Reali është ndryshe pa Kros/ “Los Blancos” ka humbur elementin surprizë dhe vertikalizimet

Oct 18, 2024 | 21:02
SHPËRNDAJE

Në javët e para të se zonit të ri, Reali i Madridit e kishte të vështirë të krijonte dhe materializonte rastet e krijuara. Në këto javë të para, kampionëve të Spanjës iu desh të luanin kundër skuadrave që luajtën të mbyllura në mbrojtje si Majorka, ndaj të cilës barazoi 1- 1, apo Vajadolidit, ndaj të cilit fitoi 3-0, por që e pati të vështirë sa të shënonte golin e parë.

KROS

Më tej kundër Las Palmasit dhe Espanjolit iu desh të rikuperonte rezultatin, i gjendur në disavantazh. Gjetja e boshllëqeve në mbrojtjet rivale nuk ishte e lehtë. Në shumë prej tyre Reali mjaftohej me një zotërim të gjatë të topit në kërkim të mënyrave për të kaluar përmes mbrojtjeve. Por zhvendosja e topit nga njëra anë në tjetrën kërkon më shumë prekje, gjë që e bën më të lehtë punën për mbrojtjet, sidomos ato që lëvizin si bllok.

Këto janë kryesisht pasime të sigurta, nga një lojtar te tjetri derisa të arrijnë në anën e kundërt, gjë që çon në qarkullim më të ngadaltë, duke i humbur rrezikshmërinë aksioneve dhe duke i mbyllur sulmuesit në darën e mbrojtjeve. Një fakt i habitshëm që ofron “Opta” dhe që e përforcon këtë ide është se skuadra e Ançelotit është vetëm e nënta në La Liga me më shumë pasime të filtruara (11), larg 27 të Barcelonës. Reali po bën më shumë pasime në gjysmëfushën e kundërshtarit, por varet çfarë bën në zonë.

SHKOJMË PAK MË TEJ – Le të bashkojmë gjithçka të shpjeguar deri më tani me disa raste të palëve të sipërpërmendura që shërbejnë për të vizualizuar diçka që është thënë. Për shembull, në ndeshjen e parë kundër Majorkës, me rezultatin ende pa gola. Zotërim i gjatë i topit (98 sekonda), 34 prekje dhe 32 pasime, shumë prej tyre në fushën e kundërshtarit. Por asnjë ndryshim i lojës. Vetëm disa pasime të mesme dhe horizontale.

Kundër Vajadolidit, diçka e ngjashme. Me rezultatin ende të fiksuar në barazim pa gola dhe pa shanse të qarta. Në këtë rast janë 76 sekonda zotërim i topit, 25 prekje dhe 20 pasime, pjesa dërrmuese e tyre në distancë të shkurtër dhe horizontalë. Nuk ka asnjë që depërton. Asnjë vertikalizim. Asnjë ndryshim orientimi. Në javën e tretë, në transfertë ndaj Las Palmasit, me rezultatin 0-1 në favor të vendasve, trendi u përsërit.

Gjithçka si një fotokopje me një sekuencë më të shkurtër pasimesh dhe kohe, por që ilustron shumë mirë qarkullimin e parashikueshëm dhe pa thellësi. Për të mbërritur te ndeshja kundër Espanjolit. Me këtë rast madrilenët kanë pasur një pjesë të parë të mirë, me më shumë shpejtësi në lojë. Por, përkundër zhvillimit të ndeshjes, rivali i tij mori epërsinë. Në këtë rast, Reali u zgjua duke luajtur më vertikalisht, por pa ide të qarta. Këto janë vetëm disa shembuj të parashikueshmërisë së lojës së bardhë në këtë fillim lige, ku ka munguar ndryshimi i lojës, që mund të jetë në gjendje të shkatërrojë një mbrojtje, qoftë edhe për disa sekonda.

Mjafton të gjesh boshllëkun e pasmë që të jep mundësinë për të krijuar një mundësi goditje drejt portës. Pikërisht aty del në pah vizioni i lojës së Toni Kros dhe pasimi i saktë i gjermanit, që nuk është më. Gjermani, i mbështetur gjithmonë në anën e majtë kur topi lëshohej, përdori burimin e ndryshimit të orientimit drejt zonës ku shfaqeshin Valverde ose Karvahal. Ndonjëherë shërbeu për të liruar disi zonën e tyre të veprimit, por për shumë të tjera për të thyer rrjetën e merimangës të një rivali të mbyllur. Kjo lloj loje është zhdukur pothuajse tërësisht në Madrid pas largimit të Toni Kros. Për të bërë një analizë koncize, është e nevojshme të kufizohen qartë dy zona:

Zona e nisjes së pasimit dhe zona e marrjen së pasimit. Domethënë kalimi nga “zona Kros” në “zonën Karvahal/Valverde”. Duhet të kihet parasysh se ka ndryshime loje që nuk përfshihen në këtë analizë, sepse janë përcaktuar dy zona specifike dhe Kros me siguri ka bërë pasime të ngjashme edhe në zona të tjera, por që janë jashtë atyre koordinatave. Le të marrim fragmente nga një ndeshje për ta kuptuar plotësisht. Po luhet në krahun e majtë, me një grumbullim të lartë lojtarësh nga skuadra rivale, deri në pesë syresh. Aty ndërhyn Kros që bën ndryshimin e lojës për t’i nxjerrë mbrojtësit jashtë rrezes dhe për t’i dërguar në pjesën e pasme të pjesës së brendshme të majtë.

Topi zhvendoset në krahun tjetër, me të gjithë ekipin rival që detyrohet të lëvizë pozicionet për të rikuperuar boshllëqet e krijuara nga ky ndryshim loje. Mjafton një pas i thjeshtë, por me prekjen e një gjeniu që mbrojtja të prishë radhët. Sigurisht që jo të gjitha ndryshimet e lojës rezultojnë njëlloj të suksesshme. Shpesh ato neutralizohen. Por nëse pasimi ia del, rezultati është dërrmues për rivalin. Kros monopolizon gjithçka.

Sezonin e kaluar ai bëri 0.98 përpjekje (për ndryshimin e lojës) për 90 minuta, duke ia dalë me sukses në 0.78. Pas tij ishte Bellingam, vite dritë larg: 0,25 përpjekje nga të cilat 0,22 të suksesshme. Ajo që e bën edhe më të veçantë Toni Krosin është njëtrajtshmëria e tij, të qenit konstant.

Në sezonin 2022-2023, Kros kishte shifra të ngjashme: 0.98 tentativa për 90 minuta dhe 0.82 të përfunduara me sukses. Sebajos e pasoi me përkatësisht 0.69 dhe 0.64 saktësi. Në sezonin 2021-2022 gjermani shkoi në 1.65 përpjekje dhe 1.29 të kompletuara. Modriç ishte prapa me 0.26 (të gjitha të suksesshme). Edhe në sezonin 2020- 2021 ai testoi 1.13 herë veten dhe ishte i saktë në 0.85, përpara Serxhio Ramos (0.93 dhe 0.53).

SITUATA AKTUALE – Ishte koha për të parë se kush mund të merrte atë lloj veprimi këtë sezon dhe askush nuk ka guxuar përpara me autoritet. Sezoni është ende shumë i gjatë, por deri më tani është evidente se madrilenët e kanë pasur më të vështirë se zakonisht për të shënuar. Arsyet mund të jenë disa dhe jo vetëm për shkak të mungesës së ndryshimit të lojës.

Por është e pamohueshme që ajo është një armë që skuadra e ka humbur plotësisht. Dhe, në më shumë se një rast, ai (Kros) do t’i kishte dhënë zgjidhje. Deri në gjetjen e një tjetër Krosi, për mirë apo për keq, ky Madrid është ndryshe.

KUNDER MAJORKES KUNDER LAS PALMAS

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura