Protesta e opozitës në Tiranë, Zëri i Amerikës: Hidhen molotovë ndaj godinave qeveritare, policia përdor gaz lotsjellës për të sprapsur turmat

Oct 7, 2024 | 21:15
SHPËRNDAJE

Në Shqipëri, protesta e paralajmëruar e opozitës ka nisur me tensione para selisë së qeverisë. Fillimisht ka patur një përplasje mes drejtuesve të opozitës dhe forcave të policisë që kanë rrethuar godinën, ndërsa më pas drejt kryeministrisë janë lëshuar një seri bombash molotov. Policia ka përdorur lëndë lotsjellëse për të sprapsur turmat.

protesta e opozites shpethim selia e ps (1)

Prej andej deputetët e opozitës lëvizën në formë marshimi. Gjatë rrugës, protestuesit i vunë flakën një stacioni autobusi, si dhe disa kazanëve të mbeturinave. Ndalesa e rradhës ishte selia e Partisë socialiste, ku një shi bombash molotov u lëshuan drejt godinës, ndërsa një banderolë e madhe me një foto të kryetarit dhe kryeministrit socialist Edi Rama, e vendosur në fasadën hyrëse, mori flakë. Policia ndërhyri për të shuar zjarrin si dhe përdori sërish gazin lotsjellës. I njejti skenar u përsërit pak më pas, disa qindra metra më larg, pranë ndërtesës së ministrisë së Brendshme e pak minuta më vonë dhe drejt Bashkisë së Tiranës, ku policia përdori dhe pompat e ujit për të larguar protestuesit.

Vendimi për organizimin e protestës së sotme u mor nga forumet e larta të Partisë Demokratike, pasi Gjykata e Apelit dënoi me një vit burgim deputetin e saj Ervin Salianji. Ajo është paraprirë nga disa atë force të opozitës në parlament ku fillimisht deputetët e opozitës dogjën karriget e tyre, para godinës ku zhvillohen seancat. Pak ditë më pas tensionet mbetën të larta kur ata tentuan të pengojnë hyrjen e deputetëve të shumicës në sallën e parlamentit.

Opozita ka njoftuar se ajo po nis një betejë pa kthim e cila synon sipas saj, të garantojë votën e lirë të shqiptarëve, duke këmbëngulir në një qeveri teknike që të organizojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Eksponentë të ndryshëm të saj ditët e fundit në deklarata mediatike kanë përdorur tone të ashpra duke lënë të kuptojnë se çdo lloj reagimi është i justifikueshëm ndërsa kanë vënë në dukje dënimin e zotit Salianji të cilin e konsiderojnë si hakmarrje politike, apo dhe moszbatimin nga shumica të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, në rastin e mandatit të ish ministres Xhaçka.

Në njoftimin dërguar policisë opozita ka bërë të ditur se protesta do të zhvillohet para kryeministrisë për 4 orë, por pa përcaktuar itinerarin e lëvizjes, ndërkohë që nuk janë parashikuar fjalime.

Policia duket se dyshon se protesta mund të shtrohet dhe në akse të tjera rrugore larg zonës së kryeministrisë dhe për këtë arsye ka njoftuar se mund të bllokohet qarkullimi në pikat kyçe të kryeqytetit. Mbi 1 mijë forca policisë janë angazhuar për të mbrojtur institucionet përgjatë bulervardit qëndror të kryeqytetit.

Protesta po mbikqyret nga afër dhe nga disa grupe monitorimi të Avokatit të popullit. Ky institucion i ka bërë thirrje thirrje protestuesve që të demonstrojnë paqësisht, duke kërkuar nga policia që të veprojë me përgjegjësi, duke respektuar standardet e ndërhyrjes së nevojshme për të garantuar rendin dhe sigurinë, pa cënuar të drejtat e qytetarëve./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura