PS miraton buxhetin 2025, si do të shpenzohen 8.2 miliardë euro! Kush do të marrë pjesën më të madhe të fondeve

Nov 20, 2024 | 7:55
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Me 75 vota pro, asnjë kundër dhe 40 abstenim mazhoranca miratoi dje në parim buxhetin për vitin 2025. Prezentë ishin 116 deputetë.

buxheti

Në emër të grupeve mbajtën fjalën Shpëtim Idrizi, Eduard Shalsi dhe Jorida Tabaku. Në këtë mënyrë u përmbyllën edhe debatet dhe diskutimet që vijuan prej 2 ditësh. Nga ana tjetër, opozita zhvillonte protestë jashtë ambienteve të Parlamentit për ta kundërshtuar, pasi e cilëson atë si antisocial.

Por si do shpërndahet buxheti prej 822 miliardë lekësh, i cili është ndarë në 9 grupe.

Një e treta e buxhetit është parashikuar të harxhohet për skemat sociale, nga ndihma ekonomike, skema e pensioneve, pagesa e papunësisë e deri te kompensimi i ish-pronarëve dhe të përndjekurve politik. Pjesën më të madhe të fondeve e marrin investimet dhe pagat e administratës. Kompensimi i ish-pronarëve është në total 291.9 miliardë lekë, ose rreth 3 mld euro.

Konkretisht pas aspektit social, në vend të dytë janë 161.8 miliardë lekë të planifikuara për investime publike, në infrastrukturë, digjitalizim, arsim, rindërtim dhe shëndetësi.

Kategoria e tretë që do të marrë vlerën më të madhe të buxhetit është administrata publike, ku për pagat dhe sigurimet e mbi 86 mijë punonjësve parashikohet të shpenzohen 127 miliardë lekë, pra rreth 1.2 mld euro. Shpenzimet operative ku bëjnë pjesë skema e fermerëve, mirëmbajtje e rrugëve, e sistemeve teknologjike, programet e punësimit apo mbështetja për arsimin e sportin do të marrin 71.3 miliardë lekë, rreth 710 mln euro. Për interesat e borxhit publik janë planifikuar 68.5 miliardë lekë. Më tej janë 43.1 miliardë lekë që do të shkojnë për pushtetin vendor, si dhe janë planifikuar 5.9 miliardë lekë fond rezervë për emergjenca, për zgjedhjet e përgjithshme dhe për shpenzime në kuadër të zbatimit të agjendës së planit të rritjes me BE-në.

Sa i takon ndarjes së buxhetit për institucionet, portofolin më të madh do e ketë Ministria e Shëndetësisë me 80.7 miliardë lekë, ndjekur nga Infrastruktura me 74 miliardë lekë, Ministria e Arsimit 62 miliardë lekë, Ministria e Ekonomisë KulturësInovacionit 56 miliardë lekë dhe Ministria e Mbrojtjes 52.6 miliardë lekë.

Më herët gjatë diskutimeve për projektbuxhetin pati tensione në kuvend. Në një moment teksa deputeti demokrat Asllan Dogjani gjatë fjalës së tij përmendi vrasjen e nxënësit 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij, pas përfundimit të mësimit, Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar të PD-së, iu drejtua me tone të larta socialistëve “a keni ndjeshmëri ju apo jo…”. Bardhi iu drejtua në veçanti me tone të larta anëtarëve të Qeverisë.

“A ke shpirt”, i drejtohet Bardhi, zv.kryeministres Balluku, e cila qëndronte pas foltores së Kuvendit, atje ku deputeti Dogjani po mbante fjalën. Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, në fjalën e saj në Kuvend tha se projektbuxheti i vitit 2025 është burim zhvillimi për një ekonomi më të fortë. Spiropali theksoi se ky projektbuxhet garanton rritjen e pagave për sektorin shtetëror dhe mbështet sektorin privat.

“Buxheti është burim zhvillimi për një ekonomi më të fortë. Buxheti garanton rritjen e pagave në sektorin shtetëror dhe mbështet sektorin privat, që të ketë mundësi për rritje pagash për punonjësit. Pensionet rriten nga fondi i pensioneve. Buxheti 2025 synon që të rritet ky fond. Ne nuk kemi harruar mbështetjen për pensionistët që nuk kanë derdhur kontribute, që meritojnë të kenë mbështetje nga shteti shqiptar. Projektbuxheti mbështet komunitetet lokale. Ky është një buxhet real, që mbështetet në mundësitë që ka vendi dhe ekonomia jonë në këtë fazë. Shpreh falënderimin për të gjithë deputetët, por edhe ekspertët që dhanë kontribut për të përmirësuar projektbuxhetin e vitit 2025”, tha Spiropali.

BUXHETI PËR INSTITUCIONET PËR VITIN 2025

Ministria e Shëndetësisë 80,7 mld lekë

Ministria e Infrastrukturës 74 mld lekë

Ministria e Arsimit 62 mld lekë

Ministria e Ekonomisë 56 mld lekë

Ministria e Mbrojtjes 52,6 mld lekë

Ministria e Brendshme 31 mld lekë

Fondi i Zhvillimit Shqiptar 22,5 mld lekë

Institucione të tjera Qeveritare 15,9 mld lekë

Ministria e Bujqësisë 14,6 mld lekë

Ministria e Drejtësisë 14,3 mld lekë

Ministria e Financave 11 mld lekë

Këshilli i Lartë Gjyqësor 5,6 mld lekë

Ministria e Turizmit 3,9 mld lekë

Ministria e Jashtme 3,8 mld lekë

Prokuroria e Përgjithshme 3,3 mld lekë

SHISH 2,7 mld lekë

SPAK 2,1 mld lekë

Kuvendi 1,8 mld lekë

Instituti Statistikës 962,1 mln lekë

Kryeministria 912,9 mln lekë

RTSH 770 mln lekë

Kontrolli Larte i Shtetit 684 mln lekë

Presidenca 643,9 mln lekë

Institucionet e drejtësisë 605,3 mln lekë

Akademia e Shkencës 549,6 mln lekë

Shkolla e Magjistraturës 485,5 mln lekë

Drejtoria e Arkivave 418,2 mln lekë

Partitë Politike 355,8 mln lekë

KQZ 342,1 mln lekë

ILDKPKI 297,6 mln lekë

Gjykata Kushtetuese 250 mln lekë

Këshilli I Lartë I Prokurorisë 211,5 mln lekë

Avokati i Popullit 196,9 mln lekë

Qendra e Kinematografisë 165,8 mln lekë

Komisioneri informimit 161,7 mln lekë

AIDSSH 160,2 mln lekë

Shoqëria Civile 135,6 mln lekë

Autoriteti i Konkurrencës 124,2 mln lekë

KPP 110,8 mln lekë

KMSHC 98,3 mln lekë

ATSH 93,4 mln lekë

KMD 73,8 mln lekë

ISKK 58,8 mln lekë

Këshilli i Kontabilitetit 18,5 mln lekë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura