Projektbuxheti 2025/ Ish-të përndjekurit politikë, rritet masa e dëmshpërblimit! Si do ndahen 1.4 miliardë lekë

Nov 5, 2024 | 12:03
SHPËRNDAJE

Kategoritë e ish-të përndjekurve politikë, ata që janë ende gjallë si dhe trashëgimtarëve të tyre do të kenë thuajse të njëjtin fond dëmshpërblimi edhe këtë vit.

ish te perndjekurit

Me një rritje thuajse të pakonsiderueshme, fondi që qeveria ka vendosur në dispozicion për vitin e ardhshëm kap vlerën e jo më shumë se 1.4 miliardë lekëve, nga 1.2 që ishte një vit më parë, gjithsesi, totali ngelet i pandryshueshëm në raport me GDP-në e vendit. “Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1.4 miliardë lekë ose 0.05% e PBB-së”, – citohet në relacionin e projektbuxhetit për vitin e ardhshëm. Sidoqoftë, pavarësisht planit të shpenzimeve, shuma e kompensimit për këtë kategori nuk u realizua në masën 100 për qind as vitin e kaluar dhe as vitin aktual. Këtë e thonë statistikat paraprake, të përmendura në relacionin e projektbuxhetit. “Shpenzimet për kompensimin e ish-të përndjekurve politikë, për periudhën 8- mujore të vitit 2024 u realizuan në masën 700 milionë lekë duke rezultuar 80.4% e planit të periudhës ose 58.3% e planit vjetor sipas buxhetit fillestar. Kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2023 shpenzimet për këtë zë rezultojnë me një rritje prej 16.9% ose 142 milionë lekë më pak”, – thuhet në dokument.

ZVARRITJA E PROCESIT

Tri dekada pas rënies së komunizmit, cikli i dëmshpërblimit financiar të ish-të përndjekurve politikë ende nuk është përmbyllur.

Sipas Institutit të Integrimit të Ish-të Përndjekurve Politikë, (IIPP), një institucion publik që merret me trajtimin e të dënuarve dhe përndjekurve, ende mbeteshin 53 persona që vazhdonin të tërhiqnin këstet e dëmshpërblimeve si përfitues parësorë, drejtpërdrejt të dënuar. Disa mijëra trashëgimtarë të të dënuarve politikë janë po ashtu në të njëjtin proces, ndërsa qindra të dënuar politikë u ndanë nga jeta pa u dëmshpërblyer. Grevistët thonë se kjo zvarritje e gjatë ndikoi jetën e tyre, ndërsa ankohen se dëmshpërblimi i dhënë ishte shumë i vogël dhe këmbëngulin që legjislacioni të ri shihet në këtë pikë. Prej vitit 2014 kompensimet jepen sipas një skeme ku prioritet kanë të moshuarit që janë ende gjallë, por fondet që ndahen nga qeveria mbeten të pamjaftueshme për ta përmbyllur procesin shpejt.

FONDI

Një përllogaritje e bërë në vitin 2016 tregoi se për përmbylljen e procesit nevojiteshin të paktën 47 miliardë lekë – rreth 380 milionë euro. Nëse vijohej me të njëjtat fonde vjetore, procesi mendohet të përmbyllet në vitin 2033. Në vitin 2018 nga skema u hoq e drejta që nipërit dhe mbesat e ish-të përndjekurve që nuk jetojnë më të tërheqin kompensimet e tyre. Kjo “lehtësoi” buxhetin, por praktikisht i vuri vulën si proces aspak i denjë për tranzicionin rehabilitimit të ish-të përndjekurit. Zyrtarisht njerëz që vuajtën diktaturën ndërruan jetë pa u kompensuar sipas ligjit, ndërsa aktualisht hamendësohet se më pak se një mijë ish-të përndjekur janë ende gjallë.

Në mes të muajit tetor, një grup i vogël ish-të përndjekurish që i ruajnë ende kujtimet e internimit dhe përndjekjes në komunizëm u futën në grevë urie në formë proteste ndaj padrejtësive mbi dëmshpërblimin dhe godinën, e cila planifikohet të tjetërsohet. Ndërtesa që pretenduan ish-të përndjekurit është ndërtuar në vitet 20-të fillimisht për muze arkeologjik. Me një stil neoklasik ajo është cilësuar monument kulture dhe për këtë u bë pjesë e godinave që u rikonstruktuan nga programi EU4Culture për rindërtimin nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Deri në atë kohë aty kishin selinë Instituti i ish-të Përndjekurve Politikë (IPP) dhe Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK). Edhe pse punimet kanë mbaruar prej kohësh, godina mbetet bosh dhe mbyllur, ndërsa IPP dhe ISKK janë zhvendosur në mjedise të tjera. Grevistët deklaruan se atyre u është thënë që godina nuk do të përdorej më nga ish-të përndjekurit vetëm pasi nisën grevën.

Në krye të tetë ditëve, ata u dorëzuan duke i dhënë fund grevës. Të zhgënjyer nga mospërfillja e ligjvënësve dhe më së shumti e shoqërisë, ata u shprehën se kanë vendosur ta ndërprenë këtu protestën e tyre me arsyetimin se “të përndjekurit nuk i do njeri”./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura