Pse pronat kushtojnë më shumë këtë vit?

Sep 20, 2024 | 8:00
SHPËRNDAJE

NGA FATOS ÇOÇOLI fatoscocoli

Çdo gjashtë muaj, Banka e Shqipërisë kryhen një vrojtim profesional, me titull “Tregu i pasurive të paluajtshme dhe indeksi i çmimit të banesave”. Për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, pyetësori për tregun e pasurive të paluajtshme (https://www.bankofalbania.org/rc/ doc/Vrojtim_mbi_ Ecurine_e_Tregut_te_ Pasurive_te_ Paluajtshme_ ne_Shqiperi_6MI_ 2024_28202.pdf) u hodh në terren nga banka qendrore në muajin maj të vitit 2024. Sipas një përzgjedhjeje të bërë nga INSTAT, në bazë të numrit të të punësuarve dhe vlerës së xhiros vjetore, të intervistuarit u përzgjodhën nga 230 shoqëri ndërtimi dhe agjentë të tregtimit të pasurive të paluajtshme. Këta përfaqësojnë rreth 75-80 për qind të popullatës së përgjithshme.

Pyetësori është plotësuar nga 172 subjekte ose nga 75% e te përzgjedhurve. Ai ka nxjerrë rezultate të rëndësishme. Pronat po kushtojnë më shumë se vjet, madje janë në vlerat më të larta historike në vend. Kuptohet që në këtë shtrenjtim, faktori numër një është turizmi dhe etja e të huajve për të blerë apartamente tek ne. Rreth 27% e banesave të shitura janë të blera nga shtetas jorezidentë. Nga këta, rreth 61% rezultojnë shtetas të vendeve të BE-së. Edhe pse janë shitur më pak prona se në viti 2023, shtrenjtimi nuk ka të ndalur. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti 2024, çmimet e apartamenteve në rang kombëtar u rritën me 16.9%. Vetëm në Tiranë, sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, rezulton se çmimet janë rritur me 23.5%, krahasuar me fundin e 2023-shit. Apartamentet e blera në zonat e shtrenjta të Tiranës kanë sjellë ndikimin më të madh në indeksin e çmimeve të pronave në tërësi cilësohet në vrojtim.

Banka qendrore thekson edhe se ecuria e indeksit të çmimeve të banesave është përcaktuar kryesisht nga çmimet më të rritura në zonat qendrore të kryeqytetit dhe ato në qytetet bregdetare, ndërsa në zonat e tjera çmimi nuk ka paraqitur ndryshime të rëndësishme. Për shkak të çmimeve të kripura të qendrës, shumica e pronave të blera në Tiranë janë në periferi ose jashtë qytetit. Kështu, vetëm 35 për qind e pronave të shitura në janar-korrik 2024 ishin në zonat e preferuara brenda kryeqytetit, ndërsa 43% ishin në periferi dhe 22% ishin ndërtesa janë Tiranës. Ky shtrenjtim pritet të vijojë edhe për vitin 2025, ndonëse jo me këtë ritëm kaq të fortë. Rreth 53 për qind e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar, të shitura nga mbi 100 zyrat e pasurive të patundshme anembanë vendit, janë blerë me hua bankare.

Nga këto, në 65% të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60 për qind të vlerës, sipas Bankës së Shqipërisë. Ky tregues lë pak vend për teoritë konspirative se shumica e apartamenteve dhe pronave vijnë nga paratë e drogës dhe korrupsionit. Vetëm në 7 muajt e këtij viti janar-korrik 2024, qytetarët kanë marrë 31.6 miliardë lekë hua ose 316 milionë euro nga bankat, për blerje banese. Kjo shifër përbën një rekord historik. Ndërkohë një pronë në bregdet po shitet më shpejt se në kryeqytet. Agjentët e shitjeve të pasurive të patundshme kanë raportuar se në Tiranë duhen mesatarisht 9.7 muaj për të shitur një pronë, kurse në zonat bregdetare duhen vetëm 5.9 muaj.

Për të nxitur këtë treg që jep 8 për qind të prodhimit kombëtar të vendit, ia vlen që tatimi i të ardhurave nga shitja e pasurive të paluajtshme, i quajtur ndryshe nga tatimorët “tatimi mbi fitimin kapital të realizuar” në masën 15%, të ulet me pesë herë, si në propozimin e prillit 2024 të një deputeteje të Kuvendit, pra të bëhet 3 për qind. Ky tatim në këtë nivel 15 për qind është provuar se ka disa efekte negative të drejtpërdrejta. Të ardhurat në buxhet janë dukshëm më të ulëta se sa në kohët kur tatimi ka qenë 2 apo 3 për qind. Nga ana tjetër, informaliteti në periudhat kur tatimi është 15 për qind është shumë i lartë.

Mbështetur në të dhënat kombëtare të sektorit të pasurive të patundshme, vëmë re se, në krahasim me vitet kur ky tatim mbahet në nivelin 15%, gjatë periudhave të lehtësirave fiskale, ku norma e tatimit aplikohet jo më shumë se 3%, sektori jo vetëm që njeh rritje dhe zgjerim, shqiptarët jo vetëm që fitojnë më tepër, por edhe buxheti arkëton të ardhura më tepër, në nivelet 35-40 milionë euro. Nga krahasimi i 5 viteve të fundit, shifrat dëshmojnë se në vitet 2020-2022, ku tatimi ka qenë në nivelet 3%, për buxhetin e shtetit janë realizuar mesatarisht 44 milionë euro të ardhura çdo vit nga ky tatim. Ose rreth 60% më tepër, në krahasim me vitin 2019, ku tatimi ka qenë 15%.

Duhet ulur urgjentisht kjo barrë fiskale kaq e lartë, pasi ajo ngadalëson transaksionet, duke ngurtësuar investimet dhe sjell tkurrje në sektor, duke çuar në rënie të tij me 250-300 milionë euro në vit. Po ashtu, tatimi i lartë ndikon negativisht në të ardhurat buxhetore të realizuara, nxit informalitetin, duke prodhuar mënyra nga më të sofistikuarat, për të shmangur tatimin.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura