NGA XHEVAT MUSTAFA
Siç është njoftuar nga mediat, pas një tymnaje të tejzgjatur, disamujore, propagandistike dhe mediatike me “dirigjent qeveritar”, për një rritje 2-shifrore, marramendëse apo çmendëse, më në fund, më 18 shtator 2024, është miratuar vendimi i Këshillit të Ministrave për indeksimin e të gjitha kategorive të pensioneve në masën 4.1%, duke filluar nga dt. 1 tetor 2024! Për koincidencë disavjeçare, kjo rritje e pensioneve ndodh apo hyn në fuqi ditën e Festës Kombëtare të Kinës motër të Enverit, Mehmetit, Ramizit, Beqirit…
Përfitues nga kjo “rritje stratosferike” e pensioneve allashqiptare do të jenë rreth 791 mijë pensionistë në të gjithë vendin. Por, mes kësaj ushtrie kaq popullore, shumica, ose rreth 60% e tyre kanë pasur qysh nga dita e parë e pensionimit dhe kanë deri më sot, pensione minimale. Pjesa tjetër, ajo 40% i kanë pasur dhe i kanë pensionet mbimesatare e të larta, nga 300 mijë deri në rreth 1 milion lekë! Merret me mend se këta të grupimit të dytë do të jenë edhe përfituesit më të mëdhenj nga rritja me 4.1% e pensioneve më 1 tetor 2024!
Duke kujtuar “rritjet” e pensioneve në vitet e shkuar apo duke qenë të djegur nga këto gjase rritje, paraprirë shumë ditë më herët nga fluturimi lart e më lart i çmimeve të shumicës së artikujve të konsumit të përditshëm e jetik, siç po ndodh edhe në këto ditë të fundshtatorit 2024, pensionistët, sidomos ata me pensione të ultë, rreth 10.000- 25.000 lekë ose 100- 250 euro, që siç u vu në dukje më sipër janë rreth 60% e ushtrisë prej 791 mijë pensionistësh, le t’i bëjnë vetë me gishtërinj ose me kalkulatorë llogaritjen se do t’u rriten më 1 tetor 2024 pensionet! Merret me mend se ose do të mbeten pa mend e gojë, ose do t’u këputen frerët e zhgënjimit, të vetëpërmbajtjes, të pakënaqësisë, zemërimit, revoltimit… kur të kuptojnë apo më saktë, binden se rritja reale mujore do të jetë nga 1 kg gjizë, 1 kg groshë të vjetra, 1 kg peshk sardele, 1 kg mëlçi ose mish të gri, 1 litër raki apo verë vendi, më së shumti jo rrush safi, 1 kg djathë i bardhë ose kaçkavall, 1 kg gjalp, 1 kg mish viçi…!
Pas “gëzimit” apo zhgënjimit prej talljes së re me ata nga ana e Rama-qeverisë, plot prej tyre do ta kenë të pamundur të mbajnë edhe thirrjen apo kërkesën: -Mos, mos, “mos na i rrit pensionet”, o Edi Rama nga 1 tetori 2024! Sepse, qysh nga 28 shtatori po kaq e më shumë po na rriten, “pa dijeninë tënde” e pa VKM dhe urdhër nga ti, si me një komandë të padukshme si fytyra e të padëgjueshme si zëra, edhe çmimet dhe faturat e dritave, të ujit, të spitaleve, të farmacive, të dentistëve…!? Të lutemi, nëse vazhdon edhe më këtë “1 tetor kinez” ky avaz apo kjo traditë, më mirë mos na i rrit fare ato gjase apo lili-putë pensione! Sepse, ndoshta pa dashur nga ju lart, tregtarët poshtë si dhe OSHË, UKT…, “si shushunja” na i përpijnë ato pak lekë të shtuara e na rrisin edhe më shumë varfërinë, hallet, sherret burrë e grua e prindër- fëmijë, kokëdhembjet, tensionet… Por, edhe nivelin e stresit, të rrahjes së zemrave, të sheqerit në gjakra, të pagjumësisë…!
Për të shpëtuar nga kjo e keqe, mund të ishte e nevojshme që rritjet për 1 prill apo 1 tetor të pensioneve e të pagave, të mbahen nga qeveria sekret për mediat dhe bizneset e industrisë ushqimore e të tregtisë! Përveç kësaj, ndoshta do të ishte e dobishme që “të interpretohet dhe dënohet si vjedhje e nxjerrje e një sekreti të lartë shtetëror” publikimi i lajmeve për rritje pensionesh e pagash…? E vështirë për një popull, që i ka thashethemet dhe përfoljen e sekreteve si një nga ushqimet e tij më të pëlqyer! Gjithsesi, më shumë me shpresë tek Zoti në qiell se sa te bindja e vullnetshme e shumicës së shqiptarëve mbi tokë, dënimet e rrepta e të pamëshirshme, domethënë jo si për ish-ministra, ish-zv.ministra, ish-këshilltare dhe ish-sekretare zyrtarësh të lartë shtetërore, ish-deputetë, ish-kryebashkiakë, pa parë lidhje personale, familjare, partiake, klanore, ortakërore… mund të rezultojnë të efektshme! Mundet edhe t’u kërkohet edhe grave “besa e burrave…”?
Se shumica e shqiptarëve, sidomos ata “të majtë” e nga “bastionet fanatike e historike” të saj, kanë treguar me vepra se kur i japin fjalën dhe besën partisë, nuk ndalen as t’i vënë flakën… vetes, familjeve, kushërinjve, lagjes, Shqipërisë…! Ah, për pak desh harrova: – Gëzuar Festën Kombëtare të “Kinës motër” dhe “të rritjes dehëse e droguese” të pensioneve për “trimat me fletë” në betejat, më së shumti, me “të vrarët e të plagosurit”, me vetveten dhe gratë në shtëpi, pasi kanë kthyer me fund disa dopio raki…! Domethënë, veçanërisht për shumicën e pensionistëve shqiptarë në moshat 60-90-vjeçarë! Gjatë 80 viteve, nga 29 nëntori 1944, shumica e tyre janë ndjerë e dukur, domethënë shqip apo troç fare, kanë gënjyer veten dhe botën, si fluturues pa krahë shqiponjash dhe avionësh, me presh në b…, e si “më të lumturit ndër më të varfrit në botën mbarë”, mbi tokë e në varr…!
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al