“Qëlloni, burrat një herë vdesin!”- Masakra e komunistëve që përgjaku Tiranën në ‘44, si u eliminuan intelektualët: Mehmet Shehu pushkatoi pa gjyq 13 xhandarë! Klerikun u vra para derës së shtëpisë së Zotit

Nov 20, 2023 | 13:26
SHPËRNDAJE

NGA BESIM NDREGJONI/ U mbushen 79 vite kur u krye masakra masive në Tiranë nga data 28 tetor deri me 16 nëntor 1944. Një nga idhtarët dhe organizatorët më të egër të këtij gjenocidi, Kristo Themelko, agjent i jugosllavëve me pseudonimin sllav “Shulja”, thotë: “Kjo rruga jonë terroriste ka lindur si vijë… Nga kjo rezulton se të gjithë ata elementë që janë kundër nesh, por që s’ka fakte, të pushkatohen qysh tani…

te pushkatuarit

Veçse me i pastrue gjatë luftës, veçse duhej me i pastrue me mënyrën që të mos merren vesh prej popullit… Janë vrarë edhe ata që janë dorëzuar”. (AQSH, F.14, d. 2/Av.1944.) Natyrisht, ky gjenocid nuk ishte sporadik, por i organizuar dhe drejtohej nga kryeterroristi Enver Hoxha. Vrasja e parë politike ishte ajo e klerikut të shquar tiranas, Selim Brahja, më 31 gusht 1943. E vranë përpara derës së shtëpisë së Zotit, në pragun e Xhamisë.

Në njësitin terrorist merrnin pjesë edhe dy shtetas jugosllavë që ishin sjellë në Pezë nga D. Mugosha: Papa Hasani nga Manastiri dhe Leon Katarivasi nga Shkupi, që sipas dokumentit të Arkivit të Shtetit, f.279, d.10, Po në tetor të këtij viti, M. Shehu pushkatoi pa gjyq në Priskë 13 xhandarë që u dorëzuan në mirëbesim në Brigadën e Parë për të luftuar bashkë me të kundër gjermanëve, ndërmjet tyre: Preng Marku nga Kaçinara, Zef Ndoc Simoni nga Fishta, Preng Lek Shkreli nga Malësia e Shkodrës, Pjetër Shkalleshi nga Kthella dhe kapter Ali Maksuti nga Margëlliçi i Çamërisë, ish-lulishtar i njohur i Tiranës.

Më vonë vranë edhe profesor doktor Lorenc Rashën, nga Shkodra, njeriun e dijes. Këtë intelektual i lauruar në Austri dhe Vatikan dhe nacionalist të njohur sipari i masakrës masive hapet natën e 28 tetorit 1944, kur forcat komuniste në vend që të godisnin pushtuesit gjermanë, futeshin fshehtazi natën nëpër shtëpitë tiranase dhe arrestonin apo pushkatonin qytetarët që ishin shënuar nëpër listat e vdekjes nga krerët e tyre. Kështu ia behën në mesnatë te shtëpia e Ymer Dërhemit dhe arrestuan Akil Sakiqin, Nazmi Uruçin dhe Fahri Dabullën.

“Ju kërkojnë për një sqarim”. Por i pushkatuan po atë natë. Adili, Nazmiu dhe Fahriu, të tre oficerë të njohur të karrierës, atdhetarë të flaktë, shqiptarë të ndershëm e të panjollosur, e kishin kryer së bashku me E. Hoxhën Liceun e Korçës. Një nga ata ushtarakë të zhdukur, jo të dorës së dytë, siç thotë Hoxha, por ushtarakë të kalibrit të lartë, si Rakip Kalenja, nga Mallakastra, i lauruar shkëlqyeshëm në Akademinë Ushtarake të Torinos, dega e xhenjos. Nata e 28 tetorit ishte caktuar nga Qarkori i PK për Tiranën si nata e vrasjeve të ushtarakëve të karrierës. Atë natë u pushkatuan: Hamit Greblleshi, nga një familje autoktone tiranase, mësues dhe më vonë, pasi kreu Akademinë Ushtarake në Stamboll, oficer i gjindërmarisë së shtetit shqiptar deri në vitin 1939, kur doli në lirim për arsye shëndetësore.

Hamit Greblleshi u arrestua bashkë me oficerët e tjerë që jetonin në Rrugën e Tabakëve, Hasan Dinen nga Maqellara e Peshkopisë, me akademi ushtarake të kryer në Itali, atdhetar, bir atdhetari, Azis Blloshmin nga familja e njohur e Blloshmëve të Bërzeshtës, që kishte kryer studimet ushtarake në Vjenë, Faik Shkupin, shqiptar nga Shkupi, i lauruar për ushtarak në Itali dhe shërbente në Shqipëri, Mehmet Dadon dhe Boris Belevskin, oficerë në ushtrinë shqiptare, Aleks Mavraqi, Selmam Shtjefni, Bajram Cuka e të tjerë që nuk u dihen as varret.

Një nga ata dyzina të zhdukur është edhe major Muharrem Liku, bir i devotshëm i Tiranës. i shkolluar në Stamboll dhe i frymëzuar nga rilindësit, sidomos nga i kunati, Halit Bej Bërzeshta, ushtarak i shtetit shqiptar, ai i shërbeu atdheut dhe mbretit me besnikëri. Po atë natë, terroristët arrestuan dhe vranë ushtarakun me gradën kapiten, Anton Fekeçi, lindur në Graz të Austrisë, por që banonte e shërbente në Shqipëri, nga që e ëma, Gjystina, ishte shkodrane nga familja e dëgjuar Bumçi. Antoni ishte një oficer model me formim perëndimor dhe shumë i aftë profesionalisht. Ai ndihmoi në modernizimin e ushtrisë shqiptare.

Në mesnatën e 30 tetorit e thirrën në shtëpi dhe e pushkatuan 100 metra larg. Gjenocidi për motive politike vazhdoi me intensitet brenda dhe në rrethinat e Tiranës. Më 3 nëntor 1944, forcat komuniste pushkatuan pa gjyq në Sharrë të Tiranës tre Deliallisët e shquar të Shijakut: Kapllan Deliallisi, deputet i Shijakut në Parlamentin shqiptar dhe i vëllai, Jakup Deliallisi, ish-kryetar i Komunës së Shënavlashit dhe të Luzit, të dy bij të një familjeje të madhe. Bashkë me këta martirë, u pushkatua edhe Isuf Allamani, nga familja në zë e Allamanëve të Matit.

Ai themeloi Fermën e Xhafzotajt, një ekonomi moderne bujqësore e kapitaliste dhe ishte drejtori i saj, kur u arrestua e u pushkatua pa gjyq, ndonëse nuk ishte përzier fare në çështjet politike. Po në Sharrë u pushkatuan pa gjyq dhe u hodhën mbi njëritjetrin në një përrua pesë viktima të tjera: kapiten Bajram Cuka, Selim Kelmendi, Ndue Pali, Minella Toçi dhe Selaudin Korça.Selim Kelmendi, nga Vuthaj i Gucisë, i kishte ikur me armë në dorë terrorit serbo-malazez tok me dy vëllezërit e tij, Rustem e Ramë, pjesëtarë të çetës së Azem Galicës, por nuk i shpëtoi dot terrorit të çetnikëve shqiptarë. Selaudin Korça, i biri i patriotit të madh, klerikut, filozofit, publicistit, poetit dhe antikomunistit të njohur Hafiz Ali Korça, që vazhdonte studimet e larta në Itali, por që erdhi në Shqipëri për t’u bërë pre e terrorit komunist.

Më 10 nëntor, ra pre e këtij terrori tek Ura e Brrarit oficeri Subi Topulli nga familja e shquar e topullenjve të Gjirokastrës. Vrasësit e masakruan dhe zhdukën çdo gjurmë të tij, duke hapur fjalë se ishte arratisur nga Shqipëria. Vijmë kështu te nata e 12 nëntorit në Tiranë, që është quajtur edhe “nata e Shën Bartolemeut”. Atë natë u bë masakra më e madhe, një dënim dhe vrasje kolektive pa gjyq e 11 figurave të shquara të kombit e të kulturës shqiptare. Ismail Agë Petrela është një nga figurat madhore të Shqipërisë, që u pushkatua mesnatën e 12 nëntorit.

Në çastin e pushkatimit u tha ekzekutorëve: “Qëlloni, burrat një herë vdesin!”. Terroristët këtë herë zgjodhën për të masakruar familjen e shquar Kokalari nga Gjirokastra. Pushkatuan natën e 12 nëntorit në skutat e hotel “Bristol”-it Muntaz, Vesim dhe Syrja Kokalarin. Muntazi dhe Vesimi, pionierë të arsimit kombëtar, themelues të shtëpisë botuese “Mesagjeritë Shqiptare”, që botoi vepra madhore të letërsisë sonë e të huaj, intelektualë të klasit të parë, bashkë me vëllanë e tyre, Hamit Kokalarin, i cili shkroi atëbotë librin e famshëm “Kosovadjep i shqiptarizmit” dhe motrën Musine, shkrimtaren e parë shqiptare, nacionalisten dhe demokraten e shquar, që diktatura më pas e burgosi dhe e internoi gjersa vdiq. Po atë ditë, terroristët komunistë pushkatuan edhe Nebil Çikën, gazetarin, filozofin, publicistin, demokratin e madh.

Ai goditi familjet e mëdha që kishin nxjerrë njerëz të shquar, për të ndërprerë traditën, për të tharë burimin, për të venitur e nënshtruar Shqipërinë. Një nga ato, është edhe familja tiranase Lleshi. Në mesnatën e 12 nëntorit, terroristë të armatosur hynë në oborrin e shtëpisë së Lleshëve, ku ishin strehuar demonstrues antifashistë apo ilegalë dhe thirrën emrin e Muharrem Lleshit. Sa u shfaq ai te pragu i derës, një breshëri automatiku e la të vdekur e të mbuluar me gjak.

Gjahut të tyre nuk i shpëtoi as Rifat Tërshana, nga Dibra e Madhe, oficer rekrutimi që shërbeu me përkushtim në Korçë, Fier dhe Durrës. Terrori masakroi edhe njerëz të thjeshtë e të patrazuar në politikë. Lluka Xhumari, nga qyteti i Durrësit, kishte kryer në Itali shkollën teknike dhe ishte bërë mjeshtër në profesionin e tij. Njeri me iniciativë private, hapi një punishte të vogël, të cilën e zgjeroi në shoqërinë automobilistike SAKT.

E pushkatuan në rrënojat e hotel “Bristol”, sepse ishte njeriu i biznesit, i iniciativës së lirë, i ekonomisë së tregut, investitor i suksesshëm, bamirës, njeriu i së ardhmes. Kështu u mbyll kjo masakër, që përgjaku Tiranën, më tutje edhe masakrave të tjera të përgjakshme në Shqipërinë e Veriut, që i hapën rrugën pushtetit komunist, që përgjaku Shqipërinë dhe kombin për gjysmë shekulli me radhë. 39 intelektualë shqiptarë, mes të cilëve, deputetë, gazetarë, juristë, ushtarakë, por edhe studentë, u pushkatuan në rrethinat e Tiranës, midis datave 28 tetor dhe 16 nëntor 1944, në emër të “Pushtetit Popullor”

Në 65-vjetorin e vrasjes së intelektualëve, ambasadori i SHBA-së, John Withers e cilësoi makabre ngjarjen e ndodhur 65 vjet më parë, duke u shprehur se “ata u ekzekutuan vetëm sepse i shërbenin borgjezisë angloamerikane dhe jo proletariatit. Kjo mund të jetë një përgjigje midis një debati, por jo t’i merrej jeta atyre”. Ndër të tjera, ambasadori Ëithers bëri një paralelizëm mes “të djeshmes” dhe “së sotmes”, ku beteja e njerëzve me ideale, sipas tij, duhet të jetë më aktive. “Beteja që ata intelektualë  u përballën dikur, është e njëjta me atë që po përballemi edhe sot.

Sa herë që shohim censurë nga qeveria, duhet t’a kundërshtojmë atë, ashtu edhe kur kanoset apo intimidohet shtypi i lirë. Ne duhet t’i ndalojmë të gjitha këto akte. Ne nuk mund t’i japin pavdekësinë atyre, por përkushtimin tonë në nderim të intelektualëve që sakrifikuan jetën për ato ideale”, tha Withers. Kush ishin 39 intelektualët!? Ata ishin në Tiranë, në profesionet e tyre, në shërbim të strukturave të shtetit shqiptar, dhe jo në shërbim të pushtuesëve! Ata nuk ishin pajtuar me pushtuesin! Ata i shërbenin shtetit të tyre, dhe pse ishte luftë, ata ishin në shërbim të qytetarëve shqiptar!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura