Kryeministri Edi Rama inspektoi sot nga afër kantierin e ndërtimit të kompleksit të godinave qeveritare në zonën e Saukut në Tiranë.
Në këtë kantier i cili pritet të përfundojë në vitin 2026 do të akomodohen me zyra disa agjenci që operojnë në fushën e informacionit dhe sigurisë kibernetike.
Teksa shprehu besimin që ka te kompania që po ndërton kompleksin e godinave, kryeministri Rama tha se godinat mund të bëhen gati edhe para afatit të përcaktuar prej 18 muajsh.
Kryeministri Rama tha se kjo godinë është shumë e rëndësishme për vetë aktivitetin që kryhet brenda saj dhe inkurajoi për përfundimin e punimeve edhe më herët se afati i parashikuar.
“Kompaninë e kemi ‘shalqi me provë’ dhe kam shumë besim që do të bëhet jo vetëm punë shumë cilësore, por edhe në afat. Afati i përfundimit është për 18 muaj, por mbase edhe nga eksperienca me ju, edhe më shpejt mund të mbyllet. Është shumë e rëndësishme për ne kjo godinë, se faktikisht është një godinë me standarde të sigurisë së lartë, për vetë aktivitetin që kryhet brenda saj, qoftë nga agjencia e mbrojtjes kibernetike që siç e tha dhe zëvendëskryeministrja, ka marrë një rëndësi të veçantë, por dhe ka bërë përparim të konsiderueshëm dhe së fundmi është pajisur me një teknologji të fjalës së fundit që na vë realisht në vendet e larta të klasifikimit në Europë për mbrojtjen, qoftë për klasikun që merret me të gjitha të dhënat gjeohapësinore të vendit, dhe qoftë për Agjencinë e Inteligjencës Artificiale që ka një punë shumë të ndjeshme për shkak të sensibilitetit të të dhënave që lidhen me transaksionet financiare dhe që është një agjenci kyç qoftë për sa i përket daljes së Shqipërisë nga lista gri, qoftë sa i përket gjithë përpjekjes për të luftuar me evazionin, por në radhë të parë me paratë që vijnë nga veprimtaritë kriminale. Kështu që, realisht është një godinë me shumë rëndësi dhe ka një pozicion shumë të favorshëm besoj, se është dhe e shkëputur, por dhe afër qendrës edhe për sa i përket trafikut, por edhe si fazë e parë e asaj që vjen nga mbrapa për të ndërtuar më tej standarde të reja për gjithë pjesën e akademisë, policisë dhe akademisë së sigurisë.” u shpreh Kryeministri.
Së shpejti Shqipëria do të ketë një Pol të ri të Teknologjisë së Informacionit dhe Sigurisë kibernetike, një projekt madhor ky, që aktualisht po zhvillohet përgjatë Unazës së Tiranës, në rrethrrotullimin që lidh zonën e Saukut dhe Liqenin Artificial.
I shtrirë në një sipërfaqe prej më shumë se 9 mijë metër katrorë, projekti i dytë i madh në fushën e mbrojtjes kibernetike pas Qendrës së Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, është një kompleks i madh godinash qeveritare ku do të akomodohen me zyra disa agjenci që operojnë në fushën e informacionit dhe sigurisë kibernetike.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al