“Range Rover-i” i bërë shkrumb e hi/ Pamjet e makinës së djegur pas atentatit me tre viktima dhe 1 të plagosur në Shkodër! Brenda saj u gjetën…

Oct 30, 2024 | 21:13
SHPËRNDAJE

Janë publikuar pamjet e makinës së djegur “Range Rover”, e cila u gjete pak minuta pas atentatit në Shkodër, ku mbetën të vrarë Hamza Lici, Arlind Bushati dhe një kalimtare e rastit, ndërsa u plagos bashkëshorti i kalimtares.


Siç shihet edhe në këto pamje, makina që dyshohet se i përket autorëve të atentatit është djegur plotësisht. Ndërsa policia ka arritur që të zbulojë brenda saj dy automatike, që autorët dyshohet se i kanë përdorur në krim.

NGJARJA

Policia sqaron se Hamza Lici dhe Arlind Bushati kanë qenë duke lëvizur me një automjet tip Benz, kur janë sulmuar me breshëri kallashnikovi nga persona ende të pa identifikuar. Për pasojë Lici ndërroi jetë, ndërsa Bushati u plagos në gjendje të rëndë, por nderroi jete me vone ne spital.

Hamza Lici dhe Arlind Bushati ishin duke u kthyer nga Mali i Zi kur makines se tyre iu be pritë.

Si pasojë e të shtënave, makina  e tyre ka humbur kontrollin, duke u përplasur me një motor, ku po udhëtonin bashkëshortët Bashkim dhe Flutura Basha. Për pasojë kjo e fundit ndërroi jetë, ndërsa burri i saj u plagos.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Shkodër, si dhe janë nisur në ndihmë 2 grupe të Repartit Special “RENEA”.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet në terren dhe në  ambiente të ndryshme, si dhe kanë ngritur pika kontrolli, për të bërë të mundur kapjen e  autorëve.

ARLIND BUSHATI

Arlind Bushati, i cili mbeti në këtë atentat i plagosur rëndë, është djali i Xhemal Bushatit, ish kandidatit të Partisë Demokratike për kryetar bashkie të Shkodrës në zgjedhjet e pjesshme vendore të vitit 2022.

Pak ditë më parë Arlind Bushati u kërcënua me armë para një lokali në qendër të qytetit të Shkodrës, fare pranë banesës së tij, nga dy persona që po lëviznin me një motoçikletë.

Ai bëri një denoncim në policinë vendore, por pa bërë të ditur nëse kishte identifikuar apo jo autorët. Ndërsa në mars të vitit 2022 banesës së prindërve të tij iu vu një sasi tritoli.

KONFLIKTET 

Prej disa vitesh, familjet e njohura Lici dhe Bajri, në Shkodër janë në përplasje me njëra tjetrën, ç’ka ka shkaktuar edhe disa viktima. Përplasja dyshohet se ka nisur pas një atentati, në janar të 2018, ndaj biznesmenit Lulzim Kulla. Shpërthimi i telekomanduar shkaktoi tetë persona të plagosur, mes të cilëve dhe Kulla. Më 18 qershor, u vra në servisin e tij Mehdi Kavaja, vrasje e dyshuar për hakmarrje.

Më 15 korrik të vitit të 2018, poshtë banesës që kishin me qira ekzekutohen çifti Boran Bërçana dhe Silvi Ndoci, kur në makinë ndodhej edhe një fëmijë 3 vjeç, që u shpëtoi mrekullisht plumbave. Ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin Bajri.

Në gusht 2018 u ekzekutua me breshëri kallashnikovi Fatbardh Lici, vëllai i Mustafa Licit. Më 23 gusht zhduken shtetasit Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, nip dhe dajë, që dyshohet se kishin lidhje me fisin Lici. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, më 1 shtator të vitit të 2018 u vra Arjan Ferracaku, që ishte duke ecur me kalë.

Më 14 nëntor u ekzekutua kushëriri i Arjanit, Fatos Ferracaku, kur shiste peshk në lagjen “Rus”. 30 mars 2019, vriten në shtëpi Astrit e Ibrahim Bilali . Saga e vrasjeve vazhdoi me Endri Mustafën dhe autor dyshohet Ibrahim Lici.

Një pjesë e këtyre ngjarjeve kanë dalë edhe në bisedat e zhvilluara në SKY dhe ECC dhe po hetohen nga SPAK.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura