Reforma në Arsimin e Lartë apo Arsimi i Lartë nën reformë

Oct 31, 2017 | 9:50
SHPËRNDAJE

auto_mirela_karabina1496335750MIRELA KARABINA

Arsimi i Lartë është një hallkë e rëndësishme e sistemit arsimor. Ai konsiderohet si një shërbim publik dhe e mirë publike. Vëmendja e çdo individi, çdo familjeje shqiptare është te Ministria e Arsimit, tek Arsimi i Lartë. Reforma në Arsim është quajtur kryereformë, pasi arsimi është themeli i kombit, e tashmja dhe e ardhmja e tij. Një sistem arsimor i mirë, përgatit profesionistë të mirë në të gjitha fushat.

Reformë në Arsim mund të bëhet sepse shkolla i përgjigjet ritmeve të zhvillimit të shoqërisë, por duhet të jenë jo të nxituara dhe të mirëmenduara. Reforma në Arsimin e lartë dhe plani i veprimit në të, duhet t’u përgjigjet nevojave ekonomike të vendit dhe kërkesave të publikut. Kjo reformë duhet të reflektojë nevojat e vendit. Ndryshimet në arsim duhet të mbështeten në traditën tonë shqiptare, në kushtet e nevojat tona si dhe duke shfrytëzuar përvojat më të mira europiane, dhe jo vetëm.

Reforma e Arsimit të Lartë, e artikuluar nga qeveria si “skemë e re financimi dhe shërbimesh”, ka qenë lajtmotivi i sukseseve të arritura në arsim. Por, realisht, reforma, në përfundim të fazës së dytë 3-vjeçare 2014-2017 të zbatimit të saj, ka mbetur në trajtën e një retorike të dëmshme, çoroditje e organizuar e institucioneve të arsimit të lartë, që po çon në rrënimin e arsimit të lartë publik.

E paraqitur si një reformë me ndryshim rrënjësor strukturor të sistemit të arsimit të lartë, nga mënyra se si do financohet nga qeveria dhe roli i qeverisë në drejtim të cilësisë së tyre, rezulton që në universitetin më të madh në vend, ku arsimohen pjesa më e madhe e studentëve shqiptarë, Universiteti i Tiranës, të renditet i fundit për nga cilësia. Ky është tregues i dështimit të kësaj reforme. Atëherë, si do ta quajmë këtë reformë? Cili ka qenë qëllimi i saj? Çfarë duhet t’u themi familjeve shqiptare? Por, çfarë kuptojmë me fjalën reformë? Sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe: “Reformë,- A f. sh.-A, at. Ndryshim i thellë e i gjerë që bëhet në një fushë të veprimtarisë shoqërore, riorganizim e shndërrim i thellë i diçkaje (p.sh. reformë arsimore)”.

Pra, nëpërmjet reformimit, ndodh ndryshimi i organizmit apo drejtimit të diçkaje. Duke qenë ndryshim i thellë, pa dyshim, nëse reforma ndodh, do të jetë e dhimbshme për një brez studentësh, të cilët do të preken. Por, do të përmirësojë përmbushjen sa më mirë të detyrimeve që ka sistemi i Arsimit të Lartë. Por, çfarë po ndodh realisht me Reformën e Arsimin e Lartë në Shqipëri? Aktualisht, kemi dy forma reformash:(a) reformë të shkruar, (b) reformë të zbatuar. a) Në reformën e shkruar janë paraqitur qartazi parimet dhe qëllimet e saj.

Një nga parimet e shkruara: “Një parim tjetër shumë i rëndësishëm për arsimin e lartë është RRITJA E AUTONOMISË së institucioneve të arsimit të lartë në të katër fushat e kësaj autonomie: në atë financiare; organizative; akademike dhe atë të personelit”. Dhe në qëllimet është shkruar: “Në rastin e Reformës së Arsimit të Lartë dhe të Kërkimit Shkencor, reformimi ka si qëllim përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë në dy drejtimet kryesore: mësimdhënie dhe punë kërkimore-shkencore”.

Pra, në parimet dhe qëllimet e shkruara të reformës, është dhënë qartë rritja e autonomisë së universiteteve dhe përmirësimi i cilësisë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor. b) Në reformën e zbatuar, fjala “reformë” ka humbur kuptimin e saj dhe ka marrë një formë të re. Për të materializuar këtë reformë, e propaganduar nga qeveria si histori suksesi, në tetor 2015, hyri në fuqi Ligji për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor (i kundërshtuar nga një pjesë e mirë e akademikeve).

Nga ajo që po shpaloset sot, duket sikur në mënyrë të qëllimshme është vendosur një ligj i pazbatueshëm. Ka hyrë viti i tretë akademik dhe ligjshmëria në Arsimin e Lartë është e ngrirë apo e shkelur. Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor 80/2015, sipas përcaktimeve respektive të po këtij ligji, duhej të kishin dalë aktet nënligjore për zbatueshmërinë e tij, maksimalisht dymbëdhjetë muaj pas hyrjes në fuqi, në mënyrë që universitetet të përmbushin detyrimet e tyre. Universitetet përballen me absurdin, nuk dinë si të veprojnë.

Përgjegjësia është direkt e ministrisë përgjegjëse për Arsimin, Si rezultat i mungesës së akteve nënligjore, nxjerrja herë pas here e udhëzimeve nga ministri krijon pështjellime, duke tejkaluar në shumë raste kompetencat e ministrisë me ndërhyrjen në disa procese. Nëse shikojmë kuadrin ligjor dhe si është zbatuar, rezulton se: Bazuar në Ligjin e Arsimit të Lartë, Neni 1, Pika 1. Burimet e financimit të institucioneve publike të arsimit të lartë, “Burimi kryesor i financimit të arsimit është Qeveria qendrore; pagesa nga studentët për studimet; të ardhurat nga shërbimet e kryera; të ardhurat e krijuara me palët e treta; donacionet nga burime të treta dhe kërkime shkencore”.

Si është zbatuar? Fondet nga buxheti i shtetit për arsimin janë ulur. Objektivat e vendosura për periudhën 2013-2017, për arritjen e fondeve të arsimit ndaj PBB (Produktit e Brendshëm Bruto) në niveli 5%, nuk u realizuan, mbetën në nivelin 3.4%. Buxheti për arsimin është shumë më i ulët, krahasuar me vendet e OECD-së. Financimi për student është 1 mijë euro, krahasuar me 18 mijë euro për student në vendet e OECD-së. Buxheti i këtij viti, 2017, është ulur në 16 mln euro më pak, janë ulur investimet për arsimin e lartë. Kështu, universiteti nuk financohet mjaftueshëm dhe shkurtimi i burimeve ka sjellë pasoja negative në IAL-të (institucionet e arsimit të lartë).

Shteti financon pagat vetëm për 10 muaj për pedagogët. Fondet për kërkimin shkencor janë shumë të ulëta, 4-5 mln$, krahasuar me 40 mln $ në vendet europiane. Bllokimi i qëllimshëm i shkollës doktorale në universitetet publike, e ka privuar atë nga burime të rëndësishme kërkimore-njerëzore dhe financiare. Cilësia kërkon rritje të buxhetit për një nga sektorët më të rëndësishëm të një vendi.

Të ardhurat nga burime të tjera janë joefikase (bashkitë, shërbime, donacione apo tarifa të studentëve në kushtet e të ardhurave të pakta të familjeve shqiptare apo të studentëve nga familjet e shtresave në nevojë). Kjo rritje e cilësisë nuk mund të arrihet duke vendosur universitetet publike në vështirësi financiare dhe duke i detyruar të rrisin tarifat e studentëve për të siguruar pagat e pedagogëve. Kjo nuk është cilësi, por është shkatërrim i qëllimshëm dhe i organizuar.

Kështu që, e paraqitur si një ndryshim rrënjësor i arsimit të lartë në lidhje me autonominë financiare dhe rritjes së cilë- sisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, kjo reformë është e dështuar. Bazuar në ligj: Neni 74, Pranimi në ciklin e parë të studimeve. Pika 2. “Institucionet e arsimit të lartë mund të vendosin edhe kritere shtesë pranimi për përzgjedhjen e kandidatëve, të cilat shpallen nga institucioni i arsimit të lartë dhe vihen në dispozicion të Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin. Pika 3. Në fillim të vitit akademik, institucionet e arsimit të lartë dërgojnë në Qendrën e Shërbimeve Arsimore listën e studentëve të regjistruar”

Si është zbatuar? Pra, janë institucionet e arsimit të lartë që duhet të menaxhojnë pranimet në ciklin e parë të studentëve. Por, me daljen e udhëzimit Nr 13. datë 22.07.2016 , dhe udhëzimin Nr.15 datë 19.05.2017, janë një dëshmi e centralizmit të këtij procesi nga ministria përgjegjëse për arsimin, duke mos lejuar universitetet të organizojnë dhe menaxhojnë vetë këtë proces të rëndësishëm, ashtu si e parashikon Ligji.

Përdorimi i këtij procesi si përmirësim i performancës së ministrisë përgjegjëse për Arsimin, nëpërmjet ndryshimit të udhëzimeve jo në frymën e Ligjit të Arsimit të Lartë, dëmton rëndë Institucionet e Arsimit të Lartë (ILA) duke vënë në rrezik autonominë, rritjen dhe zhvillimin e tyre nëpërmjet konkurrencës që t’i përgjigjen ritmeve të zhvillimit të universiteteve në hapësirën europiane dhe më tej.

Pra, me nxjerrjen e udhëzimeve të herëpashershme nga ministria përgjegjëse për Arsimin, jo në frymë të ligjit, por në kundërshtim me to, institucionet e arsimit të lartë janë të detyruara të ushtrojnë përcaktimet ligjore të tyre duke mbetur në shumicën proceseve të çorientuar. Bazuar në ligj, Neni 133. Dispozita kalimtare dhe të fundit.

Pika 1, Brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ministria përgjegjëse për Arsimin miraton dhe bën publike listën e institucioneve të arsimit të lartë që plotësojnë kriteret për dhënien e titujve akademikë.

Pika 2. Deri në dhënien e gradave dhe titujve akademikë, sipas këtij ligji, gradat dhe titujt trajtohen sipas kuadrit ligjor ekzistues në fuqi. Komisioni i vlerësimit të titujve akademikë pushon së ekzistuari 1 vit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Si është zbatuar? Dhënia e titujve dhe gradave shkencore është pezulluar sepse ministria nuk ka bërë publike listën e institucioneve që përmbushin kriteret për dhënien e titujve akademikë.

Pra, edhe parimi i ngritjes së kapaciteteve akademike, nuk e gjen veten në progresin e reformës së zbatuar, proceset dhe planveprimet e së cilës duhej t’i shërbenin rritjes së cilësisë së mësimdhënies dhe sasisë dhe cilësisë së kërkimit shkencor për funksionimin normal të IAL-ve dhe përmbushjen e detyrave të tyre.

Bazuar në Ligj: Neni 76. Pranimi në programet e ciklit të dytë të studimeve, Pika 4. Kriter pranimi në një program studimi të ciklit të dytë “Master i shkencave” është njohja nga kandidati e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Europian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht. Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri.

Niveli i njohjes së gjuhës së huaj përcaktohet me akt nënligjor të ministrisë përgjegjëse të Arsimit të lartë. Si është zbatuar? Me daljen e udhëzimit Nr.52 të datës 3 dhjetor, të vitit 2015, “Për Përcaktimin e Niveleve të Gjuhëve të Huaja dhe të Testeve Ndërkombëtare për Pranimet në Programet e Studimit të Ciklit të Dytë dhe të Tretë në Institucionet e Arsimit të Lartë”, është shkelur e drejta kushtetuese dhe ligjore duke i mohuar studentëve, në të gjithë territorin e Shqipërisë, të drejtën dhe lirinë e zgjedhjes së sistemit të kualifikimit profesional.

Kështu, në Pikën 6/b të udhëzimit 52, përcaktohet: “Institucionet e Arsimit të Lartë duhet të shpallin: listën e subjekteve të njohura nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, që gëzojnë të drejtën e pronësisë intektuale mbi testimet ndërkombëtare, Neni 11 i Kodit të Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”.

Në të thuhet: “Diskrecioni ushtrohet ligjërisht, kur ai është në përputhje me kushtet e mëposhtme: (a) është i parashikuar me ligj; (b) nuk tejkalon kufijtë e ligjit; (c) zgjedhja e organit publik është bërë vetëm për të arritur objektivat, për të cilat është lejuar diskrecioni dhe është në përputhje me parimet e përgjithshme të këtij Kodi; (ç) zgjedhja nuk përbën një shmangie të pajustifikuar nga vendimet e mëparshme të marra nga i njëjti organ në raste të njëjta apo të ngjashme”.

Pra, me nxjerrjen e udhëzimeve të herëpashershme nga ministria përgjegjëse për Arsimin, jo në frymë të ligjit, por në kundërshtim me të dhe në shkelje të Kushtetutës, institucionet e arsimit të lartë janë tërësisht të penguara të ushtrojnë detyrimet e tyre dhe të çorientuara, duke u përballur me paligjshmërinë në ushtrimin e detyrimeve të tyre.

Bazuar në ligj: Neni 104. Sigurimi i jashtëm i cilësisë, Pika 5. “Institucionet e arsimit të lartë i nënshtrohen procesit të vlerësimit të mësimdhënies, çdo tre vjet, nga ASCAL dhe monitorohen në mënyrë të vazhdueshme, përmes Sondazhit Kombëtar të Studentëve” Pika 6. “Vlerësimi i jashtëm i cilësisë kryhet në përputhje me Kodin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.

Ministria përgjegjëse dhe ASCAL mund të bashkëpunojnë me agjenci të huaja të sigurimit të cilësisë, që janë anëtare të rrjetit ENQA” Neni 106, Akreditimi, Pika 1. “Akreditimi institucional është procesi i certifikimit të cilësisë së veprimtarisë së institucioneve të arsimit të lartë, në përputhje me Kodin e Cilësisë së Arsimit të Lartë”. Pika 8. “Shpenzimet për vlerësimin e jashtëm të cilësisë dhe akreditimin përballohen nga vetë institucionet e arsimit të lartë, sipas tarifave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave”. Si është zbatuar? Vlerësimi i jashtëm vërejmë se bëhet mbështetur në Kodin e Cilësisë së Arsimit të lartë.

Por, për çfarë kodi cilësie flasim kur Ligji për Arsimin e lartë ka penalizuar autonominë financiare të institucioneve të arsimit të lartë me uljen e buxhetit në pagesa, shërbime dhe kërkimin shkencor? Mbi bazën e cilit kod cilësie, do të bëhet ky vlerësim? A do të merret parasysh që universitetet janë në paligjshmëri duke zbatuar udhëzime që bien ndesh me Ligjin e Arsimit të Lartë?

Cilat janë standardet shtetërore të cilësisë të përmendura në ligj, kur ky ligj bëhet i pazbatueshëm? Qëllimi i reformës është sigurimi i cilësisë së arsimit të lartë dhe sa më afër aspiratave të gjeneratës së të rinjve duke i financuar IAL-të në bazë të rezultateve të performancës. Atëherë, Universiteti i Tiranës duhet të ishte i pari, sepse: në të regjistrohen studentët me rezultate më të mira; është furnizuesi kryesor i gjithë sektorëve shtetërorë dhe privatë të vendit; për më tepër, të diplomuarit në Universitetin e Tiranës sot ushtrojnë profesionin e tyre në Kanada, Amerikë dhe Europë. Atëherë, për çfarë vlerësimi të jashtëm apo akreditim bëhet fjalë?

Si ta kuptojmë cilësinë apo përmirësimin e saj tek IAL-të? Çdo individ është i interesuar për cilësinë dhe standarde të Arsimit të Lartë. Por, kjo do të bëhet në një proces transparent ligjor dhe në shërbim të studentëve dhe familjeve shqiptare. Bazuar në të dhënat e sipërpërmendura, në reformën e zbatuar, fjala “reformë” ka humbur kuptimin e saj, është deformuar. Deformimi i modelit, tashmë i ngritur në sistem, përbën një rrezik serioz për të ardhmen e arsimit në Shqipëri.

Kjo reformë është një “çoroditje e organizuar”, e paraqitur si ndryshim rrënjësor i IALve. Gjendja e arsimit të lartë është në ditët më të vështira. Politika ka dominuar duke sjellë çdo ditë përpara studentëve shqiptarë një arsim të lartë që lëngon nga ligjshmëria, cilësia, kredibiliteti. Në mënyrë jo profesionale dhe për kredo politike e interesa të ngushta, Ligji për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor ka stacionuar universitetet dhe nuk hap rrugën e zhvillimit tyre.

Varësia nga ministria përgjegjëse për Arsimin, për çdo aspekt teknik e administrativ, që në të shumtën e rasteve lidhet me autonominë institucionale, forcon më shumë centralizimin e tyre duke mos lejuar pavarësinë, zhvillimin dhe rritjen e IAL-ve publike e private. Mësuar me dogma dhe slogane, ne trashëgojmë një kulturë të sistemeve diktatoriale ku demagogjia ngrihet në sistem për t’u bërë e besueshme.

Kjo po ndodh me artikulimin e bukur të fjalëve: reformë, ligj anglosakson, ndryshim rrënjësor, rankim, akreditim, cilësi, autonomi, duke i dhënë një shkëlqim të rremë dhe rrënimin e pashmangshëm të institucioneve të arsimit të lartë publik. Përdorimi politik është ndër gabimet më të mëdha që po i bëhen Arsimit të Lartë.

Rrënimi i sistemit të Arsimit të Lartë është rrënimi i gjithë sektorit të arsimit në tërësi. Rrënimi i arsimit është rrënimi i qytetarisë. Dhe kjo, në mënyrë paradoksale, po ndodh, mbështetur nga politikat qeverisëse…

*Ish-ministre e Arsimit dhe Shkencës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura