Qeveria ka vendosur të financojë familjet shqiptare që dëshirojnë të instalojnë burime të rinovueshme energjie për ngrohje dhe ftohje.
Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave, ku përcaktohen dhe shpjegohen qartë 4 skemat e mbështetjes, që u hapin rrugë masave të financimit për kursimin e energjisë. “Ministri miraton urdhrin për përcaktimin e kuotave, kritereve, rregullave, procedurave dhe metodologjisë për klientët familjarë që përfitojnë nga masat e financimit për kursimin e energjisë nga: panelet diellore për ngrohjen e ujit me depozitë, impiantet e vogla të biomasës, pompat e nxehtësisë, ngrohja dhe ftohja qendrore.
Urdhri sipas pikës 1 përcakton të gjitha kriteret e nevojshme për realizimin me sukses dhe shfrytëzimin afatgjatë të teknologjisë së përftuar përmes skemës mbështetëse, duke përfshirë kriteret e projektimit, të sigurisë, të qëndrueshmërisë, të mirëmbajtjes periodike dhe strukturën monitoruese”, – thuhet në vendim. Në këtë të fundit nënvizohet se përfitimi i mbështetjes do të mundësohet vetëm për rastet kur klientët fundorë synojnë të zëvendësojnë teknologji ekzistuese që shfrytëzojnë burime fosile sikurse janë karburantet. Urdhri i ministrit ezauron në mënyrë specifike të gjitha kërkesat dhe kriteret përkatëse të teknologjive.
MASA E FINANCIMIT
Sipas vendimit, për sistemet diellore të ngrohjes së ujit, financimi do të përfshijë 70% të vlerës së investimit, llogaritur për një vlerë maksimale investimi prej 140 000, ndërkohë që për kaldajat me biomasë ose biokarburant, financimi do të jetë 20% e vlerës së investimit për një vlerë maksimale investimi prej 250 000. Gjithashtu, përcaktohet se për pompat e nxehtësisë do të mbulohet 20% e vlerës së investimit, për një vlerë maksimale investimi prej 600 000 lekësh, ndërsa për ngrohjen dhe ftohjen qendrore në banesa financimi do përfshijë 30% të vlerës së investimit për një vlerë maksimale investimi prej 3 000 000 lekësh.
Vendimi i qeverisë përcakton edhe kriteret që do të duhet të përmbushin familjet për të përfituar nga këto skema, ku ndër të tjera përfshihet edhe dorëzimi i raportit të auditimit energjetik, përveç rasteve kur aplikohet për panele diellore të ngrohjes së ujit. Po ashtu, specifikohet se në rastet kur aplikohet për panelet diellore përfitues do të jenë familjet që kanë një konsum relativisht të lartë energjie, që duhet të jetë më i madh se 400 kWh për çdo muaj.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al