PIRO NUREDINI/ Më në fund arrita të takohem me familjarët e Avdul Banushit në Gjirokastër. Të nesërmen e thirra atë në zyrë. Porosita oficerin e rojës mos t’i hidhnin prangat. Kur u fut brenda, mbylla derën dhe u përqafova me mall, duke harruar raportin oficer i Sigurimiti dënuar politik. Pas pak erdhi Qamili, shitësi i burgut, që solli kafet e porositura dhe një paketë cigare që i blija çdo ditë me të ardhurat e mia.
VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)
I thashë se kisha takuar njerëzit e tij dhe një moment e pashë me vëmendje si do reagonte. Sytë e Avdulit ndrinë nga lotët dhe buza iu drodh. E lashë të qetësohej, pastaj vazhdova: U takova edhe me xha Hakanin. Nuk është e vërtetë që ai nuk rron. Më tha se do të gjejë mundësinë të vijë e të të takojë. Avduli u shpreh mosbesues dhe ngriti dyshimin për ndonjë veprim taktik nga ana ime për ta mposhtur psikologjikisht, gjë që edhe e shprehu.
“Xha Hakani rron dhe ti do ta takosh”, iu ktheva me zë të lartë. “Nuk e lëmë këtë bisedë,- ndërhyri ai disi indiferent. -Babai ka vdekur para disa vjetësh. Çfarëdo që më thua nuk ta besoj dhe pikë”. E lashë në mendjen e tij dhe aty për aty nxora letrat që i dërgonin vëllezërit. Fillova t’ia lexoj. Nuk kisha mbaruar as tre rreshtat e parë, kur ai filloi të shkrehej plotësisht. E lanë forcat dhe gradualisht arriti në një gjendje të tillë ku nuk mundi ta përmbajë veten. Veçanërisht letra e Hodos e bëri të qajë me ngashërim duke më detyruar edhe mua të përlotem.
Në letra i shkruanin edhe për xha Hakanin, por në këtë pikë ai mundohej të tregohej mosbesues. Mendimi se i ati nuk jetonte ishte ngulitur thellë në mendjen e tij dhe nuk kishte burrë nëne t’ia shkulte. Ndenjëm gjatë bashkë. Aty në zyrë hëngrëm edhe drekën. Natyrisht jashtë vëmendjes së të tjerëve. Më në fund u ndamë. Pas disa ditësh më lajmëruan se xha Hakani kishte vdekur. U trondita jashtë mase. Kisha menduar disa surpriza filli i të cilave mu këput më mes.
I kisha premtuar Avdulit se do ta takoja me të atin, por tani nuk do mundja. Përveç këtyre, ndjeva keqardhje për xha Hakanin, që nuk arriti të takonte të birin para se të mbyllte sytë. Gjeta mundësinë dhe një ditë shkova në Gjirokastër për të ngushëlluar familjarët e tij. Me Hodon, të vëllain e Avdulit, që punonte mësues, u takuam te hotel “Çajupi”. Aty e ngushëllova. “Ndodhi shumë keq,- e theu heshtjen Hodua. -Them se kam bërë diçka të mirë në këtë drejtim. Kur e ndjeva se babai po ndahej nga jeta, i kërkova të më jepte porositë e fundit për Avdulin. Këto i kam të incizuara. Gjithashtu kam incizuar edhe një pjesë të vajeve me ligje për babanë.
Them që një ditë t’ia çoj në Burrel. Ai ka nevojë edhe të qajë. Besoj se do më ndihmosh për këtë…” Aty për aty e miratova idenë e tij, që m’u duk e frytshme. Si pimë kafen, u ngritëm dhe u nisëm për në shtëpinë e Zijait, ku do të ngushëlloja sipas zakonit.
NGUSHËLLIME VËLLAZËRORE
Mëngjesin e ditës tjetër, pasi bleva paketën e cigareve për Avdulin, shkova në burg për ta ngushëlluar për vdekjen e xha Hakanit. Sapo erdhi në zyrë i shoqëruar nga polici dhe pa pranga, bëra shenjë që të mbeteshim vetëm, mbylla derën dhe u përqafuam në atë mënyrë që tek të tjerët do të bënte përshtypje.
Pa e kuptuar ishim bërë shumë të afërt, duke harruar që u përkisnim “llogoreve të kundërta”.
Nuk munda t’i mbaja lotët.
– Çfarë ke?- më pyeti Avdyli.
-I ke mirë të gjithë?
– Nuk kam gjë jo. Mirë i kam të gjithë.
– Ku ke qenë që nuk ke ardhur këto ditë?
– Ashtu erdhën punët kësaj radhe. Hodua më dërgoi një telegram ku më njoftoi për vdekjen e xha Hakanit dhe shkova për këtë punë në Gjirokastër. Ja telegrami! Dhe ja vendosa përpara. Pastaj i hodha mbi tavolinë paketën e cigareve sipas zakonit dhe i zgjata dorën për ta ngushëlluar. Pasi ndenji ca në heshtje, m’u drejtua me një pamje të çuditshme:
– Ta marr për të vërtetë këtë që më the? Dhe sytë iu përlotën.
– Më vjen keq! Ti vazhdon të më marrësh për djallëzor. Kjo është e vërtetë. Unë të tregova edhe kur u takova me xha Hakanin në Gjirokastër. Më erdhi keq që nuk munde ta takosh ti. Pas kësaj, ai filloi të qajë me dënesë. E lashë disa minuta të zbrazte me dënesë dhe pastaj ndërhyra.
– Hajde përmbahu tani! Je burrë i fortë e burrat e durojnë dhimbjen. U mundova ta qetësoja… Lajmi për vdekjen e babait do ta mundonte shumë Avdulin për të cilin tani ora e burgut nuk lëvizte. Prej kohësh qëndronte i vetëm në birucë sepse shoku i dhomës ishte transferuar në qeli tjetër. Një ditë “guxoi” të më kërkonte të ndërhyja për të dalë nga biruca dhe të sistemohej në një dhomë me hapësirë më të madhe. Kërkoi gjithashtu t’i jepja mundësinë të merrej me pikturë.
Këtë profesion e zotëronte qysh përpara se të arratisej nga Shqipëria. Ia plotësova kërkesën dhe e rregullova në një dhomë të mirë për kushtet e burgut me hapësirë më të madhe. Nga një piktor në Burrel, shoku im Petrit Gurabardhi, sigurova mjetet e nevojshme të piktorit si letër, bojëra, penel, vaj, lapsa, etj. Mbas kësaj, sa herë shkoja në dhomën e tij do ta gjeja duke pikturuar. Një ditë më mori leje dhe pikturoi edhe portretin tim, të cilin e ruaj si kujtim të çmuar…
TAKIMI PAS 25 VITESH
Ishte vërtet diçka emocionale. Më në fund pas 25 vitesh, Avdul Banushi priste të takonte vëllezërit, Hodon dhe Zijain. Porosita të përgatitej zyra ku do të organizohej takimi. Shkova aty me dy mysafirët që kishin ardhur nga Gjirokastra. Hyra vetë në burg për të marrë nga biruca Avdulin. Pamja e tij mundohej të tregonte se po shkonte në një takim të zakonshëm, por kur u hap dera dhe u gjend përpara vëllezërve nuk ishte më ai që mundohej të shfaqej.
U hodh në krahët e tyre dhe sytë iu mbushën me lot.
– Boll qave!,- e qetësoi i pari Hodua.
-Kemi ardhur të çmallemi e jo të qurravitemi. Kemi plot gjëra për të thënë. Pastaj Hodua filloi t’i tregojë për familjarët e tjerë një nga një.
– Para disa ditësh,
– vazhdoi Hodua,- na vdiq babai.
E mori vesh që ishe këtu dhe kur u bëmë gati për të ardhur të të takonim, vdiq papritur. – Unë e kam ditur se babai ka vdekur prej kohësh,- u hodh Avduli dhe të them të drejtën e kam vështirë t’u besoj edhe juve…
– Ndoshta ti ke arsyet e tua të mendosh kështu,- shtoi Hodua,- po ne të kemi sjellë këtu zërin e tij, amanetin para vdekjes që la për ty.
– Dëgjoje me veshët e tu dhe pastaj fol! Sakaq, Hodua vendosi në tavolinë një aparat magnetofoni, futi në të kasetën në fjalë dhe shkeli butonin. Pas një çasti, që andej gjëmoi zëri i xha Hakanit, që u drejtohej fëmijëve të tij:
– Bijtë e mi! Vitet bënë të vetën e tani më pret vdekja. Kështu e ka kjo botë. Porosia që kam është të qëndroni lidhur me njëri tjetrin. Ti lini mënjanë mëritë që ju ndajnë e të gjeni forca për të qenë të bashkuar. Meraku i vetëm që po marr me vete lidhet me një pjesë të gjakut tim, me djalin tim dhe vëllain tuaj, me Dulen, që na mungoi prej kaq vitesh… Avduli sa dëgjoi që u përmend emri, nga një zë që e njihte prej kohësh, reagoi rrufeshëm:
– Po për Zotin! Ky është zëri i babait. Mënyra si ma përmendi, ma solli përpara syve. “Dule”, vetëm ai më ka folur ashtu!…
– Dhe u shkreh i tëri në dënesë. Pas kësaj, nuk mundi ta përmbajë më veten. E mori magnetofonin në krah, sikur ta kishte njeriun e tij më të dashur. Pastaj ia futi kujës, me ngashërim:
– Oh, baba, baba! Të më falësh për të gjitha!… U krijua një gjendje e rëndë. Hodua, si më i rrahur me këto situata, e mblodhi veten, u ngrit, fiku magnetofonin dhe iu drejtua Avdulit:
– Avdul, pusho! Je burrë dhe duhet të gjesh forca të përmbash veten. Është e dhimbshme, e kuptoj. Po duhet bërë i fortë…
Si pa kuptuar kaluan rreth katër orë. Takimet në burgun e Burrelit zgjasnin vetëm dhjetë minuta dhe vetëm në sportel. Në rastin e Avdulit ishte bërë një përjashtim, kuptohet me lejen e autoriteteve përkatëse. Vëllezërit Banushi u ndanë duke u përqafuar disa herë e duke porositur njëritjetrin….
*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.
LEXO EDHE: “Unë, operativi i burgut të Burrelit, që bashkëjetova me ‘armiqtë e popullit’”- Rrëfimi i oficerit të Sigurimit: Si i regjistruam fshehurazi të dënuarit kur vdiq Enver Hoxha
Ra në grackë nga gruaja e agjentit “Malësori”/ Operativi i burgut rrëfen prapaskenat: Si u miqësova me njeriun që do vriste Enver Hoxhën! Kishte në plan të vendoste bombë në…