Prodhimet tona bimore, eksporti dhe siguria ushqimore

Dec 23, 2024 | 7:50
SHPËRNDAJE

NGA PROF. DR. ARBEN MYRTA  ARBEN MYRTA

Në janar të këtij viti botova një artikull po në këtë gazetë lidhur me praktikën e mbrojtjes së kulturave bujqësore nga parazitët e ndryshëm, rëndësinë që ka ajo për sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e mjedisit, si dhe rregullat e saj në BE. Në fillim hezitova pak për temën specifike që doja të trajtoja dhe interesin më të gjerë që kanë zakonisht lexuesit e gazetave, por duke ditur impaktin e saj te konsumatori, vendosa ta botoj. Ky vendim u mor edhe me mendimin se vendi hidhte hapat e para me BE-në dhe se kjo temë do të ishte shpejt në tryezën e institucioneve tona.

Dhe koha më dha të drejtë, pasi brenda vetëm një viti kanë qenë disa raste apo raportime të bëra publike me temën e mbetjeve, me një frekuencë të lartë trajtimi nga mediat e ndryshme. Shpesh me analiza më shumë emocionale dhe më pak profesionale, apo e thënë troç, të prirura drejt sensacionales. Kjo e fundit, për fat të keq, në mendimin tim do të thosha është dominuese në numrin e lartë të botimeve apo postimeve në shqip në këtë fushë. Gjatë 2024-s patëm rastin e bllokimit të eksportit të perimeve tona në Serbi, postimi i shumëklikuar apo i komentuar i bostanit me mbetje të larta nitratesh, apo rasti i ditëve të fundit i mandarinave tona të refuzuara nga vende të BE-së, pa pretenduar që lista e mësipërme të jetë e plotë. Pavarësisht se janë raste me specifika të veçanta, ato i bashkon një emërues i përbashkët, që do të përpiqem ta trajtoj më poshtë për lexuesit dhe duke dhënë disa konsiderata nga eksperienca ime në të këtë fushë. Për informacion për lexuesit, Komisioni Europian dhe vendet anëtare të BEsë bëjnë kontrolle të rregullta e të përvitshme për mbetjet kimike në prodhimet bimore apo ushqimet. Të dhënat e monitorimit publikohen nga EFSA (Agjencia Europiane e Sigurisë Ushqimore), por edhe nga vetë autoritetet përkatëse të vendeve të ndryshme nga ku janë marrë mostrat dhe kushdo mund t’i gjejë “online”.

Duhet thënë gjithashtu se raste me mbetje kimike mbi normat e lejuara në prodhimet bujqësore ka pasur gjithnjë në testimet vjetore të BE-së, pasi flitet për miliona fermerë që operojnë brenda dhe jashtë BE-së, këta të fundit për eksportet e tyre (si në rastin e prodhimeve tona). Të dhënat e fundit të mbetjeve, të disponueshme “online” nga EFSA janë ato të vitit 2022 ku të dhënat konfirmojnë tendencën e mirë dhe të konsoliduar tashmë të viteve të fundit. Në mostrat e këtij viti të programit komunitar 96.3% e totalit të testuar, që përbëhet nga afro 110 mijë mostra, rezultuan pa mbetje mbi nivelet e lejuara me ligj (MRL), ndërkohë vetëm 3.7% (në intervalin 3.0 – 4.0% në 4 vitet e fundit) e tyre rezultuan me mbetje mbi nivelet e lejuara. Të dhënat e studimit tregojnë që tregu i BE është dhe mbetet një nga zonat më të sigurta në nivel botëror për ushqimet e popullsisë, por gjithsesi gjinden parregullsi me mbetjet kimike mbi normat e lejuara dhe punohet vazhdimisht për t’i evituar ato në të ardhmen.

Pyetja e ligjshme e konsumatorit shqiptar në këtë moment do të ishte lidhur me transparencën rezultateve për testimet e kontrolleve në vend krahasuar me ato të BE? Megjithatë, duhet thënë se vitet e fundit në BE po i vihet vëmendje e veçantë prodhimeve bimore të importuara nga vende të treta (ku futet dhe Shqipëria), ku niveli i mbetjeve të gjetura në testimet e vendeve të BE është disa herë më i lartë se ai i gjetur në prodhimet e vendeve komunitare. Do të ishte me interes që institucionet tona të bëjnë një analizë krahasuese me vendet e tjera, që eksportojnë në BE prodhime të freskëta për të parë ku jemi lidhur me ta, sidomos me vendet që synojnë anëtarësimin në BE. Edhe këto të dhëna do t’i jepnin opinionit tonë një informacion besimdhënës për prodhimet e fermave tona dhe sigurinë ushqimore në vend. Për raste të tilla kur prodhimet tona refuzohen nga tregjet e jashtme (sidomos kur kemi rastet e pasqyrimit të gjerë në media) duhet patjetër informacion nga institucionet përkatëse dhe ai duhet të jepet i plotë, të jetë transparent dhe i shpejtë në kohë. Do të ishte me interes njohja e publikut të gjerë me përqindjen që zënë këto raste me mbetje mbi kufijtë e lejuar në totalin e analizave të bëra, nëse ka mospërputhje të analizave tona me ato të laboratorëve të vendeve pritëse dhe nëse po ku qëndron e vërteta, nëse janë identifikuar në terren fermat e implikuara me këto prodhime, për gjurmëshmërinë, etj.. Kuptohet që në këto raste institucionet punojnë nën trysninë dhe presionin e mediave dhe publikut të gjerë, por mospërgjigja apo vonesat në të krijojnë gjithmonë mosbesim.

Në këtë mënyrë, nuk do të favorizoheshin fermerët tanë, që zbatojnë me përpikmëri rregullat e ‘lojës’ dhe nuk do të rriste besimin e konsumatorëve të brendshëm. Nëse nuk jepet sqarim ose ai nuk është i plotë mbetet dyshimi dhe blerësit i largohen tregut në këtë fund viti festash apo u drejtohen produkteve të importuara duke menduar se janë më të sigurta, duke i lënë fermerët tanë në vështirësi. Raste me prodhime me mbetje kimike mbi norma ka edhe nga vendet anëtare të BE. Por kur ato ndodhin, raportohen me transparencë të plotë dhe përdoren si mësim për të ardhmen. Më kujtohet rasti i skandalit të mbetjeve të Spanjës (2006), ku kontrollet e perimeve të eksportuara në Gjermani dhe Angli u gjetën në afro 60% të mostrave me mbetje me lëndë aktive të palejuara, të paregjistruara më parë në BE. Pasoi menjëherë një skandal mediatik dhe politik i paparë, pasi Spanja është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh i fruta-perimeve në BE. Në këtë rast, politika spanjolle, institucionet shkencore, shoqatat e prodhuesve dhe bizneset private u vunë së bashku menjëherë në një projekt madhor kombëtar të financuar nga shteti me objektivin të përmbysnin impaktin ekonomik të bllokimit të eksporteve, por edhe të imazhit të skandalit të krijuar me të.

Brenda një kohe rekord, ata izoluan dhe bllokuan traditën e produkteve kimike të paligjshme dhe filluan futjen e gjerë në prodhim (para vendeve të tjera) të strategjive të avancuara të mbrojtjes së integruar, ku filluan të përdoren më gjerë PMB bio ose mjete alternative. Në këtë rast, të gjithë aktorët e filierës (fermerët, bizneset private, grumbulluesit dhe eksportuesit, dhe institucionet shkencore) u bënë pjesë aktive e strategjisë kombëtare për kthimin e Spanjës në tregun e BE-së, si lider i eksportit të frutaperimeve. Falë edhe këtij “skandali” të menaxhuar shumë mirë, ky vend udhëheq sot prodhimin bujqësor europian në përdorimin e PMB bio dhe ka programet IPM më të avancuara në Europë. Le të mësojmë dhe të përdorim këtë shembull edhe në vendin tonë, edhe pse rastet tona janë të izoluara, sepse bashkëpunimi i grupeve të interesit jep gjithmonë rezultate më të mira. Pozitiv është fakti që institucionet tona shkencore dhe ato të kontrollit në fushën e mbrojtjes së bimëve janë përforcuar vitet e fundit me kualifikime në personelin e tyre dhe laboratorë bashkëkohorë nëpërmjet projekteve me jashtë. Por mbetet kritik fakti që të vazhdojë puna normalisht edhe pas mbylljes së projekteve dhe sidomos cilësia e shërbimit të tyre. Në fakt, shumica e konsideron inaugurimin e një laboratori si përfundimin e punës dhe arritjen e objektivit, në një kohë që ai është fillimi dhe vetëm një kusht i domosdoshëm, por për të garantuar një shërbim cilësor për privatët. Edhe fillimi i negociatave me BE-së, edhe pse i shumëpritur, është vetëm hapi i parë, tani laboratorëve dhe sistemit tonë të kontrolleve fitosanitare dhe të mbetjeve do t’i duhet të përballen me standardet komunitare për të rritur besueshmërinë e punës së tyre. Nëse nuk ndodh kjo, mund të bëhemi në të ardhmen “tabelë qitje” për kontrollet e vendeve të tjera, si ‘ai nxënësi i dobët, të cilin mësuesi e ven në bankën e parë dhe e pyet çdo orë mësimi (të paktën në kohën time shkollore).

Të kihet kujdes në të ardhmen, të mos synohet të përmirësohet puna me kontrollet vetëm për prodhimet e destinuara për eksport në vendet e BE dhe të anashkalohet kujdesi për prodhimet që i drejtohen tregut të brendshëm, gjë që ndodh në disa vende të Afrikës së Veriut. Ne jemi në radhë për t’u futur në BE dhe kujdesi për konsumatorët tanë duhet të jetë i njëjtë me ata të BE, pa asnjë dallim.

Së fundi, dy fjalë për shërbimin këshillimor dhe kontributin e tij për fermerët në këtë drejtim. Kualifikimi dhe ndërgjegjësimi i fermerëve është shumë më i efektshëm se çdo kontroll apo masë ndëshkimore që shteti mund të marrë ndaj tyre për shkeljen e rregullave. Roli i shoqatave të fermerëve në dialogun me institucionet dhe përcjellja e mesazheve teknike dhe ligjore brenda komunitetit të tyre ka rëndësi të madhe. Personalisht jam i bindur, nga eksperienca personale në shumë vende të BE, për rëndësinë që ka bashkëpunimi pozitiv i institucioneve shkencore dhe shërbimit këshillimor me shoqatat e fermerëve. Nga bisedat e hapura që kam pasur me drejtues aktualë të Ministrisë së Bujqësisë dhe të Qendrave të Transferimit të Teknologjisë, falë gatishmërisë së tyre për të më informuar, kam konstatuar se në Shqipëri ka vend për forcimin e komponentit të mbrojtjes së bimëve në paketën e asistencës agronomike për fermerët. Meqë Ministria kohët e fundit ka deklaruar se ka vende të lira për studentët e sapodiplomuar të UBT, uroj që të përdoret ky kontingjent i ri edhe për forcimin e stafit në fushën e mbrojtjes së bimëve.

Uroj gjithashtu që RTSH t’i japë më shumë vëmendje bujqësisë, pasi edhe një emision i dedikuar dhe cilësor i saj për bujqësinë është mbyllur kohët e fundit, duke ditur që televizioni arrin edhe atje ku këshilluesit e paktë që kemi nuk arrijnë dot. Të gjithë duhet të rishikojnë dhe të evitojnë stilin sensacional të shkrimeve, postimeve apo intervistave lidhur me tema delikate si ajo e sigurisë ushqimore, pasi mund të ketë efekt të kundërt nga çka synohet. Këto raste mund të ngatërrojnë lehtë lexuesin apo shikuesin jo ekspert dhe të krijojnë pasiguri apo ankth te konsumatorët. Përgjegjësia e një komunikimi të saktë dhe të vërtetë bie mbi të gjithë, ndërkohë që institucionet mbajnë peshën e transparencës që përmenda më sipër. I kujtoj lexuesit se aktualisht shqetësimi më i madh i komunitetit investitor ndërkombëtar për ekonominë botërore në vitet që do të vijnë nuk janë konfliktet dhe klima (tashmë në nivele tepër shqetësuese), por “informacioni i pasaktë dhe disinformimi i qëllimshëm” të pranishëm në shoqërinë e sotme.

*Ekspert i Mbrojtjes së Bimëve dhe Bujqësisë së Qëndrueshme, Holandë

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura