AFRIM DANGËLLIA
Psikoboomi’ i viteve ‘70- ‘80 të shek. XX në botën e qytetëruar, gradualisht ka gjetur përhapje dhe në shoqërinë shqiptare. Një mori librash, revistash, seminaresh apo programe televizive po pasqyrojnë problemet e shëndetit mendor gjithnjë në rritje edhe në vendin tonë. Kongreset e psikiatrisë si ai i San Franciskos, ashtu edhe ai Berlinit që mbahet çdo vit, kanë vënë në pah në disa kumtesa tendencën sot në shoqërinë botërore të “Psikiatrizimit të shoqërisë”.
Në periudhën e globalizmit, njeriu i kudondodhur po përjeton streset e jetës së përditshme dhe pyetja që shtrohet sot është: Sa do të jemi ne në gjendje me mekanizmat tona të mbrojtjes (sipas psikoanalizës) të ballafaqohemi me situatat stresante që na paraqiten në jetën tonë? E kam shprehur dhe në shkrime të mëparshme se fatmirësisht ne shqiptarët si popull, kemi një gjenetikë të shëndoshë, e cila nuk ka shfaqur historikisht probleme preokupante me shëndetin mendor me gjithë kalvaret e kohëve të shkuara. Kjo i dedikohet krahas gjenit të shqiptarëve, por edhe lidhjeve të forta brenda familjes apo shoqërisë. Deri tani familja shqiptare po reziston, por deri kur?! Është një mrekulli që shqiptarët ndihmojnë shqiptarët. Kjo qoftë brenda vendit, ashtu edhe në emigracion apo gjetiu. Ajo që i mrekullon të huajt që takoj është fakti se si ne shqiptarët ruajmë traditat e lidhjeve tona për njëri-tjetrin. I ndodhur në Gjermani pak kohë më parë në një ceremoni martesore, krushqit gjermanë u befasuan nga folklori ynë i valleve dasmore dhe komunikimi i ngushtë ndërmjet nesh. T’i rruajmë këto norma se kanë një ndikim të fuqishëm në ecurinë e shëndetit mendor. Ajo ku çalojmë në krahasim me të huajt, gjë që ma kanë vënë në dukje dashamirësit që kanë vizituar vendin tonë, është se na mungon ajo që cilësohet si “Psikologjia e grupit”. Ç’je ti e ç’jam unë? Deviza e famshme që e dëgjojmë dhe sot e kësaj dite. Duke filluar nga stafet tona të punës nëpër klinika apo spitale, e deri te parlamenti ynë.
Përse duhet sharë me njëri-tjetrin me libër shtëpie etj., etj.. Duhet të pasqyrojmë kulturën e prindërve tanë. Së pari, jemi një shoqëri e dalë nga vuajtja e gjatë për gjysmë shekulli dhe duhet respektuar vuajtja si për të kaluarën, ashtu edhe sot për ata që vuajnë. Ajo që më sjell krenari si profesionist është ballafaqimi popullit tim me një “ideologji patologjike”, e cila dështoi pas 50 vjetësh. Analistët perëndimorë të asaj kohe nxorën konkluzion se ideologjia komuniste dështoi, se ajo u ngrit kundër dëshirave dhe instinkteve të njeriut. A u sëmurën shqiptarët mendërisht gjatë asaj epoke? Po natyrisht, por frekuencat psikiatrike ishin më të pakta në atë kohë, por më të vështira në trajtim. Kjo qoftë për ndikimin negativ të luftës së klasave, ashtu edhe për shkak të preparateve të vjetra të asaj kohe për mjekim. Sot në globalizëm kemi një rritje të frekuencave psikiatrike, por mundësitë janë më të mëdha për t’i kuruar apo dhe për t’i dhënë zgjidhje edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Jam ndeshur fort dhe me kolegët e mi psikiatër në vitet e demokracisë për këtë çështje, të cilët kanë qenë konservator dhe narcisist. Fatmirësisht kam gjetur gjuhën me drejtorë të QSUT, pavarësisht bindjeve politike, si e si për të ndihmuar pacientët në nevojë. Por mirë, por si qëndron puna me vetëvrasjet frekuente në krahasim me sistemin e kaluar? A janë ato pjesë e sëmundjeve mendore të popullit tim?! Jemi më mirë se Serbia apo Greqia në këtë çështje dhe në shek. XXI. Duhen diferencuar vetëvrasjet për shkak të rrethanave ekonomike, apo mos realizimit të dëshirave të njeriut, të cilat nuk janë pasoja të sëmundjeve mendore. Prof.dr. D.Bhugra, një indiano-britanik, president i Kolegjit Mbretëror të Psikiatrisë Britanike, e shpreh mjaft mirë në një artikull që më dërgon se “All psychiatry is social”. Që do të thotë, se psikiatria është një disiplinë e mjekësisë që ndërthuret fort me proceset sociale, sidomos sot kur kemi disbalanca ekonomike në shoqëri. “Nature v. nurture”, ambienti ku jetojmë kundrejt gjenetikës sonë. Kjo dikotomi e vë në pikëpyetje dhe sot e kësaj dite diskutimin neuro-shkencor, se vallë është gjenetika jonë përgjegjëse për problemet e mendjes, apo është ndikimi ambientit që na rrethon ku je rritur dhe si je edukuar. Sistemi i kaluar totalitar e vinte theksin tek ambienti si shkaktar i çrregullimeve mendore në kapitalizëm dhe anashkalonte gjenetikën. Mendoj se që të dyja kanë rëndësinë e vet.
Studiuesit perëndimorë me të drejtë i japin rëndësi parësore gjenetikës. A jemi në sot në gjendje, shtrohet pyetja, të modifikojmë gjenet tona, që t’u bëjmë ballë streseve në rritje për të bërë prevenimin e sëmundjeve mendore?! Vështirë se mund të jepet një përgjigje që t’i kënaqë të gjithë neuroshkencëtarët apo publikun e mirinformuar sot nga masmediat. Ne mund të marrim masat që të jemi të kujdesshëm, atë që po bën sot bota e qytetëruar, që t’i paraprijmë shpërthimit të ndonjë psikoze apo depresioni. Vëmendja duhet kthyer nga njerëzit që kanë një predispozitë gjenetike dhe këtu nuk ka përse të stigmatizohemi. Kjo do të shërbejë si një sinjal paralajmërim për t’u këshilluar me mjekë të gjenetikës, psikologët dhe psikiatrit. Konsultimet me mjekët psikiatër, të cilët sot në botë i cilësojnë si “Intermediator par excellence” duhet të jenë ashtu sikurse tek mjekët patologë. Duam apo s’duam ne, sëmundja mendore do të shfaqet.
Ne duhet ta pranojmë gjenetikën tonë, e shprehur kjo sipas studiuesve të etikës në mjekësi dhe këtu s’ka asgjë për t’u pezmatuar. Asistojmë një rritje të konsiderueshme të vizitave psikologjike-psikiatrike dhe armata e mjekëve duket sikur nuk po i bën dot ballë! Kemi një numër të vogël të mjekëve psikiatër në krahasim me vendet që na rrethojnë për frymë popullsie. Sllovenia, një vend pranë nesh me 2 milionë banorë, ka një mjek psikiatër për 10.000 banorë. Ne jemi akoma larg këtij raporti. Tri janë prioritet në shoqërinë shqiptare që i duhet kushtuar vëmendje maksimale që të jemi aty ku kërkohet sot nga OBSH me shëndetin mendor: “Mbarëvajtja e shëndetit mendor dhe fizik te gratë shtatzëna, shqetësimeve tek adoleshentët dhe atyre te të moshuarit”. I ftuar nga shoqata e Psikiatrisë Daneze në vitin 1995, kolegët atje mu shprehën se vendit tuaj të vogël i duhet një plan marshall për zhvillimin. Danimarka është lider botëror në shërbimin e psikiatrisë sociale. Një qytetar danez ka akses kundrejt shërbimit psikiatrik në çdo moshë dhe me një mbështetje mjaft të mirë financiare, qoftë përsa i takon mjekimit apo dhe mbështetjes sociale. “Nëse nuk je në gjendje të punosh për shkak të invalidizimit, përfito mbështetjen financiare që t’i mbulon të gjitha shqetësimet e përditshme”.
Vallë do ia arrijmë këtij niveli? Mendoj se i kemi mundësitë, nëse përmirësojmë të ardhurat dhe shkurtojmë shpenzimet e kota. Shteti çek psh., bën një shpërndarje adekuate të financave përsa i takon shëndetit mendor. Duhet të shërbejë si shembull për ne të Europës Lindore. Por le t’i kthehemi dhe një herë problemit, se vallë a do të shkojë shoqëria sot drejt një rritjeje në mbizotërimin e patologjive që prekin njeriun në kohët e globalizmit? Sa të përgatitur jemi ne të ballafaqohemi me patologji të kësaj natyre gjithnjë në rritje dhe sidomos mbas Covid-19?! Mendohet se do vijë një tjetër valë Covid. Është për t’u evidentuar vitet e fundit, një interesim në rritje i brezit të ri të mjekëve për t’iu bashkuar armatës së mjekëve të përkushtuar të shëndetit mendor. Është detyra jonë t’i mbështesim dhe t’i promovojmë për të ecur përpara dhe jo të krijojnë përshtypjen se këtu në vëndin tonë nuk gjejnë mbështetje! Tri hallkat e zinxhirit do të jenë: mjeku familjes me njohuri të mira rreth shëndetit mendor, specialisti ambulator dhe shërbimi terciar spitalor.
Ajo që na shqetëson neve, mjekëve të brezit tim, është fakti se prej vitesh nuk realizohet një marrëdhënie adekuate ndërmjet shërbimit parësor, sekondar dhe atij spitalor terciar. Do të ishte me mjaft rezultat rotacioni i mjekëve specialistë ambulatorë në klinikat universitare apo spitalet për disa muaj, ashtu sikundër ndodhte në sistemin që lamë pas. Problemet e stresit janë të prekshme që nga mjeku i familjes e deri te specialistët e të gjithë mjekësisë. Një hallkë tepër e rëndësishme është dhe kooperimi i mjekut psikiatër-psikolog me mjekët internistë për të prevenuar sa më shpejt patologjitë “coomorbiditete” e dyfishta apo të trefishta që prekin njerëzit sot. Do të ishte me vend specializimi mjekëve psikiatër në atë që e quajnë si “Psikiatria liaison” dmth., psikiatria e konsultave që realizohet në spitalet e patologjisë apo kirurgjisë. Nëse do shikojmë evidencat tona mjekësore në dekadat e fundit, do të vëmë re se ka një rritje enorme të konsultave psikiatrike në spitalet e përgjithshme. Kjo ka të bëjë me atë që neuroshkencëtarët e cilësojnë si një “Somatizim galopant i çrregullimeve mendore”.
Faktorët e këtij fenomeni janë të shumtë dhe disi të paqarta deri më sot. Është ndërthurja e ndryshimeve të reagimit të geneve tona ndaj ambientit toksik në shfaqjen e një çrregullimi mendor, apo ndryshimi i shpejtë stresant i shoqërisë? Po mirë, si është e mundur që në kampet e diktaturës që lamë pas nuk ishin këto shfaqje të rënda të çrregullimeve mendore, mos vallë ishte reagimi i fuqishëm i shqiptarëve kundrejt së keqes?! Nga literatura psikiatrike kryesisht gjermane, mësojmë se frekuencat psikiatrike në ish-DDR ishin më të larta se në vendin tonë në kohën e një izolimi tek ne të tejskajshëm. Kam marrë pjesë në komisione mjekësore me mjekë të tjerë patologë apo pneumologë në vitet ‘70 të shek. të kaluar, në kampet e diktaturës dhe për krenarinë time, shqiptarët që konsultuam në ato skëtera, ndiheshin mjaft të fortë. Këtë forcë të popullit tim, jam përpjekur ta demonstroj në disa kongrese apo seminare ndërkombëtare të psikologjisë apo psikiatrisë, si në Europë, ashtu edhe në USA.
Pyetjet që më drejtoheshin nga personalitete të njohur të psikiatrisë botërore në lidhje me zhvillimet tona të shkencës mjekësore, më jepnin impulse për të ecur përpara. Mendoj, se ia kam arritur qëllimit për të përfaqësuar vatanin. Kjo është dhe kënaqësia e një profesionisti.
* Psikiatër
Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al