Projektbuxheti 2025/ Tabaku akuza qeverisë në Komisionin e Ekonomisë: Po bëjnë pseudobetejë kundër informalitetit dhe injorojnë krizën në bujqësi

Nov 5, 2024 | 18:13
SHPËRNDAJE

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave ku ishte i pranishëm Ministri i Financave, ka shprehur kritika të ashpra ndaj projektbuxhetit 2025 të propozuar nga qeveria.

tabaku

Ajo theksoi se qeveria po zhvillon një “pseudobetejë” kundër informalitetit, po godet profesionet e lira dhe shtresën e mesme, po injoron krizën në bujqësi dhe nuk parashikon rritje të pensioneve.

“Me cilën llogari i del qeverisë se kjo vlerë do të mbulojë 450 milionë euro që dalin nga buxheti për pensionet? Si del llogaria që kjo fushatë e informalitetit dhe këto 10 milionë euro ekstra do të mbulojnë 450 milionë euro? “,  deklaroi Tabaku.

Deputetja kritikoi ashpër qeverinë për moskthimin e taksës së konsideruar antikushtetuese ndaj profesioneve të lira, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ajo akuzoi qeverinë për trajtim me dy standarde dhe për goditje të shtresës së mesme.

“Çfarë e pengon qeverinë që të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese? Si deputete kam bërë një propozim për Ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat për të rregulluar këtë problematikë. Pse i trajtoni njerëzit me dy standarde? ” – u shpreh ajo.

Tabaku shprehu shqetësim për gjendjen e bujqësisë, duke theksuar se skema aktuale e TVSH-së po falimenton sektorin. Ajo kritikoi Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Financave për mungesën e veprimeve konkrete për të adresuar këtë çështje.

“Mbeta pa fjalë pasi pashë që Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Financave kanë të njëjtin mendim për skemën e TVSH-së që sot po falimenton bujqësinë. Skema e TVSH-së në bujqësi a do ketë ndonjë ndryshim këtë vit apo jo? Cilat janë politikat e bujqësisë në skemën e TVSH-së? ” – pyeti Tabaku.

Deputetja kritikoi qeverinë për mungesën e rritjes së pensioneve në projektbuxhetin e vitit 2025. Ajo kërkoi sqarime mbi statusin e propozimeve ligjore për minimumin jetik dhe pensionin minimal prej 120 mijë lekësh, të cilat janë ende pa përgjigje.

“A ka ndonjë masë qeveria për sa i takon pensionit minimal? Apo ky tur është propagandë meqë ajo rritja qesharake e pensioneve nuk kënaqi askënd veç qeverisë? ” – tha ajo.

Tabaku shprehu zhgënjim për refuzimin e vazhdueshëm të amendamenteve të propozuara nga ajo dhe Partia Demokratike që nga viti 2013. Ajo kritikoi kolegët deputetë që kanë filluar të propozojnë ligje vetëm pak muaj para zgjedhjeve.

“Më vjen çudi për ca kolegë që janë kujtuar që ka zgjedhje pas 5 muajsh dhe kanë nisur të propozojnë tani ligje, ” – përfundoi ajo.

 

 

Fjala e plotë e deputetes së PD, Jorida Tabaku

Zoti ministër, kam tre shqetësime që lidhen me politikën e taksave.

Së pari, për pjesën e paketës fiskale dhe informalitetit duke iu referuar relacionit tuaj thoni që do ketë një fushatë qeveria për informalitetin dhe do të mbledhë më shumë nga sigurimet shoqërore. 10 mln euro do jenë shtesë ng akjo; me cilën llogari i dalin qeverisë se kjo vlerë do të mbulojë 450 mln euro që dalin nga buxheti për pensionet? Si del llogaria që kjo fushata e informalitetit dhe ky 10 mln euro ekstra do të mbulojë 450 mln euro?

Së dyti, sot mora  një shkresë nga ju në përgjigje nga ju për një shkresë dalë nga kuvendi 3 vite më parë. Bëhet fjalë për një paketë fiskale që z. Duka ka bërë për  subvencionimin e bujqësisë dhe skemën e TVSH në bujqësi. Mbeta pa fjalë pasi pashë që Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e financave kanë të njëjtin mendim për skemën e TVSH që sot po falimenton bujqësinë. I njëjti qëndrim dhe ministri i shtetit për sipërmarrjen. Ndërsa ju i referoheni argumentit se normat e taksave kanë ndryshuar; po, është e vërtetë që kanë ndryshuar normat e taksave sepse ju e keni ndryshuar politikën fiskale në këto 3 vite që ne kemi depozituar një pyetje.  Prandaj dua tju pyes; skema e TVSH në bujqësi a do ketë ndonjë ndryshim këtë vit apo jo? Cilat janë politikat e bujqësisë në skemën e TVSH në bujqësi?

Së treti, sa i takon profesioneve të lira. Çfarë e pengon qeverinë që të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese? Si deputete kam bërë një propozim për  Ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat për të rregulluar këtë problematikë për pagesën e marrë nga shteti për profesionet e lira. Çfarë problemi ka rimbursimi i një takse të konsideruar antikushtetuese? Herën e kaluar u justifikuat se prisni përgjigje nga GJK. Sot e keni përgjigjen, keni instrumentet pop se nuk e rregulloni? Pse i trajtoni njerëzit me dy standarde?

Më lejoni të rikthehem në një pikë me rëndësi; ky komision ka marrë një propozim ligjor për minimumin jetik dhe është si propozim ligjor dhe ka ardhur dhe në prezantim buxheti madje dhe ju e keni në ministri për dhënie mendimi.  Ku ndodhemi me minimumin jetik? A ka ndonjë masë qeveria për sa i takon pensnionit minimal? A ka ndonjë propozim qeveria për pensionin minimal? Apo ky tur është propagandë meqë ajo rritja qesharake e pensioneve nuk kënaqi askënd veç qeverisë?  Pra minimumi jetik që ka ardhur si  propozim ligjor dhe më pas pensionin minimal prej 120 mijë lekësh po njësoj propozim ligjor.

Më duhet të jem e qartë ku jemi me këto sepse kam një histori të pakëndshme me propozimet e mia dhe të PD në kohë buxheti pasi që nga viti 2013 ne kemi bërë amendime ligjore që janë rrëzuar nga qeveria dhe më vjen çudi për ca kolegë  që janë kujtuar që ka zgjedhje pas 5 muajsh dhe kanë nisur të propozojnë tani ligje

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura