Në takimin me kryetarët e bashkive kryeministri pati kritika edhe për procesin e legalizimeve. Rama deklaroi se nuk po bëhet sa duhet, edhe pse në takimin e fundit iu kërkua pushtetit qendror që të japë akses në këtë shërbim.
“E kemi shtruar rrugën që njerëzit të kenë në krah bashkinë”, tha Rama, duke theksuar se duhet më shumë fokus tek procesi i legalizimit.
Kryeministri mori shembullin e Shijakut, por tha se për legalizimet nuk e arrijnë dot, por të luftojnë për vendin e dytë.
“Tema tjetër që është shumë e rëndësishme janë legalizimet. Tani, kemi bërë gjithë ato shkëmbime. Kur bëmë takimin historik të Shkodrës, se meqë Shkodrën e mori Partia Socialiste, mblodhëm gjithë “Partinë e Punës” këtu dhe ishte historik se erdhën dhe demokratët punëtorë. Një nga pikat kryesore ishte, “na jepni akses tek legalizimet” apo jo? Dhe tani kemi shtruar të gjithë rrugën për aksesin tek legalizimet në mënyrë që njerëzit të kenë bashkinë në krah dhe procesi të bëhet shumë më i lehtë, shumë më pak i penguar nga ngarkesa detyrimisht e madhe e Kadastrës etj.
Tani, çfarë presim ne që ta përshpejtojmë këtë proces? Nuk dua të bëj këtu prapë një pasqyrë shifrash sepse dhe këtu është e njëjta gjë dhe nuk dua këtu prapë të përmend emra sepse një nga kryetarët më të zëshëm të bashkive që thoshte “Duhet ta marrë bashkia pjesën e përgjegjësisë” ka një nga nivelet më të ulëta të rezultatit.
Ndërkohë, bashkia më e suksesshme, pa diskutim fare, me tërmetin, bashkia e Shijakut është bashkia absolutisht model për gjithë procesin e legalizimit. Tani, unë nuk mund të them arrini Shijakun sepse nuk e arrini dot. Në këtë pikë nuk e arrini dot. Rakip, ti bën shumë gjëra, por ti Shijakun nuk e arrin dot. Nuk e di pse, nuk e kuptoj çfarë ndodh në bashkinë e Shijakut që ka një shpejtësi dhe një paraqitje të të gjithë procesit dhe të gjithë dokumentit të kujtdo personi. Unë besoj se është kontakti i drejtpërdrejtë, i shpejtë me çdolloj banori, në çdolloj cepi të Shijakut. Unë kështu besoj, por nuk po them të arrini bashkinë e Shijakut, por për t’ju afruar deri në pikën që të paktën të luftoni për vendin e dytë, mund ta bëni këtë gjë, apo jo Xhakoll?
Shijaku nuk ka as liqen, detin e ka larg. Mbase këto janë arsyet që ngaqë nuk ka liqen, nuk ka det, nuk shpërqendrohet shumë dhe fokusohet aty sepse ju keni dhe ato hapësirat turistike, por përtej shakasë, që në këtë rast është më shumë sesa gjysma e së vërtetës, realisht tek legalizimet duhet shumë fokus, nuk ka justifikim. Këto janë temat për të cilat dëshiroja të isha i pranishëm dhe në mbyllje, është një plagë”, tha Rama.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al