Pse krijimi i një shteti bektashian në stilin e Vatikanit nga Shqipëria është historik dhe një fitore për NATO-n, SHBA-në dhe Perëndimin

Jan 28, 2025 | 13:33
SHPËRNDAJE

fergusonROBERT FERGUSON

Shqipëria ka ndërmarrë një hap historik dhe të paprecedentë në Ballkan duke shpallur nismën për të krijuar një shtet sovran për Urdhrin Bektashi, një tarikat islam sufi thellësisht i rrënjosur në traditat dhe kulturën shqiptare. Kjo vendimmarrje është monumentale jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin e më gjerë dhe aleatët e saj perëndimorë. Ajo demonstron angazhimin e Shqipërisë për pluralizëm, ruajtje të kulturës dhe vlerat që mbështesin aleancën perëndimore, duke konsoliduar pozicionin e saj si një lider, promotor në harmoninë, bashkëjetesën dhe tolerancën fetare për stabilitetin rajonal.

Në SHBA ekziston tradita e interpretimit të legjislacionit bazuar në “frymën e ligjit”. Kjo qasje thekson kuptimin e parimeve dhe qëllimeve më të gjera pas teksteve ligjore. Duke e parë këtë në prizmin e Kushtetutës së Shqipërisë, është e qartë se kjo iniciativë është brenda “frymës” së Kushtetutës.

Kjo nismë, e mbështetur në histori dhe krenari kombëtare, tejkalon kufijtë e Shqipërisë. Ajo trajton sfidat globale të bashkëjetesës fetare, përballjet me narrativat autoritare dhe nxitjen e dialogut ndër fetar. Për NATO-n, SHBA-në dhe Perëndimin e më gjerë, kjo është një fitore që thekson pse Shqipëria mbetet një partner jetik në avancimin e vlerave të përbashkëta dhe ruajtjen e stabilitetit në një rajon gjeopolitikisht të ndjeshëm.

Pse është ky një moment historik

Kjo nismë është historike për disa arsye. Së pari, ajo përfaqëson njohjen zyrtare të Urdhrit Bektashi, një tarikat islam 800 vjeçar, si një entitet fetar sovran të ngjashëm me Vatikanin. Komuniteti Bektashi, i njohur për angazhimin e tij ndaj tolerancës, universalizmit dhe dialogut ndër fetar, ka qenë prej kohësh një gur themeli, taban i peizazhit të veçantë fetar të Shqipërisë. Ndryshe nga shumë vende të tjera me shumicë myslimane, Shqipëria është shtëpi e një harmonie të jashtëzakonshme fetare. Urdhri Bektashi ka luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e kësaj, duke promovuar përfshirjen shpirtërore dhe duke refuzuar interpretimet dogmatike të Islamit.

Themelimi i një shteti në variantin e Vatikanit për Komunitetin Bektashi është një deklaratë domethënëse mbi vlerat e Shqipërisë. Kjo formalizon marrëdhënien midis shtetit dhe urdhrit Bektashi, duke e ngritur atë në një nivel global si një model për mënyrën se si bashkësitë fetare duhet të bashkëjetojnë. Historikisht, një njohje e tillë ka qenë e rrallë për tarikatet, veçanërisht në rajone ku feja ka qenë shpesh një burim nxitjeje për ndarje. Vendimi i Shqipërisë për të krijuar këtë institucion siguron që Komuniteti Bektashi të ruajë traditat e tij, të edukojë gjeneratat e ardhshme dhe të shërbejë si një qendër globale paqeje, vëllazërimi, për dialog dhe mirëkuptim.

Ky është një lloj i iniciativës strategjike të rrallë dhe inovative që kërkohet në botën e sotme, që kërkon shoqëria. Në një kohë kur bota po përballet me sfida të ndryshme dhe komplekse, të menduarit jashtë kornizave tradicionale dhe ndërmarrja e iniciativave të guximshme është thelbësore për përparimin. Vetëm përmes strategjive kreative mund të krijohen zgjidhje efektive që do të na çojnë drejt një të ardhme më të mirë.

Më tej, kjo nismë është historike për implikimet e saj gjeopolitike. Ajo sinjalizon për botën se Shqipëria, si anëtare e NATO-s dhe një aleate e palëkundur e Perëndimit, është një shembull i tolerancës gjithëpërfshirëse në një rajon historikisht të shënuar nga konflikte fetare dhe etnike. Duke krijuar këtë model unik, Shqipëria sfidon narrativat globale që portretizojnë pluralizmin fetar si një burim jo stabiliteti. Përkundrazi, ajo demonstron se si përqafimi i diversitetit mund të forcojë unitetin kombëtar dhe prestigjin ndërkombëtar.

Implikimet strategjike për NATO-n dhe Perëndimin

Nisma e Shqipërisë sjell përfitime të thella strategjike për NATO-n, SHBA-në dhe aleatët perëndimorë. Ballkani ka qenë prej kohësh një rajon i konkurrencës gjeopolitike, me aktorë të jashtëm si Rusia dhe Kina që përpiqen të minojnë ndikimin e NATO-s duke shfrytëzuar ndarjet dhe duke nxitur jo stabilitet. Krijimi i një shteti sovran Bektashian nga Shqipëria kundërshton drejtpërdrejt këto përpjekje duke prezantuar një narrativë të fuqishme harmonie dhe qëndrueshmërie.

Urdhri Bektashi, me theksin e tij tek paqja, dialogu dhe bashkëjetesa, përputhet ngushtësisht me idealet perëndimore. Duke institucionalizuar sovranitetin e Komunitetit Bektashi, Shqipëria forcon angazhimin e saj ndaj vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut, duke rritur besueshmërinë e saj si një anëtare e NATO-s dhe një partnere e Shteteve të Bashkuara. Kjo nismë gjithashtu forcon fuqinë e butë të NATO-s duke treguar se si kombet e lidhura me Perëndimin mund të promovojnë të drejtat e minoriteteve dhe liritë fetare në mënyra që nxisin stabilitetin.

Për më tepër, vendimi forcon rolin e Shqipërisë si një lojtar kyç në luftën kundër ekstremizmit. Urdhri Bektashi, me refuzimin e tij ndaj fundamentalizmit, ofron një kundër-narrativë të fuqishme ndaj ideologjive ekstremiste që kanë destabilizuar pjesë të botës islame. Duke mbështetur Komunitetin Bektashi, Shqipëria pozicionohet si një lider në promovimin e interpretimit të moderuar dhe gjithëpërfshirës të Islamit—një përpjekje që ka implikime të thella për sigurinë globale.

Krijimi i një shteti në stilin e Vatikanit për Komunitetin Bektashi nuk është vetëm një arritje historike; është një model për mënyrën se si kombet mund të navigojnë sfidat e botës moderne duke ruajtur vlerat e përbashkëta dhe duke forcuar partneritetet perëndimore. Shqipëria, duke ndërmarrë këtë hap të guximshëm, po i dërgon botës një mesazh të qartë: përqafimi i diversitetit është një burim force dhe stabiliteti.

Robert Ferguson është një agjent special i Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i specializuar në Departamentin e Mbrojtjes Presidenciale. Ai do të jetë përgjegjës për sigurinë e shtetit të ri sovran.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura