Provimet e lirimit për 9-vjeçaren, ja teza për gjuhën e huaj

May 8, 2015 | 14:06
SHPËRNDAJE

Kur ka mbetur vetëm një muaj nga sezoni i provimeve për 9- vjeçaren, Agjencia Kombëtare e Provimeve publikon strukturën që do të ketë lënda e parë ku do të testohen nxënësit, gjuha e huaj.

Nxënës gjatë një provimi

Ndryshe nga një vit më parë, kur ata jepnin vetëm 2 provime Gjuhë dhe Matematikë, këtë vit është futur në listë edhe Gjuha e huaj, provim që do të zhvillohet më datë 6 qershor. Ministria e Arsimit ka menduar një nivel mesatar vështirësie. Testi të cilit do t’i nënshtrohen nxënësit është A2, ndërsa nxënësit kanë disa alternativa të gjuhës që mund të zgjedhin të japin provim, si anglisht, frëngjisht, italisht apo gjermanisht.

PROVIMI

Një tabelë e detajuar e publikuar në faqen e AKPsë jep strukturën e testit të gjuhës së huaj. Testi përmban 25 pyetje të ndara në 3 pjesë: lexim, gramatikë dhe shkrim, që në total do të kenë 50 pikë. Në udhëzuesin e përgjithshëm për provimin e Gjuhës angleze thuhet se testi është realizuar si sintezë e njohurive dhe shprehive të fituara gjatë gjithë procesit mësimor në vite.

“Programi orientues është ndërtuar duke pasur parasysh nevojat e nxënësve, zhvillimet e tyre personale dhe duke u dhënë mundësi për sukses në provim”.

Dy pjesët e para të testit, të lexuarit dhe të kuptuarit, kanë përkatësisht nga 20 pikë dhe mund të jenë me alternativa, me po/jo, e vërtetë/ e rreme, ushtrime ku kërkohet marrja dhe përzgjedhja e informacionit të duhur nga teksti i dhënë, reflektimi mbi përmbajtjen e një fragmenti, plotësimi i vendeve bosh apo nxjerrja e informacionit të duhur prej tij apo vendosja e paragrafëve sipas rendit të duhur.

Nxënësve mund t’u jepet një tekst i panjohur mbi të cilin do të ndërtohen pyetje që do të testojnë aftësitë e nxënësit për të kuptuar një pjesë dhe për të gjykuar mbi të. Ndërsa pjesa e fundit e testit, që përmban 10 pikë, është hartimi i një teksti të shkurtër jo letrar prej 60-80 fjalësh. Gjatë kësaj kohe, mësuesit duhet të ushtrojnë nxënësit që të organizojnë forma të ndryshme kompozimi rreth një çështjeje të caktuar që mund të jenë përvoja personale, shkrimi i një letre formale, e-mail ose aplikime apo rekomandime për një punë part-time.

Në bazë të udhëzimit, një nxënës që ka përfunduar klasën e nëntë dhe ka bërë të paktën 5 vite lëndën e gjuhës së huaj, duhet të jetë në gjendje të prodhojë tekste të shkruara mbi një gamë jo shumë të gjerë temash duke i lidhur elementet në mënyrë koherente, të bëjë përshkrime jo shumë të hollësishme mbi tema të njohura, të tregojë me shkrim përvojat e tij duke përshkruar ndjenjat dhe reagimet e tij apo të përshkruajë ngjarje, duke respektuar ato që ka studiuar gjatë viteve në shkollë.

Nxënësi vlerësohet për përmbajtjen, leksikun, korrektësinë gramatikore, strukturën dhe rrjedhën logjike.

Besarta Basha 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura