Partia në pushtet në Gjeorgji ka njoftuar të enjten se do t’i pezullojë bisedimet për anëtarësim në Bashkim Evropian deri më 2028, duke refuzuar edhe grantet buxhetore nga Brukseli, raporton agjencia “Reuters”.
Si kundërpërgjigje, mijëra protestues pro-BE bllokuan rrugët në kryeqytetin Tbilisi, ndërsa presidentja Salome Zourabichvili ka thënë se Qeveria i ka shpallur “luftë” popullit me këtë lëvizje.
Blloku qeverisës “Ëndrra Gjeorgjiane” ka akuzuar BE-në për “fyerje”. Në një deklaratë tha se Brukseli po e përdor mundësinë e bisedimeve për anëtarësim për ta “shantazhuar” vendin, dhe për “të organizuar një revolucion në vend”.
“Si rezultat, ne kemi vendosur të mos e vendosim në rend të ditës çështjen e hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2028. Gjithashtu, ne refuzojmë çdo grant buxhetor nga Bashkimi Evropian deri në fund të vitit 2028”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al