PS refuzoi amendamentin e opozitës për minimumin jetik, ministrja e Shëndetësisë: S’duam të prodhojmë ciklin e varfërisë! Na intereson që të jenë forcë aktive pune

Dec 4, 2024 | 15:50
SHPËRNDAJE

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave është pyetur nga gazetarët lidhur me rrëzimin nga mazhoranca të amendamentit të opozitës për caktimin e minimumit jetik me 200 euro.

albana kociu (2)

Koçiu tha se amendamenti sipas saj u rrëzua pasi qeverisë i intereson që këta njerëz të integrohen në tregun e punës dhe të jenë forcë aktive.

Sipas ministres, nëse shtresave të varfra dhe në nevojë do u ofrohet vetem mbështetje financare, atëherë do të jenë duke prodhuar ciklin e varfërisë.

“Sot jemi duke mbështetur faktin që te gjithë ata persona që janë të varfër dhe kanë nevoje për punësim, duket të aftësohet për t’u integruar në tregun e punës. Ne na intereson që njerëzit që janë force aktive pune të integrohen dhe të thyejmë ciklin e varfërisë. Nëse në do të vazhdojmë mbështetjen apriori për një familje që është e varfër apo nuk përballon dot kushtet minimale, ne jemi thjeshtë duke prodhuar ciklin e varfërisë. Politikat tona sociale janë të bazuara në fuqizimin e shoqërisë”, tha ajo.

Ndër të tjera, ministrja u shpreh se duhet të matet metodologjia për vlerësimin e minimumit jetik dhe familjeve që kanë nevojë.

“E rrëzuam amendamentin të kërkuar nga opozita pasi në gjykimin tonë nuk është i vlerësuar ashtu siç duhet, pasi duhet të kemi një dakortësi të përbashkët për metodologjinë, pra për mënyrën se si matet minimumi jetik dhe më pas të vlerësojmë se kush është minimumi jetik dhe familjet që kanë nevojë”, tha Koçiu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura