Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Javier Perez de Cuellar, udhëtoi drejt Shqipërisë, ku sot nisi bisedimet me udhëheqësit komunistë shqiptarë. Shqiptarët e shohin vizitën si një mundësi, në ecjen përpara të hapjes së vendit të tyre nga izolimi. Kjo është vizita e parë zyrtare e Sekretarit të Përgjithshëm, që bëhet me ftesë të presidentit Ramiz Alia. Mijëra shqiptarë, të rreshtuar në rrugët e ngushta nga aeroporti dhe mijëra të tjera që qëndronin përgjatë rrugëve të kryeqytetit me 300 mijë banorë, i kishin ngulur sytë varganit me 8 makina, që sillte të ftuarit dhe miqtë.
Grumbulli i njerëzve qëndronte në qetësi, si dhe makinat kalonin normalisht përgjatë rrugëve të mbushura me kalimtarë, karroca, kamionë të vjetër dhe autobusë. Por ata kishin ngulitur shikimet te “parada” që po kalonte.
Turi në Europën Lindore
Publiciteti i shumtë i vizitës së zotit Perez de Cuellar, që është duke bërë turin në vendet e Europës Lindore, në kuadrin e Kombeve të Bashkuara, ishte vlerësuar shumë si nga shtypi shqiptar, ashtu dhe nga prania e dhjetëra përfaqësuesve të mediave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Spanjës, Brazilit, Francës, Portugalisë, Kinës, Japonisë, Gjermanisë Perëndimore dhe Italisë.
Në mënyrë të dukshme, zoti Alia, e përdori praninë e shefit të Kombeve të Bashkuar dhe të gazetarëve të huaj, për qëllimet e tij, që të mënjanojë elementët që ishin kundër politikave demokratizuese të tij, besnikë të stalinizmit, të mbetur në organizatën politike të Partisë së Punës, e quajtur këtu si Partia Komuniste.
Zoti Alia është në pushtet që kur vdiq, në vitin 1985, paraardhësi i tij, Enver Hoxha, por vetëm së fundi, ai ka lëvizur në ndryshimin e politikave autoritare të njeriut, që sundoi Shqipërinë për katër dekada.
Zyrtarë të qeverisë shqiptare dhe gazetarë, por edhe Ismail Kadareja, shkrimtari më i lexuar në vend, në një intervistë të shkurtër të dhënë sot, nënvizoi se “vizita e zotit Perez de Cuellar do të konsiderohet si pjesë e procesit të demokratizimit në Shqipëri”. “Ka hare tek njerëzit, rreth zhvillimeve të këtyre ditëve”, – tha ai.
Ndjesia e ndryshimit rrënjësor
Ka një ndjesi këtu, që për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria është duke shkuar drejt ndryshimit rrënjësor; nga mbajtja nën kontroll në mënyrë të ashpër e shtetit komunist, tek një shoqëri gjithnjë e më përfshirëse dhe futja e elementëve të demokracisë.
Vizita nisi me protokollin tradicional në aeroport. Sekretari i Përgjithshëm shtrëngoi duart me ambasadorët e shteteve të Lindjes dhe Perëndimit, që ndodheshin këtu. Në fjalimin e mirëseardhjes, ministri i Jashtëm Reis Malile, vuri theksin në reflektimin e pozicionit të ri të Shqipërisë.
Petraq Pojani, përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme, tha se zoti Malile, shprehu dëshirën që; “Shqipëria të forcojë bashkëpunimin me Kombet e Bashkuara dhe të bëjë çdo përpjekje që të kontribuojë në strukturat e OKB-së, ku Shqipëria për një kohë relativisht të gjatë, ka qenë një anëtare joaktive”.
Zoti Malile theksoi se; Shqipëria është “një vend i vogël”. Popullsia e tij është 3.3 milionëshe.
Por ai tha se; “që tani e tutje, Shqipëria ka menduar që të marrë pjesë aktivisht, jo vetëm në Kombet e Bashkuara, por edhe në bisedimet për bashkëpunimin e 6 shteteve të Ballkanit, të nisura dy vjet më parë në Beograd dhe në Konferencën e Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Europë me 35 anëtarë”.
Çështja e të 6-tëve në Ambasadën Italiane
Në fjalën e tij, zoti Perez de Cuellar, vlerësoi “qëndrimin e fortë për pavarësi të Shqipërisë”. Ndonëse bisedimet e tij u fokusuan për çështjet e përgjithshme ndërkombëtare, ka mundësi që sekretari i Përgjithshëm, mund të jetë përplasur për një çështje të veçantë.
Gjashtë shqiptarë kanë kërkuar strehim politik në Ambasadën Italiane, që në dhjetorin e vitit 1985 dhe kanë refuzuar që të largohen, megjithëse u është dhënë një shpresë për viza dalëse.
Kjo nuk ka ndryshuar, megjithëse Parlamenti këtë javë, kaloi një ligj që lejon të gjithë shqiptarët që të udhëtojnë kudo, jashtë vendit.
Sipas një zyrtari shqiptar, zoti Perez de Cuellar, mund të ketë kërkuar që të pajisen me një leje diplomatike 6 shqiptarët dhe të largohen nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara. Memorie.al
Nga David Binder
Artikulli është publikuar më 12 maj 1990
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al