Reflektime mbi arsyet e vrasjeve në familje

Sep 7, 2024 | 8:35
SHPËRNDAJE

NGA MIRANDA RIRA mirandarira

Ngjarja e rëndë e pak ditëve më parë, ku një i ri në Shënavlash, Durrës, vrau babain e tij Enver Balla 62 vjeç dhe mëë pas e hodhi atë në pusin e shtëpisë, na ka lënë të gjithëve pa fjalë. Për nga magnituda e krimit, kjo ngjarje i ngjan tragjedisë së ndodhur pak muaj më parë në të njëjtin fshat, ku 3 fëmijët vranë babanë e tyre dhe më pas e groposën atë në kasollen e bagëtive. Në shoqërinë shqiptare është shumë e njohur vrasja e grave apo femicidi, vrasje të kryera nga burrat apo ish-bashkëshortët e tyre, gra që janë në proces divorci edhe pse me urdhër mbrojtje, janë masakruar nga njeriu që dikur ato kanë dashur më shumë.

Po ashtu, vrasja e fëmijës/ve nga prindi i vet i njohur si filicide (rrjedh nga latinishtja filius dhe filia që do të thotë bir ose bijë dhe cide-të vrasësh) është një dukuri e rrallë, me përmasa tejet tragjike dhe të pakonceptueshme, siç ishte rasti i një emigranteje shqiptare në Itali, Edlira Dobrusha, e cila vrau me thikë në gjumë të tria vajzat e saj të mitura, si hakmarrje ndaj bashkëshortit të saj, pasi ai kishte zgjedhur të ndahej nga nëna kriminele. Vrasja e babait nga fëmija/ët njihet me emrin patricide. Etimiologjia e kësaj fjale vjen nga latinishtja, patr-baba dhe cide-të vrasësh. Të dyja rastet e Shënavlashit na tregojnë se kemi të bëjmë me një patricid, pra vrasje e babait nga djali apo nga 3 fëmijët e tij. Të dyja ngjarjet janë të pashoqe për nga dramaciteti dhe tipologjia e krimit. Me të drejtë, shumë prej nesh pyesin: Ç’po ndodh me familjen shqiptare? Cilat mund të jenë shkaqet dhe arsyet që mund të shtyjnë një të ri të vrasje e më pas të hedhë në pus babanë e tij apo 3 fëmijë të vrasin e më pas të groposin babain e tyre? Për më tepër, babain e konsiderojnë të zhdukur dhe sillen normalisht sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Le të mundohemi të hedhim dritë mbi disa nga studimet dhe qasjet teorike kryesore që shpjegojnë sjelljen devijante dhe krimet brenda familjes. Sipas Sigmund Freud-it, i cili është i njohur ndryshe si babai i psikanalizës, “të gjitha qeniet njerëzore kanë instinkte dhe pasione, të cilat fshihen tek e pandërgjegjshmja. Për pasojë, të gjithë njerëzit kanë prirje kriminale” (Freud, S., 1916). Ai besonte se çdo qenie humane kishte një botë të pandërgjegjshme, e cila e kishte prirje drejt shkatërrimit dhe e quajti këtë instinkt, instinkti i vdekjes ose thanatos. Në instinktin e jetës bëjnë pjesë instinkti i urisë, i etjes dhe ai seksual. Instinkti i jetës, ose erosi, është kryesor, pasi ai drejton jetën e individit. Ndërsa thanatos-i, ose instinkti i vdekjes, sipas Frojdit, ishte burimi i ankthit, zemërimit, urrejtjes, agresionit dhe i shkatërrimit. Kështu, agresiviteti, zemërimi dhe urrejtja janë gjithnjë në “luftë” me erosin, me jetën, me mbijetesën dhe seksin. Në këtë kontekst, tek individi dhe tek e pandërgjegjshmja e tij fshihen apo depozitohen këto ndjenja, të cilat te njerëzit psikopatikë shfaqen më me lehtësi.

Nëpërmjet procesit të shoqërizimit, këto prirje janë rezultat i një zhvillimi dhe kontrolli të brendshëm, që mësohet që në fëmijëri. Ka fëmijë që mund të kenë çrregullime personaliteti, gjë që i shtyn ata në impulse antisociale të drejtuara së brendshmi ose së jashtmi. Fëmija që i drejton ato së jashtmi bëhet kriminel, ndërsa ai që i drejton ato së brendshmi bëhet neurotik. Te vepra “Psikanaliza” Frojdi theksonte se sjelljet kriminale lindin si pasojë e shtytjeve ose nxitjeve instiktive. Pra, sjelljet kriminale të personave delikuentë janë rezultat i ndikimit të faktorëve psikikë të brendshëm, të nxitjeve nga e pandërgjegjshmja, nga pavetëdija, ku fshihen pasionet dhe ëndrrat e individit. Një ndikim të veçantë te sjelljet kriminale kanë edhe motivet seksuale. Këto nxitje sipas tij janë aq të forta, saqë individi nuk mund të arrijë që t’i kontrollojë ose t’i shtypë ato. Personat që nuk kanë pasur zhvillim normal të personalitetit të tyre, janë më të prirur të jenë pre e këtyre nxitjeve instiktive me natyrë seksuale.

Pra, libido ose instinkti seksual luan një rol të rëndësishëm te sjellja e njeriut, pothuajse gjatë gjithë jetës së tij. Kësisoj, të gjitha krimet seksuale monstruzoe të ndodhura përgjatë viteve të fundit në shoqërinë tonë mund të shpjegohen se tek personat psikopatologjikë, kur ka deformime dhe çrregullime personaliteti, ato mund të manifestohen në krime seksuale, madje edhe brenda anëtarëve të familjes ose personave që kanë lidhje gjaku, kryesisht në formën e incestit. Shumë sociologë dhe psikologë socialë presupozojnë se një individ kryen veprime deviante, kur lidhja e tij me shoqërinë është e dobët ose kur ajo nuk ekziston fare. Sociologët e vënë theksin te raporti dhe lidhja që krijon individi me grupet e tjera sociale, me familjen, me shkollën ose grupin e shokëve, të cilat luajnë rol të pazëvendësueshëm në shoqërizimin e tij. Në ato raste kur kjo lidhje është e dobët, individi ndihet i huaj dhe i përjashtuar nga shoqëria së cilës ai i përket. Tëhuajëzimi është aq i fortë, saqë individi përjeton një gjendje anomie, një ndjenjë përjashtimi që e bëjnë atë të ndihet inekzistent, i panevojshëm, i padobishëm. Dhe një nga tiparet e kohëve moderne është pikërisht vetmia që kalojnë fëmijët apo të moshuarit, që i bëjnë ata të përjetojnë pikërisht këto ndjesi, ku jeta dhe motivi për të jetuar sipas perceptimit të tyre është i kotë. Studiuesi Travis Hirschi mendonte se ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis kontrollit dhe delikuencës.

“Sa më shumë të dobësohen grupet ku bën pjesë individi, aq më pak ai varet prej tyre, për pasojë bazohet më shumë te vetja e tij dhe nuk njeh rregulla të tjera të sjelljes përveç atyre të fshehura në interesat e tij private”. Teoritë e kontrollit pohojnë se njeriu kryen sjellje deviante, atëherë kur ai i shkëput ose i dobëson lidhjet me shoqërinë. Pra, lidhja dhe shoqëria, janë dy koncepte bazë për të kuptuar këtë teori. Psikopati apo njeriu neurotik karakterizohet nga një lidhje e pamjaftueshme me të tjerët, ai heziton t’u përgjigjet motiveve dhe pyetjeve të të tjerëve, gjithashtu ai karakterizohet nga karakteristika të tilla, si: agresivitet në rritje, mungesë e kontrollit të superegos dhe një nivel infantil i të përgjigjurit.

Mungesa e lidhjeve të tij me të tjerët, tregon se ai nuk ka ndërgjegje ose superego. Mungesa e vetëdijes është një tipar tjetër, për pasojë lind mosrespektimi i normave. Nisur nga kjo pikëpamje, njeriu është kafshë, tek i cili impulsiviteti dhe agresiviteti shikohen si reagime të natyrshme nga shtrëngimet morale. Teoria e irritimeve psikike është një variant i teorisë psikanalitike që mbron idenë se individi delikuent ose krimineli shfaqin sjellje dhe veprime kriminale si rrjedhojë e zhgënjimeve të brendshme që ka ose përjeton. Gjendja e zhgënjimeve paraqet një gjendje të veçantë, e cila mund të manifestohet me praninë e frikës, të mungesës së vetërealizimit, ose vetaktualizimit, të paaftësisë për të menaxhuar, ose zgjidhur problemet e caktuara, me ndjenjën e pasigurisë ose mungesën e shpresës për të ardhmen (Abram, A.,1992).

Këto gjendje janë më të shpeshta përgjatë fëmijërisë së hershme, por që manifestohen shumë shpesh gjatë gjithë jetës. Kjo ndjenjë përjetohet më shpesh te personat që kanë kaluar trauma në fëmijërinë e tyre, konflikte familjare ose drama familjare. Shpesh personat delikuentë pohojnë se sjelljet e tyre janë rrjedhojë e traumave të rënda psikologjike dhe shpirtërore që ata kanë kaluar në fëmijëri. Këta persona në jetën e tyre të përditshme ndihen të dështuar, të harruar, të pafuqishëm, inferiorë, të dëshpëruar dhe e kanë të vështirë të përballen në mënyrë normale me problemet e tyre. Në raste konflikti, ose vështirësie ekonomike, këta persona ndihen tepër të ngarkuar emocionalisht, të irrituar dhe si pasojë janë më të prirur drejt sjelljeve kriminale.

Zhgënjimi dhe gjendja e ngarkuar emocionale janë faktorë kryesorë që ndikojnë në përkeqësimin e situatës edhe në përfshirjen e individëve në sjellje kriminale. Ka edhe psikologë, apo psikiatër, të cilët kanë ngritur pyetjen: – A ekziston çmenduria apo sëmundjet mendore? Ndër ta mund të përmendim edhe psikologun polak, Thomas S. Szasz sipas të cilit, nocioni i çmendurisë manifestohet në çrregullime të shumta të trurit të njeriut. Kjo do të thotë se sëmundjet mendore duhen parë njësoj si sëmundjet e tjera të trupit. Nëse sëmundjet mendore manifestohen në sjellje deviante të çuditshme të individit, ashtu sikurse edhe sëmundjet trupore shfaqin patologji të ndryshme ose probleme fiziologjike. Më vonë, psikologët argumentonin, se çmenduria jo domosdoshmërish lidhet me sëmundjen e trurit të njeriut, por sëmundjet mendore shfaqen si një deformim i personalitetit të njeriut. Për më tepër, koncepti i sëmundjes, si mendore ashtu edhe fizike, përfshin devijimin nga disa norma të përcaktuara qartë. Këto norma mund të jenë pjesë e kuadrit psikosocial, etik dhe ligjor. Pra, individi kryen sjellje deviante ose kryen krim edhe në familje, tek njerëzit e tij më të dashur, për shkak të gjendjes së tij të rënduar psikologjike ose nervore.

Kryesisht, janë faktorët e brendshëm ata që i shtyjnë delikuentët në krime dhe jo faktorët e jashtëm. Në shoqërinë shqiptare, dhuna në familje është edhe karakteristikë e shfaqjes së pushtetit. Ndjenja e pafuqishmërisë personale sa vjen e bëhet më e pranishme me ndryshimet e shumta ekonomike, sociale dhe politike që kanë ndodhur këto vitet e fundit. Kështu, krimi në familjen shqiptare ndodh nga nevoja e shfaqjes së pushtetit të burrave kundrejt grave të tyre, pushtet ky që manifestohet më së miri në shoqëritë tradicionale dhe patriarkale. Kur njerëzit janë në gjendje të mirë ekonomike, ata do të kërkojnë më tepër pushtet sesa pasuri. Ata mund të kërkojnë pasuri si mjet për të arritur pushtetin. Pafuqishmëria mund të konsiderohet si rrethanë sociopsikologjike, e cila karakterizohet nga mungesa e shpresës, nga indiferenca dhe nga mosbesimi.

Është pikërisht kjo gjendje anomie e shkaktuar nga varfëria, nga pafuqishmëria që shërben si burim i rritjes së dhunës dhe krimit në familje. Sjellja njerëzore kontrollohet nga truri i individit, i cili reflekton përvojat e kaluara të tij. Dashuria e nënës, përçmimi i babait, një ndëshkim, një ngjarje e hidhur etj., të gjitha lënë gjurmë në kujtesën e individit. Me rritjen e fëmijëve, ndodhin ndryshime të caktuara sidomos në korteksin cerebral, përfshi edhe procese mendore që lidhen kryesisht me të nxënët. Në pjesë të tjera të trurit ndodhin procese të tjera, të cilat përcaktojnë llojet e ndryshme të sjelljes. Kur sisteme të caktuara nervore të trurit të vogël të një personi janë aktive, atëherë ai ka uri dhe rritet mundësia e të ngrënit. Ka gjithashtu pjesë të tjera të sistemit, të cilat rezultojnë në irritim a zemërim kur ato janë aktive, ka probabilitet më të madh të sjelljes agresive. Në teoritë biologjike, përmendet edhe teoria endokrinologjike mbi kriminalitetin. Sipas kësaj paradigme psikologjike, sjelljet kriminale të disa individëve janë rezultat i mosfunksionimit të duhur të gjëndrave endokrine.

Dhuna, vjedhjet, vrasjet, perversionet seksuale, keqtrajtimi i fëmijëve, pornografia ose sjellje të tjera agresive dhe kriminale shfaqen si rezultat i çrregullimit të disa gjëndrave hormonale të tilla si, gjëndra e hipofizës dhe ajo e tiroides. Ka një sërë procesesh patologjike në trurin njerëzor, të cilat rezultojnë në aktivizimin e sistemeve nervore, kryesisht kundrejt armiqësisë. Jo të gjitha tumoret e trurit prodhojnë agresivitet patologjik, por disa prej tyre shpesh rrisin mundësinë e nervozizmit dhe irritimit. Shumë prej tyre prodhojnë apati dhe somnolencë. Vetëm tumoret në lobin frontal dhe atë temporal prodhojnë sjellje agresive. Sistemet neurologjike për sjelljen agresive nxiten nga kimikate që ndodhen në gjakun e njeriut, kryesisht nga hormonet. Ka disa gra, të cilat gjatë ciklit të tyre mujor shfaqin më shumë irritime dhe sjellje agresive sesa gjatë ditëve të tjera. Ka gjithashtu njerëz që manifestojnë sjellje agresive, të njohur si sjellje agresive seksuale. Këta janë persona dhunues, të cilët e shikojnë objektin e agresionit në të njëjtën mënyrë, siç shohin edhe objektin e sjelljes seksuale.

Këta janë persona që kryejnë krime brutale seksuale, duke i djegur kufomat me të cilat kanë kryer marrëdhënie, duke i mbytur etj.. Agresiviteti është pjesë e natyrës njerëzore. Ky agresivitet është rezultat i një instinkti agresiv, që është i pranishëm te të gjithë njerëzit. Ky instinkt nuk është gjithmonë shkatërrimtar, por ai duhet menaxhuar. Shumë shkencëtarë kanë studiuar zona specifike të trurit, të quajtura “qendra të agresionit”, të cilat sipas tyre përcaktojnë sjelljen agresive. Agresiviteti është një instinkt që mund të shpërthejë në çdo kohë, për këtë arsye shpesh dëgjojmë krime të kryera nga njerëz që së jashtmi na duken krejt normalë, madje shumë të sjellshëm. Ajo që ka ndryshuar në shoqërinë tonë dhe që duhet të kemi të gjithë kujdes është se ka shumë njerëz sociopatë, me çrregullime personaliteti.

Ai njeri të buzëqesh, të përshëndet dhe pak më tej si pasojë e shpërthimit të instinktit të agresivitetit, ai bëhet devijant, shfaq sjellje kriminale, behet jo empatik, madje qesh me dhimbjen që u shkakton të tjerëve. Psikopatët në fakt janë më agresivë se sociopatët dhe nuk shfaqin asnjë lloj emocioni, as dashuri, as keqardhje, as empati për viktimën e tyre dhe zakonisht iu mungon vetëdija apo ndërgjegjja kurse sociopatët kanë një ndërgjegje të dobët ose të vagullt. Për të shpjeguar vrasjet, vetëvrasjet (suicide), filicidin (vrasjen e fëmijës), patercidin (vrasjen e babait), infanticidin (vrasjen e foshnjës), familicidin (disa anëtarë të vrarë brenda një familjeje), duhen marrë parasysh të gjitha paradigmat dhe teoritë sociologjike dhe psikologjike, sepse asnjë vrasje nuk është e ngjashme me tjetrën për nga rrethanat, shkaqet, arsyet, viktimat, agresorët dhe pasojat.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura