Provimi për licencën, ja datat për mësuesit e mjekët

Jun 9, 2015 | 13:54
SHPËRNDAJE

Me përfundimin e sezonit 3-javor të provimeve të shtetit për mjekët e rinj, Agjencia Kombëtare e Provimeve ka publikuar datat për profesionistët e ardhshëm të mësuesisë. 

Mësuesit në testim

Në kuadër të profesioneve të rregulluara me ligj, të gjithë studentët që kanë mbyllur me sukses ciklin e studimeve në një nga degët e mësuesisë, si dhe kanë praktikën profesionale të detyrueshme 3-mujore, do t’i nënshtrohen provimit të shtetit.

Ato janë parashikuar të zhvillohen nga java e parë deri në të tretën të muajit korrik, sipas një grafiku të caktuar. AKP vë afat deri në fund të këtij muaji për të gjithë mësuesit që duan të jenë pjesë e këtij provimi.

Ndërkaq, në faqen zyrtare të agjencisë janë publikuar edhe programet orientuese për 22 profile të ndryshme të mësuesisë. Po ashtu, edhe një program i përbashkët për të gjitha nënprofesionet, duke testuar përgatitjen e tyre pedagogjike në zbatimin e kurrikulës, metodat e mësimdhënies, aftësitë në menaxhimin e klasës dhe vlerësimin e nxënësve.

Me rëndësi do të jetë veçanërisht drejtshkrimi dhe çështjet gramatikore.

Që një mësues të quhet kalues, duhet të fitojë të paktën 50 pikë nga provimi me 100 pikë të mundshme. Pa marrë këtë provim ata nuk mund të konkurrojnë për një vend të lirë pune në rrethe të ndryshme të vendit.

Ky është një standard, me anë të të cilit synohet rritja e përgatitjes së mësuesve të rinj. Përpos tyre, AKP ka publikuar që tani edhe kalendarin e javëve për sezonin e dytë të profesionistëve të rinj.

 Ai nis me mësuesit, të cilët do të futen në provim shteti nga java e tretë e muajit nëntor deri në javën e parë të dhjetorit për të vijuar me sezonin e dytë për mjekët, që nis nga java e dytë deri në të katërtën e muajit dhjetor.

Edhe për ta është hartuar programi orientues, mbi të cilin mund të përgatiten për t’u testuar në fund të vitit. Ndërkaq, këtë provim ata kanë të drejtë ta japin deri në 5 herë me një tarifë shtesë prej 2500 lekësh të rinj.

 

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura