Reportazhi/ Parku i madh dhe Liqeni, lidhja me Shën Prokopin, shenjtori mbrojtës i Tiranës! Kurora e gjelbër, aty ku i ndesh të gjithë…

Nov 19, 2024 | 10:40
SHPËRNDAJE

parku i liqenit

UVIL ZAJMI

Nga orët e para, kur zbardh deri në ato të vona drejt mesnatës, çdo ditë, dimër e verë, fluksi është i madh me qytetarë kryeqytetas që lëvizin brenda tij. Për sport, për shëndet, për një shëtitje argëtuese, për të pirë një kafe, për të takuar një mik, një shok, më shumë se gjithçka tjetër për më shumë oksigjen e ajër të pastër. Ai park, bashkë me Liqenin Artificial është kthyer në një domosdoshmëri jetësore për qytetin, banorët e tij të të gjithë moshave, profesioneve. Gazetarë, artistë, mjekë, regjisorë, politikanë, studentë, nxënës, kampionë, tek ai mjedis modern, shumë përfshirës, të gjithë me dëshirën për të qenë pjesë e tij.

I kuruar, sistemuar mjaft mirë, tejet funksional, për këmbësorët, biçikletat, me një përkushtim për ta mbajtur pastër, ruajtur gjelbërimin, atë dhuratë që i ka falur natyra Tiranës, nga punonjësit, gra, burra, edhe nga forcat e rendit. Te ai park i madh, ka një ndërthurje, takim brezash tejet origjinal. Një rikthim te muzika, kitara, pasionet e një rinie, brezave të lidhura me atë park, atë liqen. Gjithmonë afër, pranë me qendrën e Tiranës, banesat përreth, me stadiumin, fakultetet, Gardën, deri edhe gjimnazin “Petro Nini”, nga të cilat asgjë nuk ka ndryshuar, kanë qenë dhe kanë mbetur ende pjesë të pandryshuar e tij. Një minutë, një orë, tek ai park, sikur të rikthen tek pasioni, dëshirat, ëndrrat e dikurshme, tek ajo pjesë e bukur dhe nostalgjike të saj. Një emocion më shumë, për familjarë, që në heshtje kanë mundësinë të takohen me njerëzit e tyre të ndarë nga jeta, një mjedis ku në forma të ndryshme mund të ndeshesh me personalitete, shqiptarë e të huaj, poetë, rilindas, dëshmorë. Një minutë, një orë, një ditë më shumë në atë park ka tjetër vlerë.

NJË PARK DHE SHUMË SHËNDET

Nëse ka një shqetësim, problem shëndetësor, por edhe për të ruajtur, kujdesur për shëndetin, këshilla e parë që të japin, të orientojnë mjekët sot, është: “Dil, ec në natyrë, te Parku i madh, larg ndotjes e në ajër të pastër”. Mjafton pak ecje, lëvizje, për çdo moshë, që do të thotë shumë më mirë se çdo medikament e barabartë: Ajër-shëndet. Një nga motivet jetësore për frekuentuesit e të gjithë moshave, të cilët i gjen aty. Dikush vrapon, një tjetër që ecën shpejt, të tjerë që parakalojnë njëri-tjetrin, që kryqëzohen, pa u ndaluar. Qytetarë që zbresin nga ndërtimet e reja në pjesën perëndimore të tij, një shëtitje përreth liqenit, me kalim te zadra e pa ndryshuar. Bashkë me patat e liqenit që afrohen me menjëherë kur dikush i hedh ushqim, duke hipur deri lart e kaluar vështirësinë e pjerrësisë prej betoni.

KISHA DJE DHE SOT

Nga dje dhe sot, kështu është njohur me këtë emër, e ndërtuar në majën e kodrës duke shërbyer për ritmet festat fetare, qytetarët ortodoksë. Deri më 1967, ku me shkatërrimet e institucioneve fetare, të njëjtin fat pati edhe kisha e Shën Prokopit te Parku i Madh. Jo më kishë, por sallat e saj u kthyen në një restorant, tejet i preferuar, me një lulishte të bukur jashtë saj, shumë e pëlqyer për dreka, darka, festa, ceremoni, dhe argëtim. Me orkestër, këngëtar. Deri më 1990-të, rikthimi në origjinë, tek destinacioni i parë fisnik, shërbimi fetar, me mjediset e nevojshme për kryeqytetasit frekuentues të saj. Tashmë edhe me arkitekturën, strukturën origjinale dhe shumë shpejt kisha e “Shën Prokopit” do të jetë ajo e ndërtuar në vitin…. Duke mbetur kisha e Shën Prokopit, e vetmja që edhe pse e shkatërruan, e tjetërsuan, emrin nuk mundën t’ia zhdukin, deformojnë, ndryshojnë.

PARKU I EMRAVE, PERSONALITETEVE

I gjen, i lexon, të shoqërojnë në hyrjen kryesore të tij, me dedikime personale të shkruara mbi pllakata të vendosura ndërsa ecën, ndesh me emra të drejtuesve të lartë shtetërorë, të njohur, dashamirës, admirues të Shqipërisë. Nga ish-presidentë republike, si Bamir Topi, Ivo Josipovic i Kroacisë, Danilo Turj i Sllovenisë, Abdulla Ogul i Turqisë, Heinz Fiscer i Austrisë deri te Nikolas Sarkozi ish-president i Francës. Bashkë me personalitete të tjera të shquar në disa fusha të jetës, shoqatave të paqes, në emër të Nënë Terezës, etj. Një park me shumë rrugica, hyrje-dalje, që lidhen, komunikojnë me njëra- tjetrën, me zbritje, ngjitje, madje njëra prej tyre ka edhe një emër: Rruga “Alessandro Leogrande”. Dhe pranë një parcelë ku në një pllakë dukshëm lexon:”1939-1945″ e poshtë saj me germa të mëdha informohesh: “Në kujtim të ushtarakëve anglezë të rënë në Shqipëri gjatë luftës së dytë botërore”. Një tekst e përkthyer edhe në anglisht. Ngjitur me të një sektor i vogël ku në një pllakat shkruhet: “1939-1944-Tirana”-”Varreza e ushtarëve gjermanë”.

1

NGA JAPONIA TE KINA

“Kopshti japonez”, në dy gjuhë: shqip dhe japonezçe. Orari: I hapur çdo ditë. Ndalohet kategorikisht: Futja e kafshëve, hyrja me biçikletë, pirja e duhanit, ndezja e zjarrit. Pastaj “Kopshti i Pranverës” (Spring Garden), dhe poshtë saj: Aneks me drurë dekorativë, qershi japoneze, shteg i drunjtë dhe një dedikim: “Dhuro një stol”. Ngjitur në të njëjtën pllakat mermeri informohesh: “Shtegu japonez”. (Japonese Pathway). Shtegu me dru dekorativ qershi japoneze, rrugica, stolat, punimet e gurta dhe këndi me lisharës. Një panjë japoneze e mbjellë aty e rrethuar me tre vazo të mëdha të thyera në mënyrë dekorative. Dru dekorativ shkruhet (lartësia e bimës 3-7 m, gjetherënës prejardhja Japoni). Një dru i panjës japoneze shumë e kërkuar në prodhimin e mobilieve si dhe të instrumenteve muzikorë”- jepet informacioni, lexon kur gjendesh pranë. Por edhe nga Kina, një ndërtesë parku me strukturë karakteristike të hapur, tipike e stilit kinez. Nga çatia, lidhjet, dekorimi dhe dedikimin poshtë. Një e tillë e sheh, në hyrje të parkut, në atë segment që lidh atë me ujin e liqenit.

ME AGOLLIN DHE NOBELISTIN DUNANT

Nuk mund të mungonte, të mos ishte aty në atë park të madh, plot gjelbërim në një bashkëbisedim me lexuesit, admiruesit e tij, shkrimtari dhe pyeti e shquar. Në një gur të madh, në një pllakë metalike të zezë, që të tërheq vëmendjen, që kur i afrohesh lexon: “Pylli i Dritëroit”. Një gjetje, përcaktim ideal. Pranë edhe një çezmë uji, me qytetarë, shëtitës që ndalin, pinë, marrin pak ujë, me poetin e natyrës shumë pranë. Përballë, sheshi ku kanë qenë dhe janë bustet e vëllezërve Frashëri, Abdyl, Naim, Sami, e në krah të tyre edhe ato të vendosur pak kohë më parë, ai i Mid’hat Frashërit dhe i Faik Konicës që e mbyllin këtë kuadrat të memories historike kombëtare. Në atë park krejt natyrshëm, por që të befason do të gjesh edhe portretin i një nobelisti, i hedhur në një bust të bukur, vendosur mbi një bazament pranë ujit, si figura e humanisti Henry Dunant (1828-1910), themeluesit zviceran të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, i vlerësuar me Cmimin Nobël për Paqen.

SPORT, SHUMË KAMPIONË

Në mëngjes herët, paradite në mesditë edhe kur nata ka rënë mbi Tiranë, jo vetëm ish-atletë, por edhe të disiplinave të tjera, të të gjitha moshave, meshkuj e femra: Nga Agim Fagu te Luiza Gega, nga Rauf Dimraj te Lumtari Markolaj. Shumë kampionë, sportistë të njohur, por edhe jo e gjen te ai park i madh. Arbitra në aktivitet, por edhe ish. Mbi të gjithë spikat një vajzë me një vrapim të bukur, që tërheq vëmendjen e njerëzve, diku e kanë parë atë fizik atleteje. Ndalon për një çast, dikë takon, një tjetër që e përqafon, të tjerë që i afrohen t’i japin dorën, dhe ajo shumë e sjellshme, e dashur, e thjeshtë, tejet popullore nuk heziton. Pastaj kolosi, basketbollisti, legjenda, Agim Fagu, i zakonshmi, i përhershmi vrapues, një mik i madh i atij parku, që nuk mungon asnjëherë, në çdo mesditë. Rauf Dimraj, një tjetër atlet, kampion, rekordmen, duke vrapuar ashtu si dikur në heshtje, me syzet e pandara, as mosha nuk e ndal. Lumturi Markolaj, kampionia, profesoresha, e shquar 800 metrave, nuk mungon kurrsesi. Po kështu ish-futbollistët, Kreshnik Agpolli, Sulejman Starova, ish -arbitrin Bujar Pregjën, e shumë të tjerë. Aty ka edhe një pistë atletike, e re, moderne e përmasave bashkëkohore, me tartan, ku sheh vrapues, sportistë që stërviten. Por edhe të rinj, djem-vajza, admirues të atletikës, një pistë kjo që i pret të gjithë. Pa harruar fushat e basketbollit të kalcetos, një tjetër formë, mënyrë argëtuese.

4

TENISI

Ndonëse me traditë e shumë e frekuentuar në Shqipëri, me tenis Nallbanin, por i ndaluar në periudhën e viteve 1965- 1980, jo i pëlqyer nga qeveria komuniste, si një sport intelektual, e borgjez. Privilegjin për ta praktikuar e kishin vetëm personeli diplomatik, ndonjë tentativë individuale, me frikën e një akuze, që të krijonte probleme dhe pa kushte, një fushë, apo dy fusha jashtë çdo kriteri, pa kushte dhe me frikën e një akuze, që të krijonte probleme. Ndër ato pak fusha tenisi që i rezistuan kohës, ishte ajo pas pallatit të sportit “Partizani”, ku luante Petrit Dumja, dhe te pallatet italiane, ku janë sot, veçanërisht, ajo te Parku i Madh i Tiranës, por të lënë në harresë, të braktisura, në dimër të mbuluara me ujë, ndërsa në vjeshtë plot me gjethet e stinës. Pa asnjë kusht, pa tenistë, jashtë çdo kriteri, me dhe të zi, pa rrethim, pasi edhe telat ja kishin rrëmbyer. Ndryshe, kur i sheh sot, po në atë vend, por të tjetërsuara, një rrjetë në mes, një rul, dhe një person që përkujdeset çdo ditë. Disa shkallë për ndjekësit, dhe djem e vajza që luajnë. Mjafton një raketë dhe disa topa.

MARATONA

E kthyer në një ritual, një veprimtari kombëtare, ndërkombëtare dhe kjo prej disa sezonesh pjesë e atij Parku të Madh me liqenin në krah. Maratona Ndërkombëtare e Tiranës, dikur krosi pranveror, e përmasave modeste zhvillohej aty dhe vetëm me sportistë vendas, djem e vajza, nxënës, studentë të shkollave. Bashkë me ciklokrosin, edhe ky një aktivitetet kombëtar, ku shfrytëzoheshin pjerrësitë, uljet, ngjitjet hyrjet, daljet e parkut. Dhe vetëm diploma e medalje për fituesit. Ndryshe kjo e ditëve të sotme. Me pjesëmarrjen e shumë sportistëve profesionistë, por edhe atyre amatorë, mjafton dëshira, regjistrimi, një numër në bluzë, apo kanotiere për të konfirmuar pjesëmarrjen. E diela, dita e garës, me spektatorë, shëtitës të panumërt, një kryeqytet i angazhuar, i pranishëm të ndjekë garuesit. Fitues, janë vrapues shqiptarë e të huaj, një alternim me podiume, shpërblime financiare. Në krye Luiz Gega, emblema e padiskutueshme, protagoniste absolute, një krenari më shumë për ne dhe atë Park të Madh, historinë e tij.

TRENI FANTASTIK

Me pak vagonë, të hapur, që me rikthen tek ato trenat verorë të brezit tim, Tiranë -Durrës në periudhën e plazhit. Ky është ndryshe. I vogël në përmasa, dhe jo vetëm për të vegjël, pasi në stolat e tij, sheh të ulur edhe të rritur, pjesa më e madhe prindër që shoqërojnë fëmijët. Një buri karakteristike, dhe shëtitës që i hapin rrugën. Në stacion, aty ku niset dhe mbërrin pasi ka kryer xhiron përreth liqenit e pret, qëndron, e shoqëron sistematikisht një qen i bukur. Çdo ditë, ftohtë shi, diell aty e ke, të shtrirë dhe në pritje të sinjalit, zhurmës që e njofton se treni po vjen. Njerëz që kalojnë e përkëdhelin, i ofrojnë diçka, një miqësi, bashkëjetesë, që funksionon mjaft mirë. Një shoqëri që të befason, krejt natyrale, jo e organizuar, as e provokuar. Si në filmat, librat e njohur me histori prekëse për qentë dhe padronët e tyre. Nëse nuk e shohin qenin aty, të gjithë shqetësohen për mungesën e tij në atë mëngjes. Në mbrëmje treni të ofron një shëtitje plot ndriçim, me drita, tejet argëtuese. Veçanërisht në kohë vere, kur mjaft familje shqiptarësh janë kthyer në Tiranë për të kaluar disa ditë pushimi, për to një shëtitje me trenin është një kënaqësi ndryshe. Me një shpejtësi të vogël, kur është kohë e keqe, ka të ulur edhe mbrojtëset e plastmasit ndaj shiut që vazhdon të bjerë.

JO VETËM PËR NJERËZ, POR EDHE PËR KATËRKËMBËSHIT

Për kafshët, për qentë familjarë, për ato e kam fjalën. I sheh aty të shëtisin meshkuj-femra, të shumë racave, të vegjël, të mëdhenj, që vrapojnë, të shoqërojnë edhe pa të njohur. Ndryshe janë ato, për të cilët mjafton një shirit në qafë, që i lidh e komandohen nga padronët. Djem, vajza, burra gra, që shëtisin nën shoqërinë e qenve të tyre. Me emra fantastikë, që të befasojnë kur i dëgjon t’i thërrasin. Për, ta, ajo orë, kohë shëtitjeje, pa kufi, duke vrapuar, kërcyer, hedhur, në atë bar, gjelbërim ku gjejnë lirinë e munguar të kufizuar në shtëpi, banesa, ambiente të mbyllura. Në një park, ku nuk i mungojnë edhe miq e mikesha, njohje për to. E ndërsa mjaft padronë, janë ulur pinë një kafe, pranë tyre qëndrojnë pa folur, të sjellshëm, në heshtje, qentë e tyre. Që vetëm gojë nuk kanë, ajo i mungon. Ka edhe jetimë, që në njërin vesh kanë një metalike me ngjyrë që konfirmon se edhe për to ka përkujdesje. Të tërheq vëmendje një grua, tejet e veçantë që vjen çdo ditë, një bamirëse e vërtetë me qese plot ushqime, duke ia shpërndanë atyre. Një bashkëjetesë në atë park me ato që të ofrojnë jo vetëm kënaqësi, por edhe shumë dashuri.

NJË DRY, NJË ÇELËS, PLOT DASHURI

Liqeni, parku, kisha e “Shën Prokopit” kanë qenë dhe mbeten dëshmitarët e njohjeve, takimeve, e dashurive klasike, nostalgjike, romantike, atyre të mëdha. Jo se sot gjithçka ka ndryshuar, por kohë moderne, dashuri moderne. Jo në fshehtësi, jo të censuruara, të ndjekura nga “gjuajtësit” e të dashuruarve, as me frikën e zbulimit, pasojave, si atëherë. Por në forma, mënyra e të një tjetër stili. E për ta pasur sa më speciale, për ta bërë të pavdekshme, mjafton edhe një dry si dëshmitar. Dhe nuk janë pak, me qindra të tillë të mbyllur sigurisht. Një mënyrë e njohur e shprehjes së ndjenjave, një formë romantike që e gjen në libra, e histori dashurie, me simbole provokuese në shumë vende të botës. Një të ngjashme, por autentike shqiptare e ke edhe në buzë të liqenit të Tiranës, në një mini-anije simbolike, që pret dhe mbar një dry, ku secili prej tyre mbart, fsheh ditë-natë një dashur sentimentale të madhe. Një fantazi, ide më shumë se fantastike.

NJË KITARË, NJË MELODI SHUMË NOSTALGJI

Takim me muzikantë të njohur, këngëtarë, drama, komedi, aktorë, shfaqje të mrekullueshme, një kontakt emocionues, që ai park ta ofron. Aty pranë, nga thellësia e atij parku të vjen një zë i njohur i dëgjuar, simbol i atij parku, i një këngëtari, që nuk ka kohë, limite, ndonëse ai nuk jeton, ka vite i ndarë nga jeta. Është Francesk Radi, kantautori me tekstet, muzikën, meloditë e dashurive, aleate e të pandarë edhe me atë park. Një kitarë, një zë pas të cilit qëndronte Frankoja. Sa kujtime, sa mbrëmje, sa të diela, janë kaluar nën shoqërinë e tij. Një park, mjedis i destinuar, në harmoni me Frankon, dhe ai i pandarë me të. Nuk do të kishte asnjë kuptim ai park pa Frankon, që prej kohësh na mungon, ndonëse e kemi aty. Të pranishëm me në bust, një stol me kitarën e tij. Ndonëse në bronz është ai Franko që kemi njohur të gjithë. Një rikthim te muzika, kitara, pasionet e një rinie, brezave, të lidhura me atë park, atë liqen. Me mbishkrimin: “Kantautori i parë shqiptar”. Janë melodi, që e dëgjon sot, por në një formë tjetër. Më moderne, pa ankthin, frikën e dikurshme. Në amfiteatrin, banerat që të informojnë “S’afërmi”, për shfaqje, komedi, teatro, apo një koncert muzikor, të gjinive të ndryshme dhe për të gjitha moshat. Deri edhe ekrani gjigant ku mund të ndjekësh një finale futbolli europiane apo botërore.

2

LIQENI EDHE I CELULARIT

Nuk ka ekzistuar, as mund ta mendoje, imagjinoje në të kaluarën e largët dhe të afër, një komunikim si I ditëve të sotme gjatë një shëtitje, qëndrimi te parku i madh, por jo vetëm. Dikur, nga vitet’80-të, një kabinë telefonike pranë shkallëve të korpusit qendror të Universitetit dhe aq. Sot, raportet e komunikimit janë të sofistikuara, moderne, mjafton një celular për të folur në Sky, Whats App, Face Time me këdo, të afërm, në Shqipëri, deri në skajin më të largët jashtë saj. E ndërsa je duke shëtitur, të vjen një impakt i tillë ku mund të dëgjosh biseda nga më të ndryshmet shpesh edhe me zë të lartë, që të shoqërojnë përgjatë rrugicave të liqenit për çështje, probleme, sa familjare aq edhe personale, nga ato argëtuese tek ato që përcjellin shqetësime, situata alternative. Një shëtitje, gjatë të cilës të parakalojnë, apo do të parakalosh, njerëz me protagonist celularin pranë veshit, apo lidhje me figurë në skype, me kufjet në vesh që flasin, komunikojnë.

TAKIM ME MOSHËN E TRETË

I sheh duke ecur, me një radio në xhep, ndërsa dëgjojnë muzikë, nga këngët popullore, me zë të lartë, pa menduar se mund të shqetësojnë të tjerët. I ke të të gjithë moshave, sistematikë, pa iu ndarë atij parku në të gjitha orët e ditës. Ulur në stola, duke ecur, vetëm apo në shoqëri, deri edhe me biçikleta, të veshur sportivë, por edhe me kravatë, pavarësisht nga vitet që kanë mbi shpinë. Pastaj të grumbulluar në ato tavolina druri ku në grupe luajnë domino, shpesh edhe me reagime. Të tjerë të ulur në lokalet, një kafe dhe shumë diskutime: sport, politikë, pensione, gjithçka. Por, në vijën e parë do të rendisja gratë, tejet energjike, një kafe, një cigare, personazhe të pa munguara në atë mjedis. Veçanërisht në mëngjeset e këndshme, madje i shoh të hipura edhe mbi vegla e bërë ushtrime gjimnastikore. Dhe nga të gjitha profesionet, por kryesisht ish-mësuese. Aty kam takuar edhe zysh Tanën, mësuesen time të anglishtes në tetëvjeçare tek “Avni Rustemi”.

3

NJË “BASHKËBISEDIM IMAGJINAR”

Të tillë do ta konsideroja, vlerësoja, pasi ashtu funksionon, shërben edhe ajo shëtitje. Tek ai park i madh, ka një ndërthurje, “takim” një rikthim tek të afërm, miq shokë, njerëz, familjarë, të cilët janë ndarë nga jeta. Por që ti ke mundësinë t’i takosh pikërisht në atë park gjatë një shëtitje, që ngjan merr formën e një bashkëbisedimi imagjinar me to, ndonëse nuk jetojnë, por janë të pranishëm aty. Një ndjesi e veçantë, kur je ulur në një stol, dhe nga pas ke një emër, një dedikim, me tekste të mrekullueshme, që të befasojnë, emocionojnë. Me përmbajte mirënjohjen, përjetësimin, gjithçka e shkruar në një pllakë të vogël plastike. Kam parë emra shkrimtarësh, artistë, sportistë, aktorë, këngëtarë të njohur, por edhe njerëz të thjeshtë, familjarë, dedikime për nëna, baballarë, prindër. Një tekst prekës shumë poetik: “Fundi yt është i pafund, është si një flok dëbore që shkrihet në ajrin e pastër” dhe një zemër aty pranë. Janë shumë, por do të veçoja Hyeda El Saed, vajzën e mrekullueshme e ndarë nga jeta në moshë të re. Ndërsa pak më tutje lexoj tekstin e një kënge të njohur të Frank Sinatrës: “I’ve, lived a life that’s/ I did it My Way”- Ilir Dashi. E kam njohur dhe sot i kujtoj me shumë respekt, vlerësim. Një mundësi-fantazi të përshëndetem me të, në një mëngjes, ditë të bukur, në atë gjelbërim pa fund. Një gjetje ideale!

5

 

ÇFARË MË MUNGON

Janë nga të pakta ato që i mungojnë sot atij parku. Dikur, një pedanë betoni që ka shërbyer për notarët, garat, veprimtaritë masive në not, përfshirë kampionate, ato me shkollat, etj. e shoh të braktisur. Përballë disa shkallë që kanë mbetur, nga ku qytetarët, admiruesit ndiqnin garat, veçanërisht ditën e diel, me disa dhoma zhveshje aty pranë. Pastaj varkat me qira, 10 lekë ora. Me lopata, shumë të preferuara, jo të shumta në sasi, një numër i reduktuar, duhet të prisje për të marrë një të tillë, me vendqëndrim të fillimi zadrës. Pastaj larja sa e dëshiruar, e preferuar aq edhe e ndaluar. Me forcat e rendit në gatishmëri, duke bërë kontrolle, për të frenuar çdo tentativë të të rinjve (në ndonjë rast edhe femra) për t’u larë e bërë banjë. Veçanërisht pas një ngjarje të rëndë, pas të cilës, kontrolli policor shtohej dhe larja transferohej te rezervuari, ngjitur me liqenin, nga ana perëndimore e tij. Në rezervuar jo kontroll, larje e lirë. Tani kanë mbetur vetëm gjurmët, por i tjetërsuar në një rezervuar tërheqës, të bukur, me pallate elegante përreth. Liqeni kishte dhe protagonistët e tij të notit, i paharruar mësuesi i fizikës i “Qemal Stafës”, që e bënte me not vajtje-ardhje, lindje -perëndim. Më mungon gjithashtu lulishtja e dikurshme verore, ajo ngjitur me kishën e Shën Prokopit, me restorantin, kamerierët, ndër ta Llaqin, birra, bërxolla, dhe orkestra, në fundjavë. Edhe qëndrimet familjare, të dielën në drekë, pastaj ulja në bar, me ushqimet e përgatitura një natë më parë, dhe një radio Iliria apo Fatosi për të dëgjuar muzikë./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura