PROF. DR. ARBEN MALAJ
Ndërsa theksohet se “Politika është arti i të mundshmes. Politika ekonomike është arti i zgjedhjes së strategjisë më të mirë për vendin”. Që në fillim dua të theksoj se në çdo rast kur diskutohet për “Bordin e Monedhave”, bëhet fjalë për mbrojtjen e monedhës kombëtare gjatë krizave hiperinflacioniste, ndoshta tre-katërshifrore. Inflacioni i çmimeve të konsumit në Bullgari2 që impononte “Bordin e Monedhës” ishte 578 për qind. Është hera e parë që propozohet mbrojtja e një monedhe të huaj në një vend që ka zgjedhur dhe ka përdorur prej rreth 35 vitesh një kurs këmbimi të ndryshueshëm. Ideja e parë për Bordin e monedhës” bazuar në eksperiencën e Bullgarisë më erdhi nga një memo e Ardian Dabulla, ish-drejtori i Agjencisë së Nxitjes së Eksporteve, (projekt i mbështetur nga Banka Botërore) pikërisht kur vendi ishte në krizën më të rëndë dhe ku monedha kombëtare arriti nivelin më të lartë të zhvleftësimit në të gjithë historinë e tranzicionit tonë. Para marsit 1997, një dollar shkëmbehej me 100 lekë. Pas marsit 1997, me 180 lekë. E diskutuam këtë ide me kolegë në Ministrinë e Financave, ku një nga ekspertët më të mirë të makro-ekonomisë ishte Artur Kasimati dhe me dy pedagogë të makroekonomisë në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë, prof. dr. Sulo Haderi dhe prof. dr. Tonin Kola, që i përzgjodha si këshilltarë të jashtëm. U bë një analizë e përfitimeve afatshkurtra, pra stabilizimit të subvencionuar të monedhës kombëtare dhe kostove afatgjata për ekonominë dhe taksapaguesit.
Pasi e diskutuam si ekip në Ministrinë e Financave, konceptin e një “Bordi Monedhe” e ndamë me ekipin e FMN-së, që meriton mirënjohje për bashkëpunimin efikas. FMN-ja argumentoi se kishte një ndryshim mes dy vendeve, Bullgaria kishte një krizë për shkak të mosbërjes së reformave, ndërsa Shqipëria kishte një krizë shume të rëndë, ekonomike, sociale dhe politike nga falimentimi i skemave piramidale, të cilat mazhoranca e vitit 1992 i prezantonte si model i mrekullisë shqiptare të tregut të lirë. Ekspertët e FMN-së argumentuan se Shqipëria kishte mundësinë e një rikuperimi më të shpejtë, më të lartë dhe më të qëndrueshëm se Bullgaria. Në fakt, ekonomia shqiptare filloi të rimëkëmbet dhe arriti nivele të larta të rritjes ekonomike, uljes së papunësisë, varfërisë dhe stabilitetit financiar në një kohë relativisht të shkurtër. Kur flitet për historinë e kurseve kombëtare të këmbimit apo domosdoshmërinë e lidhjes (peg) së monedhës kombëtare me një monedhë të huaj të fortë, kryesisht me dollarin para vitit 2002, përsëri efekti i “Bordit të Monedhës” nuk vepron si diçka magjike. Vetëm një ekonomi e fortë mund të ketë një monedhë të fortë. Indonezia pas vitit 1965 ishte një aleate e rëndësishme e SHBA-ve. Por, ne vitet ‘90, qeverisja shtypëse, korrupsioni dhe trazirat sociale e dëmtuan ekonominë indoneziane aq shumë saqë Suharto nuk mund të garantonte kursin fiks të këmbimit.
Ai iu drejtua FMN-së për një kredi prej 40 miliardë dollarësh, kërkesë që nuk u miratua. Menjëherë monedha kombëtare u zhvlerësua shumë, protestat nga rritja e varfërisë e rrëzuan Suharton pas rreth 40 vite pushtet autoritar dhe të korruptuar. Kursi fiks i këmbimit, simbol i fuqisë ekonomike të Indonezisë dhe krenarisë personale së Suhartos, u bë arma që e vrau atë politikisht. Ndërkohë, propozimi për të subvencionuar (keq)përdorimin e taksave shqiptare për të mbajtur një valutë të “dobësuar” nga flukset e mëdha të të ardhurave, turizmi, investimet e huaja direkte, por edhe flukset e parave informale dhe kriminale, kërkon një strategji komplekse, të studiuar mirë dhe të zbatueshme. Reduktimi i flukseve nga burime ilegale që rrisin artificialisht ofertën e eurove në ekonomi. Këto burime kanë fitime shumë të larta dhe të paligjshme deri në kriminale edhe kur euro është e dobët. Mund të bëhen ndërhyrje të moderuara në blerjet në treg të eurove nga BSH, por kur këto blerje nuk cenojnë objektivin e saj për stabilizimin e çmimeve.
Politikat tatimore duhen lehtësuar për modernizimin e teknologjive apo kalimin në produkte më konkurruese. Vendi ynë vazhdon të japë “stimuj financiarë shumë bujarë” për bizneset që sjellin një markë hoteli dhe krijojnë vende pune shumë më pak se fasonët. Ndërsa bizneset eksportuese të fasonëve prej dekadash punojnë për kompanitë më të mira në botë në industritë e tyre përkatëse. Fasonët vuajnë nga kriza e likuiditetit, pasi arkëtojnë euro të dobëta dhe paguajnë në lekë pjesët më të konsiderueshme të kostove të tyre, duke filluar nga pagat, sigurimet shoqërore, taksat vendore dhe kombëtare. Skedulimi më i mirë i pagimit të detyrimeve dhe rimbursimi i menjëhershëm i TVSH-së dhe taksave të parapaguara bazuar vetëm në analizën e riskut mund të zbusin pikun e krizës së likuiditeti të eksportuesve. Nuk duhet t’i detyrojmë kompanitë eksportuese të marrin kredi apo kredi me interesa shumë më të larta se paratë e tyre me interes zero, që nuk kthehen në kohë nga administrata. Duhet ndaluar me ligj bllokimi arbitrar i gjithë llogarive për detyrime të vonuara që janë shumë herë më të vogla se shumat e bllokuara në mënyrë arbitrare nga bashkitë, taksat, doganat dhe çdo institucion tjetër. Garancia shtetërore është një element lehtësues i krizës së likuiditetit, ajo nuk duhet të jetë me interesa tregu.
Garancia shtetërore duhet të ulë ndjeshëm interesat, pasi risku për bankat tregtare është zero. Sot konkurrenca është bazuar te teknologjitë e reja, të cilat janë më produktive, por edhe më të shtrenjta. Prandaj norma e amortizimit të teknologjive dhe pajisjeve për eksportuesit, në një botë shumë konkurruese duhet të përshpejtohet, duhet të rritet. Ne e zbatuam amortizimin e përshpejtuar, këtë politik lehtësuese, në vitin 1997, kur bizneset u dëmtuan rëndë dhe duhej të riinvestonin, aplikuam. Sistemi i ankesave dhe apelimeve për gjoba dhe masa administrative për eksportuesit në çdo rast duhet të jetë sa më i shpejtë dhe i drejtë. Duhet të krijohet një “kanal jeshil” për eksportuesit jo vetëm në dogana, por edhe në çdo strukturë qeveritare dhe bashki. Kjo redukton vonesat në kohë dhe kostot direkte, indirekte dhe korruptive.
Eksportuesit duhet t’i subvencionohet një pjesë e pagave. Jo pak vende e mbështesin prodhimin vendës edhe nëpërmjet blerjeve nga prodhimet eksportuese, përfshi dhe ato bujqësore dhe blegtorale për konsumin e institucioneve buxhetore dhe kompanive publike. Blerjet e eurove nga thesari për shlyerjen e borxhit të jashtëm në euro duhet të harmonizohen me blerjet e BSH bazuar edhe në raportin midis depozitave dhe kredive në euro dhe reduktimin e çdo rreziku të mundshëm të mospërputhjeve kohore. 75 mijë punonjës të industrisë së eksportit, rreth 300 mijë shqiptarë, jeta e të cilëve varet nga industria e eksportit për mbijetesë, përfshirë edhe eksportuesit e produkteve bujqësore në tërësinë e tyre, nuk duhen anashkaluar, nuk duhen lënë në mëshirë të fatit dhe aq më keq të keqpërdoren për vota. Gjithçka duhet bërë mbi bazën e një strategjie kombëtare për rritjen e eksporteve.
1 Ish-anëtar i Këshillit Mbikëqyrës i Bankës së
Shqipërisë
2 Pra, propozimi për një “Bord Monedhe”
është në thelb dhe fillimisht një ide e dëmshme dhe
e papranueshme. Kur Bullgaria përdori “Bordin e
Monedhës” sipas publikimeve zyrtare, treguesit
kryesorë makroekonomikë u përkeqësuan në vitin
1997: PBB real – 8% (gjatë vitit të kaluar),
prodhimi industrial bruto-11,5%, inflacioni i
çmimeve të konsumit 578,5%, shkalla e
papunësisë 13,5% (krahasuar me 11,1% dhe
12.5% në 1995 dhe 1996 respektivisht). Instituti
Kombëtar i Statistikave, Sofje, janar 1998. Prapa.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al