FATOS ÇOÇOLI
Dy vjet më parë, më 22 shtator 2022, euro këmbehej te ne me 116.7 lekë. Sot këmbehet me 99.7 lekë. Leku është forcuar në dy vjet me 17 për qind. Na dëmton apo na ndihmon më shumë forcimi i monedhës sonë kombëtare? Për gjashtë arsye shumë kokëforta, leku i mbiçmuar na ndihmon më shumë.
Së pari, pavarësisht problemeve që ka shkaktuar tek eksportuesit tanë të mallrave, leku i fortë na ndihmoi në kontrollin e inflacionit, duke mos e përcjellë barrën e rritjes së ofertës monetare (me qindra milionë euro më shumë çdo muaj nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja) mbi familjet tona. Në muajin gusht të këtij viti, inflacioni, apo rritja mesatare e çmimeve, arriti në nivelin e ulët 2 për qind, edhe për shkak të monedhës sonë të fortë kombëtare dhe punës së Bankës së Shqipërisë për të kontrolluar rritjen e çmimeve.
Së dyti, leku i fortë ndihmoi në mbajtjen në nivele të ulëta të normës bazë së interesit të parasë, duke mos rritur kostot e financimit për bizneset dhe duke krijuar kushte për shtimin e ndjeshëm të huave bankare për shtëpi e konsum, shtim që po e përjetojmë çdo ditë. Ka më shumë se një vit që huaja në lekë është kontribuuesi kryesor i zgjerimit të kreditimit për sektorin privat. Shqiptarët, si qytetarët e thjeshtë dhe sipërmarrësit, po i besojnë përherë e më shumë monedhës së tyre. Ngushtimi i ndjeshëm i diferencës së normave të interesit për huat në lekë dhe në euro solli zhvendosjen e huave nga euro në lekë. Sot, më shumë se gjysma e kredisë bankare që jepet është në lekë. Në qershor 2024, kredia bankare në lekë përbënte 57 për qind të totalit të kredisë të marrë nga sektori privat, krahasuar me 41 për qind nëntë vite më parë.
Së treti, leku i fortë ndihmoi në uljen e borxhit publik të vendit, duke përmirësuar ekuilibrat makroekonomike të Shqipërisë dhe duke sjellë një ulje të kostove të financimit të projekteve të mëdha publike. Sidomos, raporti i borxhit publik të huaj (borxhit të marrë nga qeveria në euro dhe dollarë jashtë vendit) ndaj prodhimit kombëtar zbriti nga 74 për qind në fund të vitit 2015, në 47 për qind në tremujorin e parë të vitit 2024, nëntë vite më vonë. Kjo nuk përbën arritje të paktë.
Së katërti, leku i fortë ka rritur fuqinë blerëse të 92 për qind të familjeve shqiptare në Shqipëri, që të ardhurat nga paga të anëtarëve të familjes i kanë në lekë, në sektorin privat dhe në shtet. Pagat në dy vitet e fundit si në shtet dhe në privat janë rritur ndjeshëm. Si ato të ulëta, edhe ato mesatare. Me 100 mijë lekë të reja paga sot blen 11 për qind mallra dhe shërbime më shumë, nga sa do të blije si qytetar, po të ishte sot euro e barabartë me 116.7 lekë, sa ishte më 22 shtator 2022.
Së pesti, të gjithë ata 54 mijë qytetarë e qytetare që i kanë marrë huat bankare në euro dhe i kanë të ardhurat në lekë, sot paguajnë 17 për qind më pak këste se dy vjet më parë.
Së gjashti, leku i fortë dhe shtimi i kredisë bankare në lekë i shkon për shtat strategjisë së de-euroizimit të vendit të Bankës së Shqipërisë. Sa më shumë të përdorim në jetën tonë lekun në vend të euros, aq më shumë banka qendrore ka mundësi të na ndihmojë me instrumentin e saj kryesor, normën bazë të interesit të lekut. Banka e Shqipërisë ka arritur ta mbajë lekun të fortë dhe të na ndihmojë përmes ruajtjes së qëndrueshmërisë financiare. Kjo qëndrueshmëri duhet kuptuar si një mjedis ekonomik me çmime të qëndrueshme dhe mjedis financiar të sigurt.
Ky i fundit mundëson qarkullimin e lirë dhe me kosto të ulëta të parasë dhe të huave bankare. Sigurimi i qëndrueshmërisë së çmimeve dhe qëndrueshmërisë financiare janë dy kontribute konkrete dhe të pazëvendësueshme që Banka e Shqipërisë na jep për garantimin e fuqisë blerëse të parave tona dhe për zhvillimin e vendit. Kjo, pse politika monetare e saj dhe stabiliteti i çmimeve na mundësojnë krijimin e kursimeve të nevojshme dhe me kosto të ulëta në ekonomi. Këto kursime, të cilat në shumicën e tyre i depozitojmë në banka, shërbejnë më tej si kapital financiar për kreditimin tonë si individë dhe të ekonomisë përmes dhënies së huave për sipërmarrësit. Nga ana tjetër, mbikëqyrja dhe rregullimi i kujdesshëm i sektorit bankar nga Banka e Shqipërisë kanë krijuar një sistem bankar të shëndetshëm, të besueshëm, efektiv dhe me leverdi për qytetarin dhe vetë bankat private. Ja përse ia vlen që si qytetarë t’i gëzohemi lekut të fortë, ndërkohë që qeveria duhet të përqendrojë forcat e saj në ndihmën dhe programet efektive të buxhetit të shtetit ndaj mbështetjes së eksportuesve, atyre që janë dëmtuar aq shumë nga leku i fortë./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al