DASHNOR KALOÇI/ Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë, për në Turqi dhe si rezultat, u emërua si mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës.
Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”.
Dalja nga burgu dhe lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë.
Dokumenti tepër sekret me raport-informacionin e hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Leko Gurmi, me të dhënat e ish-bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Guximtari”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit dhe personave që ai takonte
TEPËR SEKRET
RAPORT
Mësova për arrestimin e Faslli Ramadanit, për këtë po i’u informoj mbi disa konstatime, si fqinjë që e kisha dhe disa gjëra të tjera.
Prej më shumë se një viti kam vërejt se ai bën një jetë me harxhime të shumta, me një hyrje-dalje të shumtë. Për çdo ditë, ashtu siç më ka thënë dhe vetë, ka ngrënë në shtëpi mish me sasira të mëdha – drekë, darkë, dhe vetë përdorte me gruan dhe verë për drekë e darkë, pra shpenzimet ishin shumë shumë më të mëdha, se të ardhurat që kishin burrë e grua, duke blerë edhe gjëra.
Si si p.sh.: biçikletë të re kineze, bëri një kostum me jelek, orë dore për gruan dhe për çdo ditë harxhonte dy paqeta cigare “Diamant”, duke u blerë fëmijëve tuta, vajzës triko leshi dore. Sa herë që i kam vajt si fqinjë, kam gjetur njerëz që i priste me kafe, duke i pyetur: “doni konjak, apo fërnet”.
Dhe unë i kam thënë se: “shumë hyrje dhe dalje ke”, dhe ai më është përgjigjur se, një pako 9 lekëshe i shkon dy ditë. Bile, para katër-pesë muajsh më tha: “Bëra fjalë me Idriz Shoshin, i cili më tha se: ‘je veshur si kont’ dhe unë i thashë se: ‘jo vetëm se kaq, por çdo vakt, për çdo ditë, ha mish e verë dhe po të duash ik e raporto”.
Është e vërtetë, se frutat, rrush, mollë, fiq, portokallte, sipas stinës, tek ai qëndrojnë mbi tavolinë në disa kilogram, për çdo ditë.
Muajt e fundit, gati gjashtë muaj, ka qëndruar me raport duke marrë rrogën jo të plotë, megjithëkëtë, ai si vitin e kaluar, ashtu dhe sivjet, ndejti gjatë verës mbi dy muaj në plazh në Golem, ku vitin e kaluar, ishin me Kapllan Resulin.
Sa herë që vinte nga plazhi, për t’u furnizuar, blinte veç të tjerave, 5-6 shishe verë, raki, 2-3 shishe, 4-5 shishe vaj ulliri, duke e bë këtë vetëm kësaj vere dy herë. Bile këtë verë, erdhi me biçikletë nga Golemi.
Sa herë që kam vajtur, të ardhurit, nga ik dy, e eja tre, m’i ka prezantuar si farefisin, gjoja të gruas. Çdo ditë e në çdo kohë, me Fazlliun në shtëpi, gjendesh Ajet Tanushi, vinin shpesh doktoresha (fisi i gruas), me të ëmën, dhe si mik i rëndë, Kapllan Resuli, i cili kishte raste të rrinte pesë ditë, me dreka e darka të rënda, me raki e mezera, e në fund sofra. Kur i vinte Kapllani, Faslliu nuk shkonte në punë, se me doktoreshën (siç më ka thënë vetë), nxirrte raporte.
Para tre muajsh, takoi Kapllanin para Komitetit Ekzekutiv, i nisur ky për të takuar shokët në Bar “Flora”, dhe i them që të pinim kafe, ai nuk desh në fillim, po pastaj me mërzitje pranoi dhe shkuam në “Flora”.
Aty e priste Myrteza Bajraktari, i cili sa hymë, u bezdis dhe pagoi kafetë dhe iku, duke i thënë, se po vij, e të përcjell në orën pesë për të treni dhe iku.
Kështu, aty pas katër-pesë minutash, erdhi një mësues, (siç ma prezantoi Kapllani), në Lushnje – kosovar, dhe pa u ulur, i tha Kapllanit: “Hejt të ikim, se kemi punë për të blerë fletore”, e kështu ikën.
Para një jave, e shoqja e Kapllanit, erdhi te Fazlliu, ime bijë kur shkoi për të marrë një libër shkollor tek e bija e Fazlliut, e gjen me lot ndër sy dhe i thotë se ç’kishte ngjarë.
Ajo mësoi se kishte dy tre ditë që Kapllani është zhdukur, e shqetësuar. Ahere, të nesërmen, te qumështi, takoi Fazlliun dhe e pyes: “ç’i kishte ngjarë Kapllanit”?
Ai (Fazlliu), më tha: “Ka tre katër ditë, që ai nuk dihet se ku është, ka thënë se po vete për rrogën në Seksion të Arsimit dhe nuk është kthyer më, më tha: ç’më duhet puna e Kapllanit, secili varet për këmbët e veta” dhe u largua.
Një natë më vonë, ime shoqe, e shikon Fazlliun duke rendur me biçikletë te unaza e “21 Dhjetorit”, dhe të zbërthyer, të shashstisur, e pyet se ç’kish Fazlliu. Ai i ishte përgjigjur se: “Po iki në Durrës, se kam një punë urgjente”.
Atë ditë kur qe arrestuar Fazlliu, vjen me të rendur Gjergj Marashi, akoma bile pa ikur ata të kontrollit dhe i thotë sime shoqe, se: si është puna, i shqetësuar dhe duke ju lutur sime-shoqe, i thotë:
“S’ka lezet, të shkojmë dhe ta ngushëllojmë, se ajo s’ka faj”, për të mësuar sigurisht diçka për këtë, se ishte i shqetësuar dhe shkon futet brenda ime shoqe te dera, disa minuta pas largimit të kontrollit dhe e pyet të shoqen e Fazlliut, se ç’donin, si ishte puna, e ç’gjetën”.
Fazlliu, siç kam sinjalizuar shokët Orhan e Andrea Markon, ka qenë burimi i përhapjes së thashethemeve armiqësore, siç ka qenë rasti, që trilloi, “për arrestimin e shokut Kiço Ngjela”, dhe “internimin e familjes së tij”, siç thoshte Fazlliu, “internimin e pashë vetë”, duke thënë se kjo është më se e vërtetë dhe bile e ka burimin nga brenda, nga Ministria e Brendshme, se, “këto ja thosh Ajet Tanushi”, e sa e sa të tjera.
Në rastet e dy fletë-rrufeve, në Kombinat ku punonte, ku kishte raste atakimesh, midis të tretëve, ky konceptonte fletë-rrufetë për të tjerët, për të nxitur, po ashtu dhe me një vitin e kaluar, në NTLFZ, i cili për një kohë të gjatë vazhdoi para Pallatit dhe më në fund u përjashtua nga partia.
Ky njihesh, se në spital, një ditë më prezantoi dhe më tha për të: “Ja ky është ai burrë, që e tund me fletë-rrufetë, para Pallatit i NTSHFZ-ët”.
Kapllani një e dy në Shkodër. Kjo më pat ra në sy, e më bënte përshtypje dhe kam sinjalizuar në Degën e Brendshme, për t’u përkujdes vajtjet e tij në Shkodër. Këtë e kam bërë nëpërmjet sh. Caci.
Posa kisha ardhur nga Kina, Kapllani më erdhi për vizitë, mbasi u takuam, filloi të më tregonte për Tetovën.
Midis të tjerash më tha se po shkruante një roman për kushëririn tim të vdekur në borë nga UDB-ja dhe desh ca të dhëna mbi rininë e tij, si djal axhe që e kisha.
Kështu ra fjala e Tetovës dhe tregoi se në Tetovë kish punuar një vit si arsimtar dhe ishte martuar me një vajzë, vëllanë e të cilës, unë e njihja, Qemal Hajrullai, agjent i regjimit të UDB-së.
Ai më tha se të dhëna do të merrte nga Ismet Bajrami në Vlorë, i cili i kishte premtuar dhe po e priste. Ai për të më siguruar se më njeh mua, nëpërmjet tetovarëve, më tha: “Ore unë e di, dhe shtëpinë tënde, a ke një pemë afër dritares së shtëpisë sate”?
Dhe unë i habitur se si për një vit arsimtar, ai të dinte dhe pemën para shtëpisë sime, i thashë: “Ore, po ç’të është dashur të shkosh te shtëpia e një të arratisuri, nuk kishte frikë”?! Ai m’u përgjigj si i hutuar:
“Nga simpatia e krijuar sa mësova për ty në Tetovë, vajta në katundin tat me të pa shtëpinë dhe më shpuri një kushëriri yt, Sabri Sadiku”. Njeri ky, i njohur, agjent i UDB-së, e që ahere, unë fillova ta shikoja me syrin e një të dyshimti, këtë Kapllanin, që kur erdha nga Kina, kishte marrë nam e kapardisej.
Ja se ç’më tregoi njëherë: “E kam prish me Skënder Backën, me atë e kam pas trash, një natë, kam prish me të 2.500 lekë në “Dajti”, bashkë edhe me Idriz Sheshin”.
Myrteza Bajraktari, “biri i Izmet Fejzullait”, siç e quante ai veten, dhe Ismeti, kishte simpati për “axhën Izmet”, i cili nxori dhe bursën siç ma tha ahere Myrtezai, kur sipas porosive që kishte marrë Sali Shatri, nga Izmet Fejzullai, që me t’i dalë bursa në Ministri, të njoftohesh telegrafisht dhe atë ditë që porsa arrin Myrtezai, si kishte marrë telegramin, takoi para “Sahatit” Saliun, dhe i tha: “E mora telegramin, shumë faleminderit”, dhe Saliu e porosit që të paraqitej në fakultet.
Ai ka një shënim të gjatë për Sabaudinin, dhe njëherë që i vajta në shtëpi, për urime martese, më tregoi fotografitë e të vëllait, Xhemal Hyseni, (Bajraktari), i cili është kolonel, të cilin e kam pas shok klase në Prishtinë më 1943-in.
“Tetova”
U orientua për të na njoftuar herë mbas here për komentet që do të ketë në radhët e emigracionit për goditjen./ Marrë nga Memorie.al
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al