Kryeministri Edi Rama bëri sot një konferencë për të folur mbi vendimin për ulje të çmimit të energjisë elektrike me 1 lekë për familjet që shpenzojnë deri në 700 kilovat energji në muaj.
Teksa e cilësoi uljen e çmimit të energjisë si një hap historik, Rama tha se falë reformave dhe masave të marra nga qeveria e tij vendin ynë renditet i pari në rajon për vetëprodhim të energjisë solare.
Kryeministri tha se sot Shqipëria 10% të prodhimit të energjisë e ka nga dielli.
Rama: Bazuar në projeksionet e planit tonë strategjik për sovranitetin e plotë energjetik dhe kthimin e Shqipërisë në një eksportues neto të energjisë brenda mandatit tonë të katërt dhe sigurisht duke pasur parasysh edhe parimin e shpallur botërisht të qeverisë sonë për të ndarë me qytetarët frytet e reformave e dhimbshme, frytet e përpjekjeve shumë të mundimshme në këto vite dhe frytet e një rritjeje ekonomike që për vitin 2025 e parashohim në harkun e 4% që është një shifër shumë domethënëse.
Edhe diçka tjetër përpara se t’ia kaloj fjalën zëvendëskryeministres dhe ministres së energjisë për të folur konkretisht për uljen e çmimit dhe për gjithë faktet dhe shifrat që e mbështesin materializimin e jashtëzakonshme të një historie 10 vjeçare përpjekjesh. Kini parasysh disa fakte dhe po përsëris fakte që nuk dalin zakonisht në ekrane dhe në portale se ekranet dhe portalet janë shumë të interesuara për spektaklin e gjysmë të vërtetave dhe për thertoren publike të të gjithë personazheve publikë.
E para, Shqipëria sot falë politikës sonë në fushën e energjisë, falë masave komplekse që ne kemi marrë, qoftë me shtrëngimin e një hapësire tërësisht të shqyer që gjetëm kur gjysma nuk e paguante apo e vidhte energjinë dhe pjesa tjetër paguante dhe për pjesën tjetër dhe falë incentivave është jo vetëm e para në rajon për vet prodhimin e energjisë solare, por me distancë nga i dyti.
Sot Shqipëria prodhon 196 megavat energji elektrike nga subjektet private familjar apo biznese
Në vendin e dytë është Serbia me1/4 e prodhimit të Shqipërisë, 51 megavat. Pastaj Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia janë bashkë në një grup midis 14 dhe 18 megavat. Tre vjet! Tre vjet politikë në kulmin e sfidës nga kriza e madhe që prodhoi në gjithë sektorin energjetik edhe Europës, lufta në Ukrainë.
E dyta, sot Shqipëria 10% të prodhimit të saj e ka nga dielli. Kur ne hymë në këtë fazë ishte zero. Sot e ka 10 % dhe sot flasim për mbi 300 megavat prodhim që bazohet tek politika jonë e mbështetjes për diversifikimin e portofolit në funksion të sovranitetit të plotë energjetik të Shqipërisë dhe të kthimit të Shqipërisë në një eksportues neto të energjisë brenda mandatit të katërt dhe bashkë me prodhimin që nuk është pjesa e kuadrit të masave tona mbështetëse, ka 500 megavat në total, por më e rëndësishme se kjo, sot në kanalin e investimeve që janë të pritshme bazuar në aplikimet e reja kemi 1300 megavat energji diellore, 1.3 giga.
Që do të thotë në total do të arrijmë objektivin e 30 % të prodhimit të energjisë totale nga burime të tjera përveç ujit, kam parasysh diellin, kam parasysh dhe 300 megavat energji ere që janë projekte tanimë ta futura në proces.
Dhe në mbyllje, pse është e rëndësishme kjo? E rëndësishme kjo është për faktin që ndryshe nga ç’thonë të gjithë ata që thonë e thonë por s’dinë çfarë thonë dhe që rrokanisin kokën e opinionit publik me teorinë që ne kemi energji për vete dhe për të tjerët, në fakt në vitet e mira hidrike ne mbulojmë vetëm 75% të nevojave, që të jemi shumë të qartë, prandaj nuk jemi sovranë akoma.
Por ama sot jemi tre vite larg sovranitetit të plotë energjetik sepse 30% të volumit të përgjithshëm që na duhet për të kompensuar, plus riciklimin e prodhimit hidrik përmes teknologjisë së re të pompimit që po e zbatojmë në Shqipëri si një projekt inovativ, në bashkëpunim me StatKraftin për Devollin dhe në mënyrë të pavarur nga KESH për Fierzën, do të na bëjnë që të jemi sovranë. Në vitet jo të mira hidrike dhe kemi pasur disa të tilla, ne e kemi 65% kapacitetin total të prodhimit, pra jemi të varur nga importi dhe nga çmimet e bursave dhe nga krizat e të tjerëve.
Ndërkohë që sot ne ju themi shqiptarëve me shumë krenari, u deshën vite, patjetër se duhen vite, por ne ia dolëm që t’iu shohim në sy e t’iu themi; ata që shpenzojnë dhe që janë rreth 95% e konsumatorëve deri në fashën 700 kilovat orë, do të kenë një ulje të çmimit të energjisë dhe mos harroni, në vitin 2019, pra që sipas meje ishte dhe mbyllja e kësaj fazës së parë për sovranitetin energjetik.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al