani në një postim në Facebook, ku publikoi edhe një video nga ceremonia e ndarjes së Urdhrit.
Përmes një deklarate në aplikacioni “X” Hovenier tha se ka qenë privilegj i madh për të që të shërbejë si Ambasador i ShBA-së në Kosovë.
Ambasadori tha se ky vlerësim ka kuptim të madh për të dhe se prezanton punën e përbashkët dhe dedikimin e gjithsecilit që ka qenë pjesë e kësaj përpjekje për të siguruar paqe dhe stabilitet në Kosovë.
“Thellësisht i nderuar dhe mirënjohës për t’u nderuar me Urdhrin Presidencial “Ibrahim Rugova” nga Presidentja Vjosa Osmani, mbrëmjen e djeshme. Ky vlerësim ka kuptim të madh për mua dhe prezanton punën e përbashkët dhe dedikimin e gjithsecilit qe ka qenë pjesë e kësaj përpjekje për të siguruar paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe për të avancuar vizionin tonë të përbashkët për një vend sovran, demokratik dhe multietnik. Ka qenë një privilegj i madh të shërbej si ambasador i SHBA-së këtu në Kosovë”, ka deklaruar Hovenier.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al