Pse po e shohim më pak lekun?

Aug 29, 2024 | 8:07
SHPËRNDAJE

fatoscocoliFATOS ÇOÇOLI

Ngaqë po përdorim shumë më tepër kartat që kemi për të bërë pagesa. Dhe kjo është një gjë e mirë për të gjithë ne. Po paguajmë më shumë pa e parë lekun, pra me kartë. Me kartë debiti apo krediti. Karta e debitit është ajo kartë, nga ku ti merr nga ATM paratë që të janë depozituar në bankë nga rroga jote. Karta e kreditit është kur ke depozituar vetë disa para në llogari dhe me kartën kryen pagesa pa lekë në dorë. Këto pagesa janë shtuar ndjeshëm edhe për këtë vit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në gjashtë muajt e parë janar-qershor 2024, pati gjithsej 8.85 milionë pagesa me kartë në aparatet elektronike POS të shitjes.

Në krahasim me 5.66 milionë pagesa me kartë të periudhës janar-qershor 2023, numri i tyre është rritur me 36 për qind më shumë. Ndërkohë, vlera totale e pagesave me kartë për gjashtë muaj ka arritur në 37 miliardë lekë, me një rritje prej 41% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Duke pasur parasysh se periudha e pikut turistik korrik-gusht shoqërohet me rritje të pagesave me kartë, është e pritshme që vlera e pagesave për gjysmën e dytë të këtij viti të jetë më e lartë. Rritja e numrit të turistëve të huaj në vitet e fundit është ndër faktorët kryesorë që po ndikon në rritjen e shpejtë të pagesave me kartë bankare në Shqipëri. Rritja e kërkesës së tregut për pagesa me kartë po shoqërohet edhe me zgjerimin e numrit dhe bazës së bizneseve që pranojnë pagesa të tilla. Sektori i turizmit i ka dhënë një shtysë të konsiderueshme pozitive këtyre pagesave. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i aparateve POS për pranimin e pagesave me kartë në mesin e këtij viti arriti në 21 mijë e 775, në rritje të mëtejshme me 23 për qind, në krahasim me qershorin e vitit të kaluar. Rritja e pagesave me kartë është një sinjal pozitiv në drejtim të uljes së përdorimit të parasë fizike në ekonomi.

Shqipëria është një vend me shkallë të përdorimit të lartë të parasë letër. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në mesin e vitit 2024, numri i kartave bankare aktive arriti në 1.48 milionë, në rritje krahasuar me një vit më parë. Pagesat me kartë dhe ato “homebanking” (shërbimet bankare elektronike nga shtëpia), gjithnjë e më shumë po bëhen pjesë e përditshmërisë së qytetarëve tanë. Vëllimet e pagesave me kartë debiti apo krediti janë rritur ndjeshëm, sidomos gjatë pesëvjeçarit të fundit 2019- 2023. Aparatet POS, që na lejojnë të blejmë mallra dhe shërbime përmes kartës së debitit apo kreditit bankar, gati janë dyfishuar në dyqane, hotele, bare, restorante, etj. në vetëm katër vitet e fundit. Këta tregues janë dëshmi e rritjes së përdorimit të instrumenteve elektronike nga konsumatorët tanë, gjë që ndikon pozitivisht edhe në formalizimin e ekonomisë.

Zhvillimet pozitive të sistemit “AIPS EURO”, por edhe rritja e konsiderueshme e pagesave elektronike gjatë vitit të fundit dhe në gjysmën e parë të këtij viti, po dëshmojnë dobinë e masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, për të rritur qasjen e qytetarëve në sistemin bankar. Viti 2023 shënoi një shtim të konsiderueshme të popullsisë mbi 18 vjeç që zotëron një llogari bankare, në masën 78 për qind, nga rreth 68 për qind që ishte në vitin 2021. Rritje të fortë kanë pasur edhe llogaritë elektronike në vitin 2023, duke e çuar përfshirjen financiare të popullsisë në nivelin 85 për qind.

Zbatimi i ligjit “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, i cili ka nisur që nga 1 prilli 2024 po kontribuon në përfshirjen akoma dhe më të madhe financiare të popullsisë në Shqipëri, sidomos të pensionistëve tanë, që janë mbi 700 mijë veta, në nivele të ngjashme me ato të Bashkimit Evropian.

Pagesat përmes kartave, por në tërësi, digjitalizimi i pagesave tona, edhe në sajë të nismave dhe strategjisë së bankës sonë qendrore, Bankës së Shqipërisë, është sot në qendër të vëmendjes së opinionit publik për dy arsye. Së pari, na ka ulur nevojën e kthyer shpesh në domosdoshmëri, për të shkuar fizikisht në një bankë tregtare, duke na kursyer kohë dhe radhë. Së dyti, bëjmë transferta bankare në rrugë digjitale, përmes celularit apo kompjuterit të shtëpisë apo punës, shumë më të lira, se sa tarifat përmes sportelit bankar. Dhe vërtet, digjitalizimi i pagesave, në kuptimin praktik, do të thotë të mos jesh i detyruar të shkosh më në një degë banke.

Të paguash detyrimet për shtetin, tatime, taksa, TVSH, sigurime shëndetësore dhe shoqërore, pa shkuar në postë, ose në bankë. Të paguash për shërbimet si energjia elektrike, uji, telefoni, gjoba makine apo tatimore, etj., pa mbajtur radhë në sportelin e bankës, apo të postës. Realisht, të përmirësohet jeta dhe të kursehen ditë të tëra sorollatje dhe humbje kohe gjatë një muajit të vetëm! Mund ta bëjmë këtë, pa na u dashur që të dimë se ku është dega fizike e bankës tregtare, nëse është e hapur apo mbyllur, nëse ka radhë apo jo. Kjo, nga njëra anë, do të thotë se po paguajmë shumë më tepër se më parë, por ama, po paguajmë më pak me para në dorë! Nga ana tjetër, me pagesat elektronike, paguajmë komisione bankare më pak dhe ekonomia jonë formalizohet më shumë. Të gjithë përfitojmë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura