Tre të rinj ishin viktimë e një shpërthimit të fortë në një magazinë të jashtëligjshme fishekzjarrësh në Itali. Ngjarja e rëndë, që i mori jetën një 18-vjeçari shqiptar, Samuel Tafçiu dhe dy motrave binjake, Sara dhe Aurora Esposito, 26 vjeç, ndodhi pak ditë më parë në zonën e Napolit.
Të rinjtë që humbën jetë, ishin edhe prindër të dy fëmijëve. Tragjike ishte fakti që të rinjtë punonin në atë magazinë për vetëm 20 euro në ditë, në mënyrë të paligjshme dhe të pa siguruar.
Siç shkruajnë mediat italiane, pronari i magazinës ia ka regjistruar pronën vajzës së tij 13-vjeçare. Ai u akuzua për vrasje të shumëfishtë, fatkeqësi nga pakujdesia dhe posedim të paligjshëm të lëndës shpërthyese.
Prindër shumë të rinj
Samueli jetonte në Ponticelli dhe pavarësisht moshës së tij të re, tashmë ishte baba i një vajze 4 muajshe dhe kërkonte një mënyrë për të ecur përpara pasi kishte punuar tre muaj si punëtor magazine, por pa u paguar. Ai kishte mbërritur në Herculaneum përmes një shoku dhe kishte filluar punë në magazinën e fishekzjarreve.
Samueli jetonte bashkë me partneren e tij në shtëpinë e vjehrrës së tij. Siç ka dëshmuar kjo e fundit për mediat italiane, ai kishte tre muaj që kishte punuar në një magazinë tjetër, po nuk ishte paguar.
“Kush i thotë mbesës sime që nuk ka më baba. Në moshën 18-vjeçare nuk mund ta humbësh jetën kështu”, tha mes lotësh Anna Campagna, vjehrra e 18-vjeçarit.
Ndër të tjera ajo është shprehur se Samueli e kishte gjetur punën mes miqve dhe donte të mbante familjen e tij.
“Brenda ishin dhëndri dhe dy vajzat. Na thirrën në orën 13 dhe gjithçka ishte në rregull. Në orën 15 na njoftuan se fabrika e vogël kishte shpërthyer. Dhëndri im la pas gruan 17-vjeçare dhe një fëmijë katër muajsh. Ai donte të mbante familjen, këtë punë e kishte gjetur përmes miqve. Samueli kishte tre muaj që punonte në magazinë, por nuk kishte marrë rrogë. Ai, vajza ime dhe vajza e vogël jetojnë me mua. Unë kam 4 fëmijë të tjerë, çfarë mund të bëj? Unë blej qumësht dhe pelena për fëmijën”, thotë ajo.
Ndërsa dy vajzat binjake ishin banore në Marigliano, të rritura pa baba që u nda nga jeta shumë herët. Aurora ishte nënë e një vajze pesëvjeçare, ndërsa Sara kishte dashuri të pakufishme për atë vajzë të vogël.
Binjaket e pandashme, Sara dhe Aurora ishin gjithmonë bashkë. Në një postim që daton në vitin 2022, Sara i uron ditëlindjen binjakes së saj në 24-vjetorin e tyre:
“Urimet më të mira për mua, por urimet më të mira edhe për ty. Ditëlindja jonë, dita që linda unë, dita që linde ti. Me ty nuk kam nevojë të të kërkoj për të tërhequr vëmendjen tënde sepse, sidoqoftë, ti e ndjen kur unë nuk jam mirë ashtu siç e ndjej unë për ty dhe askush nuk mund ta kuptojë kurrë. Ti je gjithmonë aty, si nënë, shoku më i mirë, baba, djalë. Ti je binjakja ime dhe jam shumë krenare ta them sepse jam krenar për ty. Urimet më të mira”.
Vajzat nuk e kanë fshehur kurrë dashurinë për nënën e tyre Lucia, gruan që i ka rritur vetëm. Vajzat me sa duket punonin atje për të ndihmuar familjen.
Nëna ka postuar në rrjetet sociale një video kujtimi të vajzave të saj, me një koment shumë të shkurtër: “Më thyet zemrën”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al