Nga Shpendi Topollaj
Tani që ngjarjet në veri të Kosovës kanë marrë përmasa shqetësuese dhe bisedimet mes dy liderëve përkatës, zotit Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç-it, me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, me violinë të parë përfaqësuesin e SHBA, nuk po shkojnë drejt qetësimit të situatës, duket se për këta të fundit, durimi po soset dhe tonet sa vjen e po bëhen më kërcënuese. Puna ka shkuar aq larg sa zoti Gabriel Eskobar, në intervistën dhënë në prestigjiozen austriake Die Presse, ta lërë mënjanë petkun diplomatik dhe të deklarojë me prepotencën e të madhit se “Edhe nëse nuk do Kurti, ky Asociacion do të bëhet”. Ai gjithashtu shpjegoi se integrimi euroatlantik i Kosovës nuk do të presë derisa Kryeministri i saj të përmbushë detyrimet e tij ligjore.
Nga ana tjetër, Kurti nuk na qenka konsultuar me ndërkombëtarët, thua se amerikanët u konsultuan me vendet e tjera, kur ndërtuan atë murin e famshëm në kufi me Meksikën. Me deklarata të tilla të nxituara të një punonjësi të rëndësishëm të DASH, i cili nuk respekton asnjë kortezi, pasi nuk është as i një rangu me të, dhe ku mungon logjika elementare demokratike, duke e ndarë udhëheqësin nga masa që e ka zgjedhur me votë të lirë, jo që nuk shkohet drejt zgjidhjes së problemeve, por acarohen akoma më shumë ato. Nga ana tjetër, Serbisë që i ka nxitur veprimet huliganeske ndaj forcave të rendit, përfshi ato të KFOR-it, në komunat ku vetë pakica serbe nuk pranoi të merrte pjesë në votime, i hapet syri dhe i shtohet oreksi për të përfituar sa më shumë në dëm të interesave jetike të shtetit të Kosovës.
Të vënë para vështirësive, dhe me dëshirën për qetësi e paqe, si zoti Kurti, si Presidentja e nderuar Vjosa Osmani, po përpiqen të gjejnë formula për përsëritjen e zgjedhjeve të pranuara nga të huajt, por të kontestuara nga vetë serbët në Leposaviç, Zveçan dhe Zubtin Potok, ku të mos preken as Kushtetuta e Kosovës dhe as autoriteti i shtetit. Ata, nga ana a tyre po kërkojnë garanci, me qëllim që të sigurohet pjesëmarrja në votime, se në të kundërtën, dëmi do të ishte jo i vogël dhe vetë qeveria do të vihej në pozitë aspak të pëlqyeshme.
Por për këdo që i ndjek nga afër ato ngjarje, është e qartë si drita e diellit se në këtë rast nuk bëhet fjalë për ca kryetarë komunash, pasi pakicës serbe asnjëherë nuk i janë shkelur liritë dhe të drejtat e tyre. Ajo që qeveria e Vuçiçit pret nga këto sherre, të cilat do të jenë të pranishme edhe në vazhdim, është krijimi i një shteti serb, brenda shtetit të Kosovës.
Ky shejtanllëk të kujton minën me sahat që do ta detyrojë Kosovën të jetojë me pasigurinë e të ardhmes. Dhe përse e gjithë kjo sakrificë, nga një vend dhe një popull që ka gjithë jetën që ka sakrifikuar mijëra jetë njerëzish, territore të sajat dhe ka provuar dëbime masive, djegie e plaçkitje pa fund? Bëhet kjo nga shpresa e kotë për ta tërhequr Serbinë nga ndikimi rus. Po duhet të jesh analfabet në politikë dhe injorant në histori, sikur ta besosh se serbët do braktisin ndonjëherë vëllezërit e tyre rusë.
Po pse vërtetë ka nga ata që mendojnë se serbët kanë harruar se çmendurinë e tyre ndaj Kosovës në vitet 1998–‘99, e ndaluan ndër të tjera, bombardimet e rrepta të NATO-s me SHBA në krye? Ka qenë dikur një gjeneral anglez në Afrikën e Veriut që teksa kthehej mbi një kalë në pisk të diellit, urdhëroi kontubernalët e tij që të mbillnin pemë për hije anash rrugës.
Dhe kur ata i thanë se pemët duan njëzet vjet të rriten, ai ju përgjigj: Prandaj u them që t’i mbillni qysh sot. Edhe serbët, ku me kisha, ku me emra, ku me targa e ku me asociacione, kështu, me larghedhje veprojnë. Ndaj zoti Eskobar që nuk i njihke mirë serbët, krimet, dredhitë dhe synimet e tyre ndaj nesh, mos vër shenjën e barazimit mes tyre dhe shqiptarëve. Ju vërtetë mbroni interesat e vendit tuaj, në mënyrën tuaj pragmatiste, por neve kjo sjellje na kushton shtrenjtë. Tani lejomëni t’u pyes: Po sikur qeveria e Serbisë të shpallë se po na e dhatë sërish Kosovën, ne do të bashkohemi me ju dhe me Paktin e NATO-s, ju do ta mbështesnit këtë dhe do pandehnit se shqiptarët do bindeshin si pulat e fshatit? Pra, edhe konsultimi, edhe respekti, edhe sinkroni e bindja ndaj aleatit e ka një kufi.
E kemi përsëritur me mijëra herë mirënjohjen ndaj presidentit të SHBA – së Wodroou Wilson, për atë që bëri një shekull më parë për Shqipërinë. I kemi ngritur monumente atyre që ndikuan fuqishëm në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, si Presidenti i respektuar Bill Klinton, zonja Ollbrajt, gjenerali Klark etj. Por kjo nuk do të thotë që të mbyllim sytë dhe të heshtim kur ju, administratorët e tanishëm të atij vendi të fuqishëm që nuk jeni direkt të lidhur me këto dy momente, të na jepni porosi urdhëruese që prekin sovranitetin dhe dinjitetin e atdheut tonë. Mjaft e trazuat dhe e bëtë rrumpallë politikën tonë të brendshme, ku duke bërë goditje misterioze preferenciale, keni futur grindje dhe armiqësira të kota. Është për t’u habitur se si nuk e kuptoni se me veprime të tilla, mjegulloni bukurinë e marrëdhënieve tona me atë shtet që e kemi marrë si shembull qytetërimi e prosperiteti, pse jo, edhe mbrojtjeje.
Na lini të zgjedhim vetë rrugët dhe qëndrimet tona të drejta dhe të pavarura në raport me të tjerët. Ne, dhe këtë mos e vini asnjëherë në dyshim, do t‘i ruajmë pa asnjë rezervë detyrimet që dalin nga aleanca me ju dhe vendet e tjera të BE-së. Nuk dua ta besoj se zoti Bejker, kishte parasysh krijimin e kësaj situate, kur duke i folur sinqerisht popullit tonë, na tha se ne u mësojmë si kapet peshku. Ai e kishte fjalën te ndërtimi i shtetit me demokraci të vërtetë, si atje në SHBA, pas asaj diktature të llahtarshme që kaluam.
Ata që vendosin për të ardhmen e tyre janë vetë shqiptarët, si këtu, si në Kosovë. Demokracia ka rregulla shumë të lashta që janë zhvilluar, përsosur e përhapur fare pranë nesh, madje edhe nga vetë ne. Ju i zbatoni aq mirë ato në vendin tuaj, ndaj duhet të këshilloni të zbatohen edhe këtu, ku fati historik u tregua i pamëshirshëm. Por asnjëherë mos nxitoni të jepni urdhra e ca më shumë, të kërcënoni. Mos harroni se kur atje tek ju nuk kishte këmbë evropiani, Dardania jonë i dha Romës dhe Bizantit sa e sa perandorë emërmëdhenj që bënë histori.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al