Pse është tronditur sistemi social i jetës seksuale?

Sep 21, 2024 | 8:30
SHPËRNDAJE

NGA GËZIM TUSHI GËZIM TUSHI

Të jemi të vërtetë. Tema seksualitetit, problemet e jetës seksuale në shoqërinë e sotme, për fat të mirë kanë dalë nga “izolimi social” dhe paragjykimet obskurantiste, që vijnë nga “trojet e së ndaluarës” dhe mentalitetet okulte të mbajtjes së kësaj teme në margjinalitet social, duke i bërë më në fund problemet e seksualitetit human, pjesë imponuese e të sferës etike, debatit shoqëror publik dhe ligjërimit mediatik. Kjo nuk është befasi sociale apo sociologjikisht e paparashikuar.

Përkundrazi, ka qenë e pritur, e parashikuar që kalimi në jetën demokratike, do të cenonte, madje do t’i përmbyste shumë paradigma e tabu të jetës së vjetër seksuale, logjika e çalë edukative që ngatërronte kufirin midis të lejuarës dhe së ndaluarës. Por nga ana tjetër, tashmë jemi në një realitet të ri social, etik e kulturor, por që jemi në kohën e duhur të diskutimit publik të çështjeve që lidhen me jetën seksuale dhe ontologjinë e seksualitetit human. Sepse si kurrë më parë tani po përballemi me fenomene e realitetet të reja, të ndërlikuara, kur problemet delikate të jetës intime personale, fenomenologjia e seksualitetit privat është ndërlikuar. Por akoma më shumë duhet parë e vërteta e ndikimit në jetën publike, stabilitetin social dhe nevojën ultimative për krijimin e një sistemi të ri, modern të jetës seksuale, si pjesë me rëndësi e strukturës së përgjithshme të jetës moderne.

Jemi para një realiteti të ri social dhe ndikimeve erruptive e turbulente të zgjerimit të kornizës së “disiplinës seksuale” tejet të liberalizuar. Në këto kushte, liria seksuale pavarësisht se nuk përmendet me këtë sintagmë sociologjike është një parakusht që garanton realitete dhe lidhje seksuale të larmishme, lidhje të cilat kanë dalë nga determinimi i dikurshëm, sipas të cilit vetëm martesa të jep “licencë” për të pasur marrëdhënie seksuale. Ndaj është imperative kërkesa, detyra për një shikim kompleks, të plotë, të integruar të raporteve midis dëshirave dhe kënaqësisë së jetës private seksuale me problemet, shqetësimet sociale që e shoqërojnë atë. Në shoqërinë shqiptare liberalizmi seksual, pornografia, seksualizmi, devijimet seksuale dhe në përgjithësi manipulimi me seksualitetin, janë bërë fenomene që nuk mund të mbahen më të fshehura. Për seksin, këtë “tutkall social ngjitës”, sot si kurrë më parë flitet gjerësisht dhe intensivisht në shoqëri, gati si për një “mall të zakonshëm”, që mund ta sigurosh si çdo mall tjetër falas, duke e blerë, duke e vjedhur.

Në këto kushte duket se shoqëria moderne po përpiqet për të ndërtuar një kod të ri moral, për të rregulluar sjelljen e lirë seksuale, duke shmangur në të njëjtën kohë anarkinë. Nuk janë të lehta problemet e jetës seksuale. Sido që të sillemi, ndodhemi në fushë të vështirë e delikate, përballë konceptimeve dhe realiteteve të reja, që nuk zgjidhen vetiu. Dallga e lirisë seksuale ka mbërritur e fuqishme në “dyert” e shoqërisë sonë, ka marrë përmasa, forma dhe modalitete që lidhen me konceptet e praktikat moderne të drejtës së njeriut për intimitet e privatësi.

“Bota e seksit” tashmë jo vetëm që nuk është “tabu” për shqiptarët, por është bërë pjesë e jetës, e cila ka “lulëzim të paparë”, në të cilin janë të përzierë të gjitha modelet dhe tipologjitë, nga ato që janë vërtetë shprehje e lirisë, deri tek ato që janë bujshëm shfaqje të kaosit, anarkisë dhe “mishmashit” seksual. Tani është fakt që seksualiteti shpeshherë për shumë njerëz është kthyer në raport të rastësishëm. Madje, nga ca të tjerë konsiderohet si pjesë e kënaqësive të thella, ndjenjës së konfrotit të përkohshëm. Në këtë situatë të keqinterpretimit të liberalizimit të seksualitetit, duket një ndarje të ndjenjave nga trupi, tërheqjes fizike nga ajo shpirtërore, të cilat në shumë raste janë krejt paralele që nuk takojnë më njëra-tjetrën. Kjo është arsyeja pse në jetën moderne vazhdimisht është zhvilluar dhe vazhdon akoma më intensiv debati për çështjet e strukturës sociale dhe nevojës së një lloj disipline humane të “lirisë seksuale”, e cila ka qenë historikisht një “fushë beteje”, midis moralistëve dhe puritanëve, nga njëra anë dhe realitetit të ndryshëm e kontradiktor nga ana tjetër. Në këto kushte do ish-paradoksale nëse në emër të asnjë gjëje që nuk ka vlerë, t’i shmanget shoqëria jonë debatit për “lirinë seksuale”, të drejtës së çdo njeriu për të bërë çfarë të dojë me trupin e tij, si thelbi kryesor i lirisë e privatësë. Ajo duhet kuptuar dhe interpretuar drejt, pa ndërlikime politike, shtetërore, pa ambalazhe moralistike e alambikime shkollareske.

Jemi pjesë e shoqërinë globale moderne, në të cilën problemet seksuale kanë marrë një vend të rëndësishëm, ato janë pjesë e shfaqur e jetës së përditshme. Ajo konsiderohet si një nga “tri obsesionet” kryesore të njeriut modern, krahas dëshirës për fitim (para) dhe tendencës për konsum të tepër, si qëllim në vetvete. Ky “trekëndësh i pasioneve” të njeriut: para-konsun-seks, është tashmë realitet sundues i pashmangshëm. Në këto kushte, duhet, është obligative që problemet e seksualitetit në shoqërinë tonë t’i shikojmë me një optikë tjetër, duke e vlerësuar të vërtetën që tani liria e përgjithshme, kapërcimi koracës së ngatërrimit të “jetës seksuale” me metanarativat ideologjike dhe etike konservatore, që njeriun dhe trupin e tij e konsideronte thjesht “forcë prodhuese”, thellimi i individualizmit, krijimi kornizave të reja të modelit të “shoqërisë së qejfit”, zgjerimit të kënaqësive personale, do ta ndryshonin radikalisht ontologjinë dhe deontologjinë e raporteve të njeriut të lirë me “botën e seksit”.

Ideja se njeriu ka sovranitet në ndërtimin e modelit të jetës personale, apo kuptimi i “kushtetutës humane” moderne, sipas të cilës trupi i njeriut është “pronë private”, jo thjesht ingranazh i jetës sociale, i dhanë një spunto të akseleruar ndryshimit të sistemit të vjetër të funksionimit të jetës seksuale, që ishte tërësisht i kontrolluar nga ingranazhet e rënda të politikës, shoqërisë, moralit etj.. Pas viteve ‘90-të, mbase më vonë se të gjitha shoqëritë europiane të kohës, shoqëria shqiptare më në fund dhe me “vonesë faze” e kapërceu “rubikonin” e puritanizmit, monogamisë strikte, kufizimit të seksit si instrument martesor dhe riprodhues, që realizohet vetëm në “dhomat e mbyllura të gjumit”. Por ama është e nevojshme të bëjmë disa reflektime, që kanë të bëjnë me një lloj “pandemie” të seksualitetit kaotik, sepse aktualisht ndodhemi përballë një situate turbulente dhe shfaqjeve evidente të kaotizmit seksual, të jetës intime që nuk është më “botë e izoluar”.

Përkundrazi, duhen vlerësuar me kujdes fenomenet shoqëruese, sepse jeta seksuale shoqërohet me një zhvendosje ontologjike të njeriut nga korniza tradicionale dhe disiplina e sistemit të dikurshëm, të mbyllur moralisht, të determinuar ideologjikisht. Tipare të “reja” të kësaj zhvendosjeje janë përhapja e ekzagjeruar dhe konceptet sempliste e mendjelehta për të drejtën e lirisë seksuale, për seksin e lirë, spontan, të veçuar nga zemra, i ndarë nga emocionet. Dukuri të cilat janë fare evidente, madje deri në nivelin e shfaqjes së njeriut banal, që ka nëpërkëmbur “kodet” e shëndetshme, hijeshinë e sjelljes, gjuhës dhe veprimeve seksuale, duke humbur ndjenjën e “turpit social”, duke u katandisur në një mbetje humane, i “droguar” pas seksit spontan.

Kohët e fundit është e vërtetë që shoqëria filloi t’i shikonte me sy tjetër, me koncepte liberale “botën e frikshme”, ligjërimin e kufizuar të jetës seksuale të trashëguar nga e kaluara. Por krahas progresit, lirisë dhe emancipimit human të jetës seksuale, mesa duket për shkak të nxitimit dhe marramendjes specifike që ka kjo botë dhe efektit social përhapës dhe ngjitës, në shoqëri janë shfaqur shumë andralla e anomali, prishje të etikës, strukturës së lidhjeve e marrëdhënieve seksuale, duke e kthyer atë në një problem të madh, jo vetëm të jetës private, por edhe publike, të shoqëruar edhe me dukuri ekcentrike, mendjelehtësi në raportet dhe plotësimin anormal të “urgjencave seksuale”, anomali në lidhjet paralele martesore e jashtëmartesore, uljen e moshës së fillimit të aktivitetit seksual, shfaqjeve të llojeve të larmishme të prostitucionit të “rrugës”, “zyrtar” apo të “luksit”.

Nuk ka dyshim që nëse e shikon në pamje të parë shoqërinë shqiptare, nuk është e vështirë që të dallosh se në emër të “lirisë seksuale”, që “lindi” dhe po gjallërohet këto vitet e fundit, ajo është e ngatërruar në një “mishmash” relacionesh seksuale. Nuk është konservatorizëm, as puritanizëm, shqetësimi që ka shoqëria dhe njerëzit për këtë situatë plot kontradikta e ambiguitete, që vijnë prej kësaj “lënde djegëse” sociale sikurse janë marrëdhëniet seksuale, qoftë në ligjërimin etik apo dhe veprimet empirike të shfaqjeve kaotike. Në këtë kontekst janë të natyrshme pyetjet: A janë pjesë e lirisë individuale çrregullimet e jetës seksuale? Sa liri ka në shfaqjet banale të “seksit të papërgjegjshëm”? Në këtë sferë delikate të jetës private dhe shfaqjes së intimitetit, duhet intervenim i kujdesshëm etik dhe social, duke ndarë mirë dhe respektuar drejt, atë që është personale, private, intime nga ajo që është pjesë përbërëse e një “sistemi të jetës seksuale”, pa të cilën nuk mund të kemi shoqëri të qytetëruar.

Mbi të gjitha, duhet vlerësuar seriozisht fakti, që jemi në situatën kur kodet e jetës seksuale, nuk rregullohen me hipokrizi morale e slogane etike e ideologjike, të cilat koha i ka nxjerrë “jashtë përdorimit”. Por nga ana tjetër, është shqetësues fenomeni i përdorimit të seksit si “drogë”. Koha ka treguar se është krejt e gabuar e pa perspektivë ideja se shqetësimet, problemet apo deformimet ekzistenciale mund të “kompensohen seksualisht”. E them këtë, sepse më duket se në këtë aspekt është duke u shfaqur dhe zgjeruar sindromi social i seksizmit, si “iluzion” mjaft i përhapur kohët e fundit. Padyshim jetojmë në kohë moderne. Seksualiteti njerëzor nuk është më i ndaluar, i mohuar apo sekret i frikshëm për “shoqërinë e hapur”. Kanë ndryshuar shumë koncepte e raporte të jetës seksuale, si lidhje midis mishit dhe shpirtit të njeriut. Por nuk mund të jemi indiferentë, apo të udhëhiqemi nga sjellja e “strucit social”, për të mos parë e vlerësuar realitetet që vërtiten dukshëm.

Jemi në momente kur kanë shpërthyer, janë bërë shqetësim serioz individual dhe bezdisje sociale, fakti që po ekzagjerohen sjelljet personale, intimitetet shoqërisht të qortueshme, të cilat në një vlerësim serioz sociologjik, të krijojnë idenë se jemi duke ecur me shumë nxitim, drejt një “shoqërie tolerante, pa disiplinë sociale dhe dimension human të seksualitetit”. Personalisht mendoj se gjërat duhet t’i shikojmë me objektivitet. Shthurja seksuale në shoqëri nuk është vetëm problem i thjeshtë fizik, por është njëkohësisht konceptual dhe metafizik. Sepse në sferën etike, sidomos atë të kristalizimit të sistemit modern të jetës seksuale, besoj se shoqëria është akoma në valët e një “tranzicioni moral” të papërfunduar, kur konceptet janë në gjendje latante, duke u përplasur në kontradikta që vijnë nga ballafaqimi modelit të vjetër të konservator, me paradigmat e keqkuptuara apo të interpretuara keq, në mënyrë anarkike të lirisë seksuale”, nga shfaqja e zgjeruar e “njeriut hedonist” këtij tipi social të dhënë tërësisht vetëm pas parasë, konsumit dhe seksit.

Kjo është arsyeja pse në shoqëri po shtohen njerëzit me “pasione të deformuara”, sindromë e shfaqur sidomos tek adoleshentët dhe të rinjtë, që kanë koncepte, përfytyrime të deformuara në vlerësimin e drejtë të lirisë seksuale, duke e ngatërruar atë me shfaqjet e ekzagjeruar të “seksualitetit banal”. Ne po përballemi gjithnjë e më shpesh me njeriun e droguar pas seksit, që vepron i qetë në emër të së drejtës liberale e moderne, të “çlirimit të trupit” nga prangat e “seksit të kontrolluar” dhe kalimit të pafrenuar në hapësirën e “seksit të lirë”, që është bërë tipar i dukshëm i shfaqjes së njeriut “seksualisht devijues”. Kjo është koha kur shoqërisë shqiptare i duhen rregullime të qenësishme, veprime kompakte të institucioneve shtetërore, kulturore dhe edukative për të rregulluar “sistemin e jetës seksuale”, të bazuar mbi atë substancë që ndan seksin human si problem privat nga ndjenja e “turpi social”…

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura