Procesi i rënies së Murit të Berlinit/ Ambasadori Bashkim Zeneli: Nga aspirata e Adenauer më ‘49, te kërcënimi i Hrushovit e kthesa e Gorbaçovit, si u bë bashkimi i dy Gjermanive

Nov 8, 2024 | 12:27
SHPËRNDAJE

Me 9 nëntor mbushen 35 vjet nga shembja e Murit të Berlinit, që ndau jo vetëm Gjermaninë, por edhe Europën dhe botën. Shembja e tij i dha fund Luftës së Ftohtë (që fatkeqësisht është rikthyer në Europë e më gjerë). Ambasadori Bashkim Zeneli ka përgatitur për gazetën “Panorama” dy shkrime për ngritjen e Murit dhe për rënien e tij, njërin e botuam dje dhe sot po botojmë shkrimin tjetër. Shkrimet janë të mbushura me fakte dhe dokumentacion të veçantë arkivor për ndërtimin e Murit dhe për rënien e tij, mbas 28 vitesh, jo thjeshtë si ngjarje “ditore”, por si një proces i tërë.

bashkim zeneli

Nga Bashkim Zeneli
Mjeshtër i Madh

PJESA E DYTË, vazhdim nga numri i kaluar 

Muri i Berlinit, ashtu siç nuk u ndërtua brenda një dite, por si proces i tërë politik në mbi një dekadë, ashtu edhe nuk u shemb brenda një dite, në 9 nëntor 1989.

Ishte një proces i tërë politik, diplomatik, ekonomik, social, i raporteve Lindje-Perëndim, i raporteve midis dy shteteve gjermane, i tensioneve në kuadrin e ashpërsimit të skajshëm të Luftës së Ftohtë.

Aspiratën e popullit gjerman për ribashkim do ta paraqiste me theks të fortë kancelari i parë gjerman i pasluftës, Konrad Adenauer, në programin e qeverisë së tij, në vitin 1949.

Ishte një përpjekje e qartë, e guximshme, politike dhe diplomatike në radhë të parë, për 28 vite.

RDGj, një vasale e bindur e Moskës, kishte kohë që vuante nga pakënaqësitë e popullit ndaj udhëheqjes komuniste. Por vetëm kaq nuk mjaftonte në kushtet e krijuara pas Luftës së Dytë Botërore në Gjermani për të shkuar drejt shembjes së Murit.

Është shumë e rëndësishme të shënohet se, pas zgjedhjes së Willy Brand si kancelar i RFGj, afrimi me RDGj do të ishte më i vendosur dhe bashkëpunimi u shtri në shumë fusha, pavarësisht rezervave të vazhdueshme të Lindjes për Perëndimin. Pati edhe një zbutje, herë pas here, të rregullave për lejimin e kalimit të kufirit, në të dy anët, sidomos në raste festash.

Edhe vëmendja e perëndimit për “çështjen gjermane” do të rritej.

Në 20 gusht 1961, Berlinin Perëndimor do ta vizitonte Zëvendëspresidenti amerikan Lyndon Johnson. Kjo do të ngjallte shpresa të mëdha, por dukej se ende ishte herët për të për shembjen e murit fizik dhe aq më tepër politik.

Me 26 qershor 1963, Berlinin e viziton Presidenti amerikan John Kennedy. Ai, në një miting të paparë ndonjëherë, përpara portave të Branderburgut, ngre peshë zemrat e gjermanëve dhe e mbyll fjalimin e tij me fjalinë emblemë: Ich bin ein berliner (Unë jam berlinez).

Por, në RDGj rritet represioni dhe forcohen masat për ndalimin e kalimeve në Perëndim, ndonëse ato vazhdojnë masivisht dhe në mënyra nga më të ndryshmet … deri me ballona…! Por rritet edhe shqetësimi i Moskës dhe shtohet presioni i Hrushovit ndaj udhëheqjes komuniste të RDGj, deri në kërcënime të hapura. Lindja nuk ndërmerrte asnjë hap për bashkëpunimin me RFGJ, jashtë lejes së Moskës.

Që me fillimin e detyrës së tij si Kancelar, Brand do të formulonte Ost Politikën e famshme, mbi bazën e së cilës do të ndryshonin shumë koncepte e strategji të politikës së jashtme dhe të politikës ndërgjermane. Nisi të punohej me moton “afrim nëpërmjet ndryshimit” dhe “jo pranë njëri-tjetrit, po me njëritjetrin “!Brand do të krijonte edhe ministrinë për marrëdhëniet e brendshme gjermane, duke theksuar se “qëllimi ynë është zgjidhja e çështjes gjermane në kuadrin e rendit të ri të paqes në Evropë, por edhe në bazë të së drejtës së popujve për vetvendosje”. Dhe reagimi i Hrushovit ishte shumë i ashpër! Ai do të kërcënonte fort edhe udhëheqësin gjermano-lindor Honecker, që ishte shprehur se “ne jemi më afër se askush me njëri-tjetrin dhe ne mund dhe duhet të bashkëpunojmë”.

Politikën e afrimit me RDGj dhe përgjithësisht me Lindjen, përfshirë në radhë të parë Moskën, do ta vazhdonte edhe pasardhësi i Brand, Helmut Schmidt (1974-1982).

Është shumë interesant një fakt për bashkëpunimin midis Bonit dhe Berlinit, që kam gjetur në librin e Heinrich Pottkof “Bonn und OST Berlin”. Në afro 900 faqe të tij janë biseda telefonike, shkëmbim letrash, mesazhe, biseda private, miqësore të kancelarit Schmidt me udhëheqësin komunist Honecker. Në një mënyrë apo në një tjetër, ai ka komunikuar çdo tre ditë me Honeckerin… Mesazhet ishin të qarta: afrim dhe bashkëpunim!

Ndërkohë, nuk do të mungonin edhe emisarët e hapur dhe të fshehtë për bisedime mes dy palëve. Schmidt i shkruan udhëheqësit lindor: “Zoti Honecker, mendoj të hapim në të dy anët kufirin për festat e Krishtlindjeve…”

Ndërkohë, intensifikohen lidhjet me Moskën, fillimisht me një emisar brilant si Egon Bohr e më tej, edhe më të tjerë. Bohr do t’i deklaronte që në fillim ministrit të jashtëm sovjetik se “unë nuk do të jem këtu për diskutime, por për bisedime”. Do të nënshkruhej me 1 shkurt 1970 edhe një marrëveshje me Moskën dhe do t’i akordoheshin Bashkimit Sovjetik 3 miliard DM.

Edhe Brand, edhe Schmidt kanë si praktikë të punës së tyre bisedat telefonike me udhëheqësit më të lartë komunistë të Moskës.

Por tashmë, kancelarët gjermanë takohen në Perëndim dhe në Lindje me udhëheqësit e RDGj. Schmidt do të takohej edhe me Honeckerin dhe e konsideron atë “një partner të besueshëm”

Schmidt viziton Moskën më 28-31 tetor 1974 dhe nënshkruan disa marrëveshje ekonomike. Nis një bashkëpunim i qëndrueshëm. Me 4-7 maj 1978 vjen në Bonn udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik, Brezhnjev. Schmidt i kërkon udhëheqësit sovjetik që “të lehtësojë bashkëpunimin e RfGj-së me RDGJ dhe të mos ketë paragjykime. Ata nuk bëjnë asnjë hap pa ju pyetur ju”. Dhe Brezhnjevi i thotë se “askush nuk e pengon këtë bashkëpunim”.

Megjithatë, Moska shqetësohet shumë kur pas një vizite në Bonn të Honeckerit në dhjetor 1978, Schmidt deklaron se “populli gjerman po ndërgjegjësohet gjithnjë e më shumë për ribashkimin”. Tashmë edhe propaganda komuniste e Lindjes ka tone më të ulta: nuk flitej më “për armiqtë në Perëndim”, por për “vëllezërit në Perëndim”.

Kancelari Schmidt i kushton një rëndësi shumë të madhe marrëdhënieve me ShBA. Ai takohet disa herë me presidentin Carter, që mbështet aspiratën e popullit gjerman për ribashkim, por, në një rast, i shpreh edhe “rezerva” për afrimin me Bashkimin Sovjetik. Ai takohet në qershor 1982 edhe me Presidentin e sapozgjedhur Regan. Presidenti mbështet “politikën energjike dhe të qartë, pragmatizmin dhe guximin e Kancelarit Schmidt”. Por ai është edhe pa komplekse për marrëdhëniet me sovjetikët.

(Lidhur me marrëdhëniet me Moskën, Kancelari Schmidt, në librin e tij “Mein Europa” (Europa ime), do të shkruajë: “ Do të kujtoj përherë një përgjigje që miku im i vyer Brandt i dha udhëheqësit komunist të Polonisë, Gamulka, lidhur me mundësinë e ribashkimit gjerman”. Dhe a e dini si iu përgjigj Kancelari? “Kjo më duket një pyetje akademike. Nuk kam asnjë përgjigje tjetër, veç asaj se çelësi për normalizimin e marrëdhënieve tona me RDGJ dhe ribashkimi gjerman, ndodhet në Moskë”.

Kjo politikë do të ndiqej edhe nga kancelari Helmut Kohl (1982-1998). Ai zotohet se do të ndjekë “politikën për forcimin e marrëdhënieve me Lindjen në kuadër të Ost Politikës, forcimin e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe sidomos forcimin e marrëdhënieve gjermano-gjermane”. Kohl flet vazhdimisht me termin “në Gjermaninë e ndarë”. Një Gjermani e ndarë, me synimin për t’i ribashkuar. Që në ditët e para si kancelar, Kohl flet në telefon me Honckerin duke i thënë se “ne i kemi të gjitha mundësitë për t’i dhënë impulse të reja marrëdhënieve tona”. Takimin e parë me Honeckerin do ta zhvillojë në Moskë, ku të dy kishin shkuar për të marrë pjesë në ceremoninë mortore për Andropovin. Por takohen pas një viti edhe në Berlinin Perëndimor. Por krahas nënshkrimit të disa marrëveshjeve dhe një kredie të lartë, me kushte tepër lehtësuese që i akordohej RDGJ, takimi acarohet. Kohl i kërkon Honeckerit që “të respektohen më shumë të drejtat dhe liritë themelore”. Honecker, i nervozuar, i përgjigjet: “Ju duhet ta dini mirë se RDGJ është shembull në këtë drejtim”. Vetëm pak ditë pas këtij takimi, në Bashkimin Sovjetik, ndodh një ndryshim, që më vonë do të quhej historik. Në krye të Partisë dhe shtetit sovjetik vjen Mihail Gorbaçovi.

Pas nisjes së kursit të tij reformator, jo vetëm për Bashkimin Sovjetik, por për të gjithë Lindjen komuniste, Genscher do të shprehej “Një njeri i madh dhe një politikë e re në Kremlin. Ajo ditë do të shënohet si një datë e madhe historike”.

Megjithatë, Kancelari Kohl shihte me shqetësim qëndrimin aspak pozitiv të Honeckerit ndaj Perestrojkës dhe Gllasnostit. Ai nuk e mbështeti kurrë Gorbaçovin dhe vazhdonte të besonte në konspiracion ndërkombëtar. Më vonë Honeckeri, në fundin e pushtetit të tij, do ta konsideronte Gorbaçovin edhe si një “tradhtar të rendit socialist dhe idealeve të tij”, do të shkruante Kohl.

Ndërkohë, Kohl ishte shumë i interesuar për bashkëpunimin me Gorbaçovin. Ai takohet me të në Moskë, 3 ditë pas zgjedhjes së tij, në funeralin e Andropovit. Kohl e konsideron këtë takim si “ndryshe nga takimet me udhëheqësit sovjetikë, premtues dhe të hapur”. Dhe bashkëpunimi bëhet aktiv.

Me 12 qershor 1987, në Berlin do të vijë Presidenti amerikan Regan dhe krahas vlerësimit si “të shkëlqyera” të marrëdhënieve SHBA-RFGJ, në mitingun me 2 milion qytetarë, pranë Portave të Branderburgut, do t’i drejtohet udhëheqësit sovjetik : “Z. President, shkatërrojeni këtë mur, hapini portat!” Regan e këshillon Kohl që të bashkëpunojë sa më afër me Gorbaçovin. Por thirrjen e Reganit e kupton shumë mirë edhe udhëheqësi sovjetik. Ai thërret në Moskë Honeckerin dhe i kërkon të ndërmarrë reforma të thella. I thotë që edhe sa më shpejt të vizitojë Bonn-in. Dhe kjo ndodh në 7-11 shtator 1987. Ishte e para vizitë zyrtare e shefit komunist të Lindjes. Për këtë,- shprehet Kohl,- duhet të falënderoj Gorbaçovin.”

Kohl i shpreh gatishmërinë në rritje për ndihmë ekonomike dhe i akordon Berlinit një ndihmë prej 2.8 miliardë DM. Kohl i thotë Honeckerit se “qëllimi i të gjithë popullit gjerman është për të vendosur në … për bashkimin e Gjermanisë. Njerëzit po e vuajnë shumë ndarjen kaq të gjatë”. Unë e di fare mirë dhe besoj se edhe ju e dini po kaq mirë, se asnjë përparim në çështjen gjermane nuk mund të ketë jashtë Bashkimit Sovjetik”.

Kohl i drejtohet udhëheqësit gjermano lindor se “Presidenti francez Miterran, pas një takimi në Moskë me Gorbaçovin i kishte telefonuar Kohlit dhe i kishte thënë se Gorbaçovi ishte një udhëheqës sovjetik i një tipi krejt të ri, i njëjtë me një politikan kryesor në Perëndim”.

Kjo përforcon tek Kancelari më shumë bindjen për një program të qartë strategjik me Bashkimin Sovjetik. Ai delegon në Moskë ministrin Gensher (Genscher) për tu takuar me homologun e tij Shevarnadze, por është Gorbaçovi ai që do ta presë i pari. “Ne, -do t’i thoshte Gorbaçovi Gensherit – duhet të punojmë bashkë me vullnet të mirë për kontribute konstruktive. Të lëmë pas të kaluarën dhe të vendosim shina të reja”.

Kohl, pas raportimit të Gensherit për vizitën, thërret disa nga ministrat e tij dhe u kërkon që të hartojnë plane për ndihmë ekonomike dhe financiare për Bashkimin Sovjetik.

Ndërkohë në RDGJ ka një ngecje të plotë në rrugën e reformave. Populli është i pakënaqur me udhëheqjen komuniste. Kishin nisur në masë demonstrimet me thirrjen për largimin e udhëheqjes komuniste e në radhë të parë të Honeckerit. Me 8 qershor 1989, në mbledhjen e Traktatit të Varshavës, Gorbaçovi do të fliste hapur “për të drejtën e popujve për të vendosur vetë për sistemim shoqëror dhe politik,… për të zgjedhur në liri të plotë”. Një shpresë e madhe po lindte për ribashkimin gjerman, një erë e re po frynte për vendet socialiste. Presidenti amerikan Bush do ta vlerësonte shumë këtë qëndrim dhe do të shprehej në një takim me Kohl në Uashington: “Ne kërkojmë më shumë liri politike në Lindje, ne duam një Berlin pa mur. Ne mbështesim aspiratën e popullit gjerman për ribashkimin e vendit”.

Pas Uashington, Kohl fluturon me 24 tetor drejt Moskës. Në librin e tij “Kake to byillo” (Si ka qenë) Gorbaçovi me shumë hollësi përshkruan takimin me Kancelarin. Ai shkruan: “që në këtë takim do të niste një ndryshim i madh në marrëdhëniet tona. Ne u mirëkuptuam plotësisht për të ecur së bashku përpara. Unë jam i gatshëm të punoj me ju, për një kapitull të ri…le të bëjmë hapa përpara, qoftë edhe të vegjël, por të sigurt. Ka ardhur koha për ndryshim dhe ne do të punojmë për këtë ndryshim”.

Ndërsa Kohl në kujtimet e tij do të shkruajë se “unë e kuptova shumë mirë udhëheqësin Gorbaçov dhe i theksova të njëjtën pikëpamje. Për mua ishin shumë të rëndësishme ato që më tha Gorbaçovi. Ai e dëshironte ribashkimin, po ashtu si unë, e shihte si një detyrë të brezit tjetër. Por Muri ra pas një viti.

Me 12-15 qershor 1989 Gorbaçovi vjen në Bonn. Interesimi i Perëndimit ishte i jashtëzakonshëm. Nënshkruhen 11 marrëveshje. Gorbaçovi është mirënjohës për ndihmën financiare prej 7 miliard DM që i ofrohen vendit të tij. Nënshkruhet edhe “Marrëveshja e madhe”. Dhe Kohl i thotë Gorbaçovit se “Kjo marrëveshje nuk është e plotë për sa kohë para nesh qëndron ndarja e Gjermanisë”. Gorbaçovi i përgjigjet: “Kemi folur bashkë në Moskë për ndryshimin e madh që na pret…”

Shtypit, me një prani të jashtëzakonshme gazetarësh vendas e të huaj, Gorbaçovi do t’i drejtohet: “asgjë nuk është e pamundur në këtë botë. Unë besoj dhe shpresoj se jemi në rrugën e duhur. Muri është ndërtuar në një situatë të caktuar. Dhe Muri me siguri do të bjerë kur të bien edhe kushtet në të cilat u ndërtua. Dhe unë mendoj se sot kushtet janë, unë nuk shoh ndonjë problem në rënien e Murit”. Dhe kjo do të ndodhte vetëm pas 5 muajsh.

Çdo gjë u përjetua me një shpejtësi të madhe. Çështja gjermane tani, më shumë se asnjëherë, ishte një problem qendror i politikës evropiane, po edhe botërore.

Presidenti Bush përshëndet këtë deklaratë të Gorbaçovit! Vetëm në RDGJ nuk ka reagim. Udhëheqja komuniste nuk është në një mendje me Gorbaçovin dhe beson verbërisht në vlerat e socializmit. Me 11 shtator 1989, dy muaj para rënies së Murit, udhëheqja komuniste e kishte quajtur “një kryqëzatë të imperializmit kundër kapitalizmit”.

Ndërkohë, interesi i kancelarit Kohl ishte që situata ne RDGJ të mos dilte jashtë kontrollit. Largohen për në Pragë, brenda një jave, 26 mijë vetë.

Fundi i Murit po afron. Rënia e tij bëhet e pashmangshme.

Me 6 dhe 7 tetor, Gorbaçovi merr pjesë në festimet e 40 vjetorit të themelimit të RDGJ. Ai kërkon reforma të mëdha dhe ndryshim kursi drejt demokracisë. Populli e duartroket me entuziazëm dhe thërret Gorbi, Gorbi. Si për sfidë, Honecker deklaron në tribunë se “RDGJ është në kursin e duhur”. Shpërthen menjëherë një revoltë në shesh dhe populli përleshet me policinë. Gorbaçovi vendos gishtin tek ora e dorës dhe i drejtohet Honeckerit: “Kush vonohet, atë e dënon historia”. Sekretari i parë i KQ të Partisë Komuniste të Polonisë, Mieczyslav Rakoëski i drejtohet Gorbaçovit nga afër: “ky është fundi, i dashur Mihajl Sergejevic”.

Me 18 tetor 1989, Honecker jep dorëheqjen e në vend të tij vjen Egon Krenz, Sekretar i KQ të Partisë. Një javë më vonë ai takohet në Moskë me Gorbaçovin. Ai mbron mbajtjen të mbyllur të Murit. Është kundër ribashkimit. Gorbaçovi i thotë: “ju nuk po kuptoni asgjë, nuk po kuptoni në radhë të parë popullin tuaj që ka shpërthyer kundër jush. Juve ju janë errësuar plotësisht sytë dhe ju akuzuat RFGJ se “po nxit destabilizimin… Sot askush nuk ka nevojë për mure… Unë nuk kam aspak besim tek ju”!

Tashmë demonstrimet kanë shpërthyer në të gjithë Gjermaninë Lindore.

Me 9 nëntor, në ora 18:00, në sallën e Konferencave në Mahnerstrasse në Berlin, anëtari i Byrosë Politike Gunter Schabowski del përpara gazetarëve dhe deklaron se “po përgatitet një projekt ligj për të bërë të mundur lejimin e kalimit të lirë të kufirit”.

Gazetari Ricardo Ehrmann që përfaqësonte agjencinë italiane të lajmeve ANSA, e pyet:…Dhe kur do të hyjë në fuqi ky ligj? Dhe Schabowski, i lodhur, i përgjigjet shkurt: “Tani, menjëherë!”. Në kujtimet e tij Schakowski do të shkruante më vonë: Asgjë nuk ishte vendosur akoma…Unë e thashë “menjëherë”, por i paautorizuar…Megjithatë bëra mirë!

Një entuziazëm i paparë shpërthen në Berlin e në të gjithë Gjermaninë Lindore. Ushtarët e kufirit, pa pritur ndonjë urdhër, u larguan dhe u bashkuan me popullin. Pas 28 vitesh, Muri i Berlinit ra dhe ra me të ndarja 50 vjeçare midis dy anëve të Gjermanisë. Tani do të trokiste në derë ribashkimi.

Kancelari Kohl, në orët e vona të mbrëmjes së 9 nëntori do ta mësojë këtë lajm në Varshavë, ku ishte për një vizitë zyrtare. Ai menjëherë deklaron:” Unë e prisja se diçka do të bëhej për lëvizjen e lirë të qytetarëve, por këtë, rënien e Murit, nuk e prisja kurrë kaq shpejt”. Kohl ndërpret vizitën e Poloni dhe kthehet tashmë në Berlinin e hapur, të lirë. Atij i telefonon Gorbaçovi dhe duke e përshëndetur dhe uruar miqësisht për këtë zgjidhje të madhe, i lutet që “të ishte i kujdesshëm dhe të qetësonte njerëzit në Berlin nga emocionet dhe pasionet, për të mos lejuar destabilizimin e situatës”.

Në tribunë, tepër i emocionuar, para qindra mijëra berlinezëve, Kohl e pyet Kancelarin Willy Brandt: “I dashur Willy, çfarë do të themi dhe si do ta themi, këtë pret bota mbarë nga ne?” Dhe kancelari legjendar i OST Politikës, Willy Brandt i përgjigjet: “Helmut, është fare e thjeshtë: do të ecim drejt bashkësisë së demokracive perëndimore së bashku me vëllezërit e Lindjes”. Kohlit do t’i telefonojë menjëherë Bush, Miterran, Gonzales, Theçer, etj., etj.

Në librin e tij me kujtime “Erinnerungen 1990-1994”, botim i Droemer, Kohl do të shkruajë: “Në zemrat e gjermanëve emri i Mihajl Gorbaçovit do të ketë përherë një vend nderi”. Ai punoi ngushtë me udhëheqësin sovjetik, punoi ngushtë me Presidentin Bush, me liderë perëndimorë, për çështjen gjermane. Kohl dhe Genscher shkëlqyen në një diplomaci të paparë deri atëherë dhe do të shkëlqenin edhe më shumë, kur vetëm pas 11 muajsh, me 3 tetor 1990, Gjermania do të ribashkohej. Sot, pas 35 vitesh, RFGJ është një lokomotivë e fuqishme dhe shembullore për një Evropë të bashkuar, të fortë, të dashur.

Dhe shembulli i politikës dhe diplomacisë së saj të tre – katër dekadave më parë, i dialogut, i mirëkuptimit, i tolerancës, i gëlltitjes, i bashkëpunimit, i përgjegjësive, i lëshimeve, është edhe sot tepër aktual për zgjidhjen e konflikteve, ballafaqimeve e luftërave që kanë përfshirë Evropën e botën.

Për të mos thënë të dështuara, sot janë tepër të vakta, anemike, të mjera, përpjekjet për dialog, për mirëkuptim, për t’i dhënë fund luftërave, kërcënimeve ndaj paqes dhe lirisë së popujve.

Dhe ja pse, jo më kot, Bush, Kohl dhe Gorbaçov, që prej tre dekadash, kanë monumentin e tyre në Berlin, me mbishkrimin emblematik: Baballarët e Bashkimit!/Gazeta Panorama

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura