EMRAT/ Punonjëses së shtetit dhe vëllait të saj iu sekuestruan 750 mijë euro, apartamente dhe automjete! Policia jep detaje: Buronin nga veprimtari kriminale

Oct 1, 2024 | 9:25
SHPËRNDAJE

Policia ka dhënë detaje në lidhje me një operacion të zhvilluar një ditë më parë, ku punonjëses së shtetit, Irma Hasani dhe vëllait të saj, Oltion Hasani iu sekuestrua një shumë prej 750 mijë eurosh, që dyshohet se buronin nga veprimtari kriminale.

policia

Policia thote se nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaria kriminale e kryer nga Oltion Hasani, i cili në vitin 2020 ka qenë i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Britaninë e Madhe.

Raportohet se Irma Hasani ishte punësuar prej vitit 2011 në ‘Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare’, me një pagë bruto 61.000 lekë dhe nuk e justifikon blerjen e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme.

Njoftimi:

Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive që e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Immediate”.

Sekuestrohen pasuri me vlerë 750 000 euro, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e një 37-vjeçari.

Në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024, referuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Jurifiksionit të Përgjithshëm Tiranë,u zhvillua operacioni policor i koduar “Immediate”.

Në zbatim të këtij procedimi u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vendosjen e sekuestros ndaj pasurive të paluajtshme e të luajtshme, në emër të shtetasve O. H., 37 vjeç, dhe I. H., 41 vjeç, konkretisht 6 apartamente dhe 6 automjete.

Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaria kriminale e kryer nga shtetasi O. H., i cili në vitin 2020 ka qenë i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Britaninë e Madhe.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura