Gazment Bardhi ka reguar pasi Sekretariati i Etikës e përjashtoi me 60 ditë nga Kuvendi pas kaosit që u krijua në seancën e fundit parlamentare.
“Këta të fusin në burg pa ligj e prova, jo më mos të të përjashtojnë nga Kuvendi pa ligj e prova”, është shprehur Bardhi përmes një reagimi në “X”.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së thotë se përjashtimi i opozitës për muaj nga Kuvendi, provon sesa i vogël e frikacak është Edi Rama.
Ndër të tjera ai ka paralajmëruar që opozita do të vijojë aksionin, ndërsa i drejtohet kryeministrit duke i thënë “përballë do na kesh, brenda apo jashtë Kuvendit”.
“Këta të fusin në burg pa ligj e prova, jo më mos të të përjashtojnë nga Kuvendi pa ligj e prova. Përjashtimi i opozitës për muaj nga Kuvendi, provon sesa i vogël e frikacak është Edi Rama! Përballë do na kesh, brenda apo jashtë Kuvendit! Asaj salle krimi i ke vënë zjarrin!
Fshihu e shmangu sa të duash, përjashto, burgos e përndjek sa të duash, fatin tënd nuk e ndryshon dot! Atë ta ka përcaktuar shumica dërrmuese e shqiptarëve që përbuzin ngritjen e krimit të organizuar në qeverisje dhe shndërrimin e institucioneve në banda kundër opozitës”, thotë Bardhi në reagimin e tij.
Kujtojmë se pas një mbledhje të gjatë, Sekretariati i Etikës ka marrë vendimin që të përjashtojë me 60 ditë nga punimet e Kuvendit tre deputetët e PD, Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbati.
Ndërkohë deputeti tjetër, Edi Paloka u ndëshkua me 10 ditë përjashtim nga punimet e Kuvendit, ndërsa të tjerët me 40 ditë.
Deputetet qe u perjashtuan me 40 dite jane:
Luan Baçi,Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Saimir Korreshi, Lefter Geshnjte, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Ludovik Hasani, Ramadan Lika, Asllani Dogjani, Qani Xhafa, Kasem Mahmutaj dhe Edmond Spaho.
Kujtojmë që Kuvendi ka deklaruar se deputetët e opozitës do të paguajnë dëmet e shkaktuara në sallë, nga paga e tyre e cila do t’i mbahet automatikisht nëse nuk e japin vullnetarisht.
Në faturë do të përfshihen edhe dëmet në pajisje elektronike, mikrofonë, foltore dhe ekrane.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al