Qeveria e Kosovës heq kufizimin e importeve të mallrave nga Serbia, Kurti sqaron si do të kryhet kontrolli në pikat kufitare

Oct 7, 2024 | 16:30
SHPËRNDAJE

Qeveria e Kosovës vendosi të heq masën e ndalimit të importeve të mallrave nga Serbia, mes shqetësimeve se refuzimi mund ta lërë Kosovën jashtë proceseve të rëndësishme siç është Procesi i Berlinit.

kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, konfirmoi të hënën se qeveria do të lejojë hyrjen e mallrave nga Serbia nëpërmjet vendkalimit kryesor kufitar në Merdarë.

“Republika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli i shtuar, derisa të na vijnë skanerët. Në momentin që na vijnë skanerët atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare, por derisa nuk na vijnë skanerët ne do ta hapim një pikë kufitare e cila do ta ketë kontrollin e shtuar për shkak se masat që i kemi ne janë masa të sigurisë”, tha kryeministri Kurti gjatë një konference për shtypin.

Qeveria e Kosovës ndaloi importet e mallrave nga Serbia në qershor të vitit 2023, si një masë sigurie pas situatës së krijuar me arrestimin e tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe, të cilët më pas u lanë të lirë nën trysninë perëndimore.

Kryeministri Kurti këmbënguli se masat e qeverisë së tij nuk kanë qenë asnjëherë tregtare. Diplomacia perëndimore dhe së fundmi posaçërisht Gjermania i kanë kërkuar në vazhdimësi qeverisë heqjen ndalesës duke theksuar se ajo është kundër parimeve të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore, të njohur si CEFTA, ku bën pjesë edhe Kosova krahas pesë vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë.

Në këmbim Kosovës i është ofruar përfaqësim në CEFTA me emrin e saj – me fusnotë dhe jo përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), siç është aktualisht si dhe mbështetje për sigurimin e skanerëve që do të kryejnë kontrollet e maunave që hyjnë nga Serbia.

Procesi i Berlinit, që këtë vit shënon dhjetëvjetorin e themelimit, është një nismë e hedhur që në vitin 2014 nga ish kancelarja gjermane Angela Merkel, me synim thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.

Takimi i radhës pritet të mbahet me 14 tetor dhe nga njohës të zhvillimeve politike në rajon vlerësohet si e vetmja agjendë evropiane e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor, që përfshin të gjitha vendet e rajonit dhe i trajton ato në mënyrë të barabartë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura