Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë për mediat me homologun hungarez, u shpreh se “Viktor Orban ndoshta është më i lehti për ti hedhur fajin për gjithçka që ndodh në botë”, por theksoi se “për mua është një nga personat më të këndshëm për të folur”.
Kreu i qeverisë shprehur mirënjohjen për atë që bëri presidenca e Hungarisë për Shqipërinë, duke shtuar se “bëri të mundur që vendi ynë të hapë pas disa ditësh një grup të tërë kapitujsh”. Rama theksoi se “do të hyjmë një fazë integrimi të përparuar”.
“Viktor Orban ndoshta është më i lehti për ti hedhur fajin për gjithçka që ndodh në botë, por për mua është një nga personat më të këndshëm për të folur për gjera të ndryshme që po ndodhin në botë, por edhe për historinë si instrument nga i cili duhet të mësojmë për tu përgatitur për të ardhmen.
Kam kënaqësi që jam këtu, shpreh mirënjohjen për atë që ka bërë presidenca e Hungarisë për ne, duke nxitur dhe duke bërë të mundur që pas disa ditësh do të kemi mundësinë të hapim një grup të tërë kapitujsh. Do të hyjmë një fazë integrimi të përparuar”, u shpreh kryeministri.
Fjala e plotë e Ramës:
Së pari, më duhet të them që jam vërtetë shumë, shumë i nderuar për mënyrën sesi kryeministri, miku im më prezantoi. Nuk e di nëse është e merituar, por këto fjalë prej tij kanë vërtetë rëndësi të madhe për mua.
Të gjithë e dimë që Viktor Orbán ndoshta është me i lehti për t’i hedhur fajin për gjithçka që ndodh në botë, por për mua ai është një nga personat më të këndshëm për të folur për gjëra të ndryshme që po ndodhin në botë, por edhe për historinë si instrument nga i cili ne duhet të mësojmë për të analizuar dhe për të gjykuar të tashmen, por edhe për tu përgatitur për të ardhmen.
Prandaj është kënaqësi që jam këtu dhe kam kënaqësinë që të shpreh mirënjohjen time të thellë nga zemra për atë që ka bërë presidenca e Hungarisë, pra Presidenca e Këshillit të BE-së për ne, duke nxitur, duke bashkërenduar dhe duke bërë të mundur që pas disa ditësh pra, ne do të kemi mundësinë që të hapim një pjesë të madhe të negociatave me Bashkimin Europian, pra një grup të tërë kapitujsh dhe në këtë mënyrë, ne do të hyjmë në një fazë integrimi e cila është vërtetë e përparuar, e avancuar.
Sigurisht që është vendi dhe momenti për të falenderuar edhe dikë tjetër që nuk është pjesë e qeverisë hungareze, por që është pjesë e qeverisjes europiane, Oliver Varhelyi, Komisionerin e BE-së i cili na ka shoqëruar për 5 vite dhe ka qenë kyç dhe vendimtar për shumë nga ato arritje tonat, pra për këto arritje të rëndësishme, jo vetëm në aspektin dypalësh, ndërmjet nesh dhe BE-së, por edhe në aspektin shumëpalësh, pra me të gjithë ne, në rajon.
Ka qenë vërtetë kënaqësi që të punonim me të dhe nuk jemi të kënaqur që nuk do të kemi mundësinë që të vijojmë të punojmë me të, por i urojmë suksese në të ardhmen dhe sigurisht që i detyrohesha këtë falenderim nga qyteti i vet, nga Budapesti.
Nga ana tjetër, është kënaqësi që të falenderoj kryeministrin, ministrin e jashtëm, qeverinë hungareze për këto pra që thashë. Është edhe një gjë tjetër që për mua, për ne është gjithmonë kënaqësi që të vijmë në Budapest sepse ne e kemi ndjekur gjithnjë dhe e kemi parë Hungarinë si shembull, si model sa u përket reformave të brendshme në administratë, në qeveri, reforma për të gjetur mënyra krijuese që ministritë të jenë sa më efikase si edhe sa i përket një shoqërie ku ka mirëqenie, duke filluar nga kushte jo shumë inkurajuese sa u përket financave. Kështu që ne kërkojmë që të mësojmë gjithmonë e më shumë nga Hungaria dhe nga të gjithë ata që menaxhojnë sektorë të ndryshëm.
Për këtë arsye edhe sot ne biseduam se si mund ta zgjeronim këtë bashkëpunim tonin që në fakt nuk është bashkëpunim në vetvete, por është ndihmesë me një drejtim nga pala hungareze drejt nesh dhe ne nga ana jonë po mësojmë sa më shumë që të jetë e mundur prej tyre.
Ne sot nënshkruam dy marrëveshje mirëkuptimi, në fushën e bujqësisë dhe e dyta në fushën e administratës publike dhe sërish duhet të them që administrata publike është vërtetë shumë e rëndësishme për të gjithë ato vende që janë në procesin e anëtarësimit në BE dhe përvoja e Hungarisë për ne është shumë e rëndësishme.
Ne gjithashtu folëm për investimet dhe i thashë kryeministrit që ne ndihemi të inkurajuar nga fakti që kompanitë hungareze, pra shoqëritë tregtare hungareze po investojnë, por gjithashtu edhe numri i investimeve të drejtpërdrejta të huaja në shifra me euro që vijnë nga Hungaria është i pazakontë duke u krahasuar gjithnjë me vende që janë si Shqipëria në madhësi, pra bëhet fjalë për rreth 350 milionë euro, që është një shifër vërtetë domethënëse për ekonominë tonë dhe është vërtetë mbresëlënës sa i përket performancës së një shteti si Hungaria, gjë që nuk e pret që ta kesh në vendin tënd, pra investime të huaja. Kështu që diskutuam se si mund të arrijmë edhe më shumë në këtë fushë.
Turizmi është një objektiv për shembull dhe ne po shikojmë gjithnjë e më shumë qytetarë hungarezë që vijnë në Shqipëri për pushime. Në bregdetin tonë ky numër është rritur sërish në krahasim me vitin e shkuar dhe për momentin ne po shikojmë një rritje të madhe të turizmit në Shqipëri. 10 milionë turistë kishim vjet dhe sivjet shifra do të arrijë 12 milionë ose më shumë, me aeroportin që ka patur rritjen më të madhe në Europë dhe ne dëshirojmë që të kemi jo vetëm turistë hungarezë të cilët sigurisht i mirëpresim dhe meqë ra fjala, Hungaria është vendi nga i cili ne patëm një mbretëreshë, por ne gjithashtu duam që edhe investimet në turizëm të pasojnë dhe që të kemi flamurin hungarez në Shqipëri dhe na pëlqen shumë flamuri hungarez. Nuk e shikojmë atë fare si kërcenim apo sikur do të na pushtojë dhe në fund, por jo më pak nga rëndësia gjithashtu dëshiroj që t’i shpreh mirënjohjen e thellë kryeministrit Orbán për mbështetjen e tij të palëkundur për Ballkanin Perëndimor dhe jo thjesht mbështetje me fjalë, por me vepra. Si edhe dëshiroj ta falënderoj atë që gjithmonë ka thënë që Ballkani Perëndimor është po aq i rëndësishëm për BE-në sa BE-ja për Ballkanin Perëndimor dhe me kërshëri pres që shumë e më shumë gjëra do të bëhen ndërmjet 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Hungarisë edhe po të mos jetë vetëm në lidhje me gjërat që kanë të bëjnë me Procesin e Berlinit apo me planin e rritjes, por edhe në fushën financiare për aspekte që kanë të bëjnë më të nxënit nga historia dhe për ta gjykuar të tashmen duke u përpjekur që të mos na befasojë e ardhmja.
Zoti Kryeministër, i dashur mik! Është gjithnjë një kënaqësi shumë e veçantë të jem këtu dhe më vjen keq që nuk erdha me këpucët që kërkon protokolli, por kam veshur thjesht disa këpucë të mërzitshme, thjesht të zeza.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al