BESARTA BASHA/ Kanë më shumë se një apo dy dekada që nxjerrin breza të tërë nxënësish, por ngelin në provimin ku u regjistruan për t’u rritur profesionalisht e financiarisht.
Kjo ka ndodhur me jo pak mësues në testin e kualifikimit, rezultatin e të cilit shumica i kanë marrë në copa letre pranë zyrave arsimore dhe jo online.
Këtë fakt e denoncon eksperti i arsimit në Partinë Demokratike, Ndriçim Mehmeti, i cili ka publikuar dje foto të mësuesve në radhë për të marrë…pikët e provimit.
Sipas Mehmetit, ministria, e paaftë për të publikuar rezultatet online, ka detyruar mësuesit të grumbullohen në kulmin e pandemisë, duke vënë kështu në rrezik jetën e tyre.
“Për të marrë pikët e provimit, mësuesit duhet të grumbulloheshin masivisht në dyert e zyrave vendore arsimore për të marrë pikët e provimit në kundërshtim me aktin normativ të nxjerrë nga vetë qeveria. MASR mburret se do të bëjë mësim ‘onllajn’ për 650 mijë e më shumë nxënës e studentë dhe nuk nxjerr dot ‘onllajn’ pikët e provimit për mësuesit. Kjo është shpikja më e re për të ruajtur shëndetin e mësuesve tanë”.
Ndonëse vlerësimi i të gjitha testeve ka kaluar në të njëjtat duar dhe u është dërguar njëkohësisht zyrave arsimore, këto të fundit kanë bërë publik lajmin në ditë të ndryshme.
Nga fundjava, mësuesve iu është komunikuar vetëm sasia e pikëve, por jo nëse janë kualifikuar. Pas denoncimeve e ankesave të mësuesve, disa zyra vendore arsimore kanë shpallur pikët online pasditen e vonë, duke dhënë, veç vlerësimit final, edhe pikët e grumbulluara në secilën pjesë të testit.
SKEMA E VLERËSIMIT
“A jam kalues me kaq pikë”?
Kjo është pyetja e këtyre ditëve midis mësuesve. Jo pak prej tyre nuk janë në dijeni të skemës së vlerësimit që përdoret për këtë provim. Udhëzimi për provimin e kualifikimit kërkon gjysmën e pikëve të totalit për të kaluar, por vlerësimi bëhet i diferencuar.
Nga 70 pikë në test, nga të cilat 30 i përmban pjesa e parë dhe 40 e dyta, kërkohet jo më pak se gjysma e pikëve në të dyja pjesët.
Me pak fjalë, një 50-pikësh në total nuk mjafton për t’u quajtur kalues. Minalisht, nevojiten 15 pikë në pjesën e parë të testit që ka të bëjë me pjesën e dokumentacionit shkollor, 20 për lëndën që jep dhe 15 që duhet t’i ketë siguruar nga dorëzimi i portofolit profesional.
ANKESAT
Pas udhëzimit surprizë që penalizon mësuesit mbetës, përballja me rezultatin ka qenë një tjetër surprizë për mësuesit. Përveç mënyrës sesi janë njohur me të, ata vënë në pikëpyetje vetë tezën dhe mënyrën teknike të vlerësimit.
“Nisur nga ankesat e mësuesve të të gjitha profileve, pa përjashtim, për vlerësimin në përgjithësi dhe sasinë e pikëve në veçanti, të gjithë kanë një të përbashkët: mungesën e një numri të konsiderueshëm pikësh. Mos ndoshta kjo ka të bëjë me përgjigjet e hedhura në fletëpërgjigje që do të kontrolloheshin me skaner optik?! Mbase nuk u janë bashkangjitur pikëve të tjera. Jemi mësues me përvojë 10 e 20- vjeçare që i njohim mirë aftësitë e njëri-tjetrit. Nuk pretendojmë as për test të vështirë e as për terror. Mund të ketë ndonjë gabim, se ndryshe s’ka mundësi”, thotë një mësues, pa dashur të identifikohet me emër.
Ndërsa të tjerë shprehen se me ta është bërë eksperiment, pasi nuk kanë pasur fletëpërgjigje për të plotësuar. Në këto kushte, shumë mësues kanë hapur udhëzuesin e ri për të parë mënyrën e ankimimit të pikëve (procedura, tabela në të djathtë të shkrimit).
Në të shtatin vit të zhvillimit të provimit për kualifikimin, ky është i pari vit ku mësues në masë kontestojnë rezultatet. Një gjë e tillë përkon me vitin e ndryshimit të udhëzimit, i cili penalizon mësuesit që nuk kalojnë. Ata janë të detyruar të futen në provim sezonin pasues dhe në rast se nuk marrin pikët e duhura, humbasin vendin e punës. Shkolla ndërpret çdo marrëdhënie financiare me ta dhe vendi i tyre shpallet vakant.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al