Pseudopatriotizmi i autokracive

Aug 26, 2024 | 7:30
SHPËRNDAJE

erion-piciri-300x237

DR. ERION PICIRI

Kur media shtetërore italiane do zbardhte pjesët e errëta të qeverisë së një vendi fqinj me Italinë, kryeministri i akuzuar do e konsideronte këtë reportazh si ‘baltosje të pamerituar të qytetarëve dhe atdheut të tij, nga kanalet e ujërave të zeza politike e mediatike të vendit, të disa kolaboracionistëve vendas pa fe e atdhe, që së bashku me disa gazetarë të huaj po kryenin sulm mbi emrin, nderin dhe flamurin e tyre kombëtar’.

Më tej ai do i siguronte bashkëatdhetarët kudo në botë se sa të ishte ai në krye të qeverisë e t’u cënohej emri i tyre kombëtar do e kishin në krah si mbrojtësin më të flaktë. Si qytetar i thjeshtë gëzohesh kur ke një udhëheqës që të do dhe të mbron, të siguron prestigj, dinjitet dhe respekt në atdhe dhe kudo në botë. Veçse gëzimi në kësi rastesh nuk zgjat shumë. Janë iluzione që shuhen nga realiteti, e ku kupton se ta kanë hedhur sërisht, një hedhje që kalon nga gjenerata në gjeneratë, me aktorë të ndryshëm e me të njëjtën narrativë patriotike dhe marifet për nënshtrimin e shoqërive.

Vendi për të cilin po flasim, në raportet vjetore të të Drejtave të Njeriut të Departamentit Amerikan të Shtetit konsiderohet si vend me ‘korrupsion në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, ku ushtrohet presioni politik, frikësimi dhe korruptimi i gjyqësorit, me mungesë të një media të pavarur’. Në të njëjtën formë përshkruhet dhe nga të tjera organizata me reputacion ndërkombëtar. Titullarët e kësaj administrate arrestohen dhe dënohen periodikisht për abuzim me pushtetin dhe lideri i tyre shfajësohet se abuzimet janë kryer për hesap personal dhe është e vështirë të na mbrojë nga këta antarë të ekipit të tij, se janë të fshehtë dhe të pazbulueshëm kur janë në aksion. Pyetja që lind në këtë kontekst është se si të mbrohemi si shoqëri nga abuzimet dhe çnderimet e qeverive ‘patriotike’? Njohja dhe distancimi nga pseudopatriotizmi i autokracive është imperativ për shoqëri të lirë, gjykim racional të lidershipit dhe skenë politike demokratike, ku zëri dhe interesat e gjithkujt të kenë mundësi promovimi. Meriton të hedhim dritë mbi polimorfizmin e pseudopatriotizmit ku shoqëritë bien viktima gjithnjë e më shpesh.

NARRATIVA PATRIOTIKE E PËRVETËSIMIT TË SIMBOLIKËS KOMBËTARE

Duket mëse normale që njerëzit, përfshi edhe pushtetarët t’u referohen simboleve dhe realizimeve kombëtare për të nxitur ndjenjën e përkatësisë dhe motivimit për arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Pjesa e dëmshme e narrativës patriotike fillon kur kreditet merren në mënyrë ekskluzive, përjashtuese dhe në vend të unitetit nxitet përçarja dhe denigrimi i të tjerëve. Kështu kanë vepruar shumë syresh të cilët i kanë marrë në qafë popujt e tyre. Pothuajse të gjithë autokratët nga Mussolini, Hoxha, Milošević-i, Chávez-i e të tjerë, rrotull e midis nesh, e kanë nisur rrugëtimin e tyre duke u asociuar me lëvizjet e hershme kombëtare për çlirim, rilindje a pavarësi, duke pushtuar terrenin e shenjtë të arritjeve kombëtare dhe me legjitimitetin e përvetësuar kanë vijuar sundimin mbi shoqëritë.

Ka një ndjeshmëri të njeriut ndaj simboleve kombëtare sepse aty shikon luftërat, heronjtë, sakrificat e brezave të tërë, arritjet, vetë ekzistencën e kombit të tij. Për mbartjen e kësaj simbolike autokratët dhe partitë e tyre përvetësojnë flamurin dhe figurat, bëhen përfaqësuesit e zëshëm të ngjarjeve historike, i veshin ngjyrën kombëtare çdo manifestimi të regjimit të tyre. Flamuri, nga simboli i unitetit kthehet në dorë të autokratëve në simbol të manipulimit kombëtar. Që këtej çdo veprim përligjet, çdo kritikë ndaj regjimit merret automatikisht si kritikë ndaj atdheut dhe kështu njerëzit që nuk e pranojnë atë realitet, shpallen dashakeqës apo armiq të vendit. Ne e njohim mirë këtë retorikë nga komunizmi e këtej dhe e kemi paguar shtrenjtë përçarjen sociale dhe dominimin politik që ka prodhuar kjo narrativë. Kësaj shkolle të manipulimit të masave nuk i kanë munguar kurrë profetët e rremë dhe ithtarët naivë e kjo do ta shoqërojë gjatë atë pjesë të kësaj bote që nuk do ndahet prej tyre.

Kur shikon që pushteti vesh fanellën e kombëtares e nga ky piedestal mbrohet dhe legjitimohet, ndan titujt e patriotizmit, diferencon qytetarët në atdhetarë dhe tradhtarë e i hap luftë botës, kupton se qeveria ka zaptuar një territor që nuk i përket dhe po luan një lojë të pandershme, të pasinqertë dhe me pasoja në jetën shoqërore. Atdheu dhe qeveria nuk janë e njëjta gjë – atdheu i përket së tërës dhe të përjetshmes, qeveritë të pjesshmes dhe të përkohshmes dhe asnjëherë nuk duhen mbivendosur. Mbrojtja patriotike e paudhësive është një rrëshqitje e rrezikshme drejt regjimeve antidemokratike, ku merret peng shoqëria dhe çfaktorizohet njeriu në hapësirën publike.

Pseudopatriotizmi shfaqet si spekulim me retorikën patriotike dhe simbolikën kombëtare, përkundrejt një degradimi të sjelljeve, vlerave dhe standardeve të shoqërisë. Në këtë kategori spikasin prijësit autoritarë. Regjimet autokratike kanë një profil të përbashkët: pushtet të përqendruar në dorë të një njeriu dhe klanit të tij, mungesë totale apo të pjesshme lirie, prijës që pozojnë si patriotë të flaktë e zëdhënës ekskluzivë të interesit kombëtar, në beteja të vazhdueshme ndaj tradhtarëve imagjinarë dhe aleancave të errëta globale.

Historia na ka dëshmuar se kudo ku është centralizuar pushteti dhe përvetësuar simbolika kombëtare, vuajtja e individit dhe rrënimi i vendeve ka qenë i pashmangshëm. Personalizimi i atdheut, shtetit dhe flamurit nga prijësi e klani i tij, pamundëson vlerësimin racional pa implikime emocionale mbi arritjet dhe drejtimin e një vendi. Kur udhëheqësi flet për ideale të larta, për luftra globale dhe armiq ndërkombëtarë të popullit të tij, a mund t’i kërkohet llogari për probleme të së përditshmes? Çështjet vërtiten në atë mënyrë sa jeta e njeriut shpërfillet përpara çështjeve të mëdha shtetërore që serviren. Përpos të tjerave patriotizmi përdoret si alibi për të fshehur qëllimet e vërteta, për dominim të jetës publike.

NARRATIVA PATRIOTIKE PËR FSHEHJE TË SYNIMEVE NËNSHTRUESE TË SHOQËRISË

Në 15 mars 2018, me rastin e 170 vjetorit të fillimit të revolucionit hungarez kundër Perandorisë Habsburge e në prag të mandatit tretë qeveritar Victor Orban do shënjestronte armiqtë e rinj, ata qindra mijë refugjatë të luftës nga Lindja e Mesme, që halli i kishte çuar në portat e Hungarisë, e që prijësi i krahasonte me pushtimet otomane, habsburge dhe sovjetike. Disa forca të huaja thoshte ai, duan të na e marrin vendin dhe t’ua japin të huajve e ky sulm po favorizohet edhe nga forca të brendshme. Në shumë fjalime të ngjashme retorika vërtitet rreth rrezikut, pasigurisë dhe shpëtimtarit që ngrihet në nivelin e heronjve të historisë dhe ka në dorë mbrojtjen e Hungarisë kristiane. Në të njëjtin stil shfaqet edhe presidenti turk Erdogan. Në mars 2019, në një ditë historike, të 104 vjetorit të fillimit të Betejës së Gallipoli-t (Çanakkale) ai do mbante një fjalim patriotik mbi interesat e cënuara kombëtare nga fqinjët, fuqitë e huaja që e instrumentojnë terrorizmin të minojnë Turqinë. Ai u kujtonte turqve se ashtu si afro një shekull më parë, Turqia po provokohej me sulmet në kufirin e saj sirian dhe irakian, me cënimin e të drejtave të saj në Qipro, në Mesdheun Lindor, me izolimin në tokën e tyre në Detin Egje dhe ndalimin për të dalë në këtë det, me qindra sulmet e xhamive, shoqatave dhe qytetarëve në Europë, në përpjekjet për grushte shteti dhe aleanca të errëta, me sulmet ndaj ekonomisë që cënojnë punën, bukën dhe ushqimin e popullit turk. Fjalime të tilla gjen tek një sërë autokratësh bashkëkohorë si Putin, Vučić apo ndonjë këtej rrotull nesh.

Përdorimi i ndjenjës kombëtare, i ksenofobisë, i të huajit që bashkëpunon me armiqtë vendas e që vë në rrezik të ardhmen e popullit, funksionon si magnet dhe ky tip prijësi është i talentuar për t’a përdorur me mjeshtëri në funksion të ndryshimit të qëndrimeve, shtimit të mbështetjes dhe akumulimit të pushtetit. Ted Brader në librin e tij Campaign for Hearts and Minds, e vëren në mënyrë eksperimentale atë që ‘frikësuesit e mëdhenj’ (si i quan Roderick Kramer) e kanë kuptuar në mënyrë empirike, nga përvojat e influencimit në masë. Brader vëren se fushatat negative me iluzione frike rrisin rëndësinë e votimit, interesin dhe rikujtimin e historive, dyfishojnë dëshirën për të votuar për përcjellësin e mesazhit, hapin dyert e ndryshimit të qëndrimeve duke influencuar orientimin e votës. Frika kërkon shpëtimtarin dhe në këtë skenar të thurur me mjeshtëri kush më mirë se lideri ‘patriot’ mund ta bëjë këtë punë. Ky është momenti kur kombet veprojnë në krizë, në emergjencë, kur njerëzit humbasin kontrollin mbi vendin dhe kur përqëndrimi i pushtetit në një ‘dorë të fortë’ konsiderohet një veprim logjik dhe i pranuar në masë. Veçse kjo retorikë nuk është e sinqertë, fsheh atë që prijësit realisht projektojnë. Me ardhjen e Orban-it dhe Fidesz-it në pushtet, Hungaria kaloi nga rangu i një vendi të lirë, në atë pjesërisht të lirë, ndërsa Turqia nga një vend pjesërisht i lirë para ardhjes së Erdogan-it, sot konsiderohet një vend jo i lirë (sipas Freedom House). Në të dy vendet u centralizua pushteti dhe u shtua dominimi mbi institucionet e pavarura. Autokracia u shoqërua me shtimin e korrupsionit. Hungaria renditet sot si vendi më i korruptiar i BE-së për korrupsionin, ndërsa Turqia ka përkeqësim të nivelit me 50 vende në hierarkinë globale, nga më të korruptuarat e kontinentit krahas Rusisë (sipas të dhënave të Transparency International). Atëherë ku qëndron patriotizmi i këtyre prijësve? Punojnë për atdheun apo për diçka tjetër?

Politologu James Scott do evidentonte se ushtruesit e pushtetit kanë dy narrativa – një publike dhe një private, një të shprehur dhe një të fshehur. Duke analizuar në këtë prizëm retorikën patriotike të autokratëve shikon se ata hiqen si shpëtimtarë të kombit, por duke ndjekur gjurmët e aktivitetit të tyre del narrativa e fshehur, qëllimi i padukshëm për publikun që konsiston në qasjet antidemokratike, kufizimin e lirive dhe ndërtimin e grupimeve korruptive dhe kleptokratike. Ky dualitet ua lehtëson dominimin duke u krijuar alibinë për puritet ndërkohë që patologjia përhapet në të gjithë shtetin. E vështirë të pranohesh si patriot me këto rekorde politike. Kur cënon lirinë, mundësitë, dhe harmoninë e ke minuar zhvillimin e kombit tënd. Një tjetër dëm i madh për një shoqëri është përçarja mes vetes dhe ndarja me botën e qytetëruar. Popujt e vetmuar janë më të lehtë për t’u sunduar, ndaj të eturit për pushtet i tërheqin ata drejt një rruge armiqësish ku bashkëpunimi me të tjerët bëhet i pamundur. Përçarja duhet kuptuar si tipar i antipatriotizmit dhe duhet refuzuar. Kjo farë nuk duhet lënë të lëshojë fryte dhe të helmojë klimën e bashkëjetesës politike e sociale të popujve.

NARRATIVA PATRIOTIKE ANTIDEMOKRATIKE E DEFAKTORIZIMIT TË OPOZITAVE

Ëndrra e çdo autokrati është të jetë zëri ekskluziv i popullit, të forcojë dhe ndëshkojë në emër të tij, të transformojë sipas dëshirës, të jetë i vetëm dhe i pashqetësuar në vendimmarrjet e pushtetit dhe në fund t’i bëjë të gjithë të heshtin. Ata nuk ndalen në një përfaqësim të përkohshëm dhe administrim të qeverisjes së vendit, por synojnë kapjen dhe nënshtrimin e të gjitha pushteteve, pa kufizim në kohë dhe për t’i dhënë vendit fizionominë e tyre. Për këtë duhen eleminuar apo zhbërë disidencat politike.

Të gjithë autokratët ballkanikë dhe të Europës Lindore, sikurse u pa më sipër, akuzojnë opozitat për tradhëti, bashkëpunim me të huajt kundër vendit të tyre. Kjo nuk është demokratike dhe nuk është atdhedashëse. Opozitat mund të kenë mangësitë e tyre, por nga çekuilibrimi i sistemit politik humbet pesha e individit, mungon mbrojtja për çdo qytetar të vendit. Diferencat dhe kriticizmi kanë ndërtuar kombet e suksesshme të botës moderne. Loja me një besnikëri folklorike me atdheun, që nënkupton regjimin, është dredhia e prijësve, që e kombinuar me naivitetin i ndjekësve mban në pushtet autokracitë. Duket se për fatin e keq të disa vendeve kjo ka funksionuar. Rusia e Bashkuar e Putin-it ka sot 72% të parlamentarëve dhe 92% të guvernatorëve. Fidesz-i i Orbanit ka sot në mandatin e katërt, 67% të parlamentarëve. Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit Erdogan ka prej afro dy dekadash, rreth 60% të përfaqësimit politik në nivel qendror dhe lokal duke reduktuar ndjeshëm peshën politike të opozitës. Në Serbi, Partia Progresive e presidentit Vučic ka kontrollin e parlamentit dhe pothuajse të gjithë pushtetit lokal. Tek të gjitha këto vende ka zënë vend narrativa e rrejshme e pushtetit patriotik dhe opozitave tradhtare që rrezikojnë popujt e tyre dhe bëhen pengesë për zhvillim. Kështu prijësit forcohen, opozitat demonizohen, ndahen dhe zvogëlohen, vendet dobësohen, individët çfaktorizohen. Ky është terreni pjellor ku hedhin shtat diktaturat. Pushteti në demokraci duhet të kritikohet, sfidohet dhe ndryshohet. Shenjtërimi i autokracisë dhe njëhsimi i saj me atdheun është pararendëse e robërisë.

Përpos kësaj bota njeh edhe një tjetër narrativë patriotike, që përdoret për të forcuar kohezionin social. Barack Obama ishte një mjeshtër i evokimeve të ngjarjeve dhe figurave historike, që e ndërtonte narrativën duke evidentuar edhe patriotizmin e të tjerëve. ‘Të gjithë kandidatët në këtë garë’, do thoshte ai në një takim elektoral në New Hampshire në 2008, ‘kanë qëllime dhe ide të mira, janë patriotë që i shërbejnë këtij vendi me nder, por arsyeja se pse fushata jonë është ndryshe qëndron në atë se çfarë ju, njerëzit që e duan këtë vend, mund të bëni për ta ndryshuar atë’. Sa larg qëndron kjo narrativë harmonizuese me kundërshtarët, ndaj narrativave polarizuese, ndarëse dhe përfituese të autokratëve arrivistë e spekulantë të anëve tona, që u heqin vendeve mundësinë për të pasur një alternativë. Ky diabolizëm është më i rëndë se paaftësia për të ndërtuar një vend lirish dhe mundësish për të gjithë. Kur nuk di të ndërtosh sisteme demokratike është gjysma e së keqes, kur shkatërron edhe atë pak demokraci të trashëguar është mungesë dashurie ndaj vendit tënd. Kushdo që përdor simbolikën kombëtare për të fituar avantazhe ndaj konkurentëve politikë apo përdor prekjen emocionale të ndjenjës nacionale për t’i ikur gjykimit racional të ushtrimit të pushtetit është një impostor politik që duhet larguar nga pushteti.

* * *
Pseudopatriotizmi ka një karakter sipërfaqësor, demagogjik dhe populist që përdor ndjeshmëritë e njerëzve, por nuk shquhet për arritje të krahasueshme dhe të qenësishme që rigjallërojnë krenarinë kombëtare, pretendon, por nuk i mbron realisht interesat e vendit, vjel kredite nga asocimi me sukseset kombëtare, por frenon progresin real të tij. T’i ikim këtij modeli të pandershëm politik për të çliruar veten dhe shoqërinë. Me manipulim emocional, frikë dhe populizëm mund të merren zgjedhjet, por është rrënuese të qeveriset vendi. Lideri i patriotizmit të vërtetë nuk traumatizon, por qetëson, nuk ngjall ankth, por besim dhe shpresë, nuk ndan por bashkon. Kështu edhe ndjekësit e mirë. Heshtja apo glorifikimi i autokracisë është patriotizëm i rremë. Fshehja e dështimit është mënyra më e mirë për dështime të përsëritura, një pseudopatriotizëm që dëmton zhvillimin kombëtar. Ata që ua propagandojnë dhe shumëfishojnë arritjet e rreme janë bashkëfajtorë në manipulimin e kombit të tyre. Në fakt, thënia e së vërtetës, diagnostikimi i drejtë i realitetit, lufta ndaj sundimit janë tipare të patriotizmit të vërtetë./ Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura