Rekordmeni Salah, klubi e mban ende peng. Sulmuesi i Liverpulit: I lumtur për rekordet, nuk e di me sa gola do ta mbyll

Dec 24, 2024 | 10:41
SHPËRNDAJE

Mohamed Salah shënoi golat numër 228 dhe 229 për Liverpulin të dielën në mbrëmje, teksa skuadra e Arne Slotit mposhti Totenhemin, duke fituar 6-3 në Londër.

salah

Ai u ngjit në vendin e katërt në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave të Liverpulit, duke kaluar Billi Lidëllin me 228 gola. Tani objektivi i radhës është Gordon Hoxhson, i cili shënoi 241 gola për “Reds”-at.

Megjithatë, sulmuesi egjiptian mbetet pas Ian Rashit, rekordmenit absolut të golave në “Anfield Road”, pasi uellsiani shënoi 346 gola në 660 paraqitje për Liverpulin. Salah asistoi edhe Dominik Sobozlain për të shënuar golin e tretë të ndeshjes, dhe duke e bërë këtë ai regjistroi asistin e tij të 10- të sezonal në Premier Ligë.

Dhe së bashku me 15 golat e tij në kampionat, ai u bë lojtari i parë në historinë e Premier Ligës që arrin dopio shifra në të dyja kategoritë, gola dhe asiste, përpara Krishtlindjeve. Duke folur për “Sky Sports” pas mbrëmjes së tij të thyerjes së rekordeve të tjera me klubin e kuq, egjiptiani ishte modest në përgjigjen e tij, duke treguar se as që e kishte menduar këtë para ndeshjes. “Sigurisht, nuk e kisha menduar para ndeshjes, të jem i sinqertë, por jam i kënaqur që e kam bërë disa herë”, tha sulmuesi.

“Por po, është diçka që më bën të lumtur. Jam krenar dhe vazhdoj të punoj shumë. Sigurisht, është diçka e mrekullueshme që ta arrish. Është një klub kaq i madh si Liverpuli. Por përsëri, gjëja më e rëndësishme është që ne fituam ndeshjen dhe është e mrekullueshme. Nuk e di se Rash shënoi kaq shumë gola për të qenë i sinqertë. Mendoj se futbolli në atë kohë ishte si shtatë kundër shtatë. Nuk ishte vërtet 11 kundër 11, por ai është një legjendë e madhe për klubin dhe ne kemi një kontakt të mirë. Pra, me çfarëdo shifre golash që unë do ta përfundoj karrierën time, jam i lumtur për këtë. Pra, le të shohim”.

Shumë është përfolur për kontratën e tij e cila skadon në verë, ndërsa ai tha pak javë më parë se ishte i zhgënjyer, pasi klubi nuk i kishte ofruar ende një marrëveshje të re. Disa ditë më parë, rinovimi u quajt një temë e mbyllur, pasi u raportua se ai kishte rënë dakord për të firmosur një kontratë të re 2-vjeçare në “Anfield”. Por i pyetur pas ndeshjes me Totenhemin nëse kishte ndonjë përditësim për të ardhmen e tij, 32- vjeçari u përgjigj thjesht: “Jo”. Liverpuli e thelloi epërsinë në krye të tabelës këtë fundjavë, pasi Çelsi la pikë në barazimin 0-0 ndaj Evertonit. “Reds” janë katër pikë larg skuadrës së Enco Mareskës dhe kanë ende një ndeshje në dorë, që do të thotë se ata do t’i shijojnë Krishtlindjet me një avantazh komod ndaj konkurrentëve të tyre.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura