Si thoni për një ditë plazhi me kosto të ulët? Besoj e kapa vëmendjen tuaj që me fjalinë e parë. Ok, le të vazhdojmë me destinacionin. Fllaka, një fshat i Durrësit, plazhi i të cilit shtrihet në hapësirën fill pas Bishtit të Pallës. Është kaq afër Tiranës, por s’ka pak që e kam njohur. Vetëm 10 km që kur del nga autostrada Tiranë-Durrës, një rrugë e drejtë, e asfaltuar, të çon drejt një brezi pishash që i paraprin një plazhi që ngjan me atë të Gjirit të Lalzit, në fillimet e veta.
Mos prisni shezllone luksi, as bare me tenda të bardha dhe shkuma party. Në këmbim do gjeni det me ujë të kthjelltë dhe kushte minimaliste në breg. Sapo ne të dritare.net mbërrijmë, na përshëndet një zotëri i cili na orienton ku të parkojmë. Është i zoti i vetëshpallur i një sektori plazhi të kësaj zone. Mirditor. Kërkon 100 lekë për parkimin dhe 200 për shezllonet dhe çadrën.
Shohim vetëm tre radhë çadrash dhe pak më tutje një bar-kafe e trishtuar në pamje, por tek e cila mund të gjesh me vetëm 50 lekë një ekspres vërtetë të mirë. Përveç pagesës për parkim e çadër, nuk ka detyrime të tjera, tipike nga ato të plazheve private. Në Fllakë mund të shkosh me ujë e ushqime me vete, dhe askush s’do iu bëjë të ndiheni në faj. Por nëse do shkoni deri aty, do ju sugjeroja të bënit edhe një ndalesë tjetër. Pasi të keni mbaruar punë me plazhin, dritare.net ju sugjeron që drekën ta hani “Te Koli”.
Një restorant modest nga pamja, por i shkëlqyer nga ajo që ofron. Sapo u ulëm e kuptova se miqtë që ma sugjeruan nuk e kishin ekzagjeruar. Dy djem na shërbyen me buzëqeshje, shkathtësi dhe mirësjellje. Na bënë të ndiheshim mirë ende pa bërë porosinë. “Te Koli” porositëm një miks peshku, karkaleca, sallatë dhe birra. Por në tavolinë na erdhi edhe një tas me midhje sote dhe ca kulaçka me djathë, të cilat na i ofronte restoranti.
Që këtu, dreka filloi të më shijonte edhe më shumë, sepse siç themi ne, “dhuratat i pranon edhe mbreti”. Peshqit e llojeve të ndryshme ishin të freskët e të shijshëm, të kapur në zonën e Fllakës, ku pamë plot djem që kishin hedhur grepat, në një mjedis piktoresk. Gjithçka fliste mirë për këtë restorant. Pjatat erdhën në kohë rekord, produktet cilësore dhe shërbimi i djemve pa të meta. Në fund na sollën edhe ëmbëlsirë e fruta, gjithashtu të ofruara nga restoranti. Taktikë shumë e mirë, që klienti të largohet i ngopur, i kënaqur e me përshtypjet më të mira.
E shijova shumë drekën në verandën e Kolit, aq sa po më vinte keq që nuk e kisha vizituar më parë këtë restorant, tashmë i hapur prej 8 vitesh. Dhe që të më besoni deri në fund, ja ku po ju them se s’mund të hani tjetërkund peshk të freskët (jo rezervati) me pothuaj 10 mijë lekë/personi. Përveç se “Te Koli”.
Nga Edlira Ruzi/dritare.net
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al