Raporti i Bankës Botërore: Rritja e pagës minimale dhe rrogave të administratës në Shqipëri ka zgjeruar hendekun me produktivitetin

Oct 18, 2024 | 9:12
SHPËRNDAJE

Rritja e vazhdueshme e pagës minimale por sidomos rritjet e forta të pagave të bëra në sektorin publik në disa kategori, kanë zgjeruar hendekun mes pagës dhe produktivitetit.

paga-minimale-max-1024x683

Një raport i fundit i Bankës Botërore titulluar “Ruajtja e vrullit te rritjes ekonomike” ngre pikëpyetje lidhur me faktin nëse këto rritje pagash janë të qëndrueshme.

Konkretisht banka vëren se në raport me vitin 2015 hendeku është zgjeruar dhe kryesimin e ka Shqipëria sa i takon vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo do të thotë se punonjësit po marrin paga më të larta por produkti për njësi apo puna e tyre nuk ka ndjekur të njëjtën rritje.

“A është e qëndrueshme nj rritje e tillë pagash duke pasur parasysh që ka tejkaluar rritjen e produktivitetit që nga 2015-a? Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, rritja e pagave nuk ka reflektuar rritjen e produktivitetit që nga 2015-a dhe rritjet e fundit të pagave kanë zgjeruar hendekun paga-produktivitet.

Ky hendek është më i dukshëm në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut. Faktorët kryesorë që kanë kontribuar për këtë janë rritjet automatike të pagës minimale në disa vende, rritjet e forta të pagave në sektorin publik dhe një mungesë rekord e punonjësve siç tregohet në Barometrin e Biznesit në Ballkan në vitin 2024.

Për periudhën 2019–2024, Barometri i Biznesit në Ballkan sugjeron se mungesat e fuqisë punëtore po shkojnë nga të qenit një pengës e vogël tek e moderuar për biznesin”.

Shqipëria vitet e fundit ka aplikuar disa rritje të njëpasnjëshme pagash sidomos në administratë për kategori të ndryshme. Më e fundit ishte ajo e lajmëruar gjatë shtatorit që prek stafet e bashkive.

Një vendim i kaluar në qeveri parashikonte se rritja e pagave do të përfshinte kryebashkiakët, nënkryetarët, drejtorët dhe pjesën tjetër të administratës të njësive të qeverisjes vendore një rritje kjo që llogaritet deri në 40 për qind.

Në korrik të këtij viti gjithashtu u njoftua rritje për punonjësit në arsim konkretisht mësues/edukatorë, instruktorë), punonjësit e shërbimit psiko-social, si dhe punonjësit e tjerë jomësimorë, që shërbejnë në institucionet arsimore të sistemit arsimor parauniversitar në: a) arsimin parashkollor; b) arsimin fillor; c) arsimin e mesëm të ulët; ç) arsimin e mesëm të lartë; d) institucionet arsimore për përkujdesjen për kategori të veçanta të nxënësve; dh) qendrat kulturore të fëmijëve; e) konviktet e nxënësve.

Një tjetër rritje u aplikua edhe për mjekët që në disa raste shkonte deri në 25 për qind.

Disa kategori të tjera ku pati rritje pagash ishin Forcat e Armatosura, zjarrfikësit ( deri në 30%), punonjësit e burgjeve.

Një vit më parë deputetët votuan një rritje të theksuar të pagave të tyre si dhe të qeverisë. Sa i takon pagës minimale, ajo sot është 40 mijë lekë teksa qeveria ka paralajmëruar për një tjetër rritje në vazhdim./Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura