Republika e urdhrave profesionalë inxhinierikë

Mar 29, 2023 | 9:30
SHPËRNDAJE

RUDIN DYRMISHI

Civilizimi u ndërtua prej nevojës për të pasur dhe arritur cilësi jete sa më shpejt që të ishte e mundur. Çdo fushë e jetës ka në përbërje materien e saj. Kjo materie, e çfarëdo lloji qoftë, lëkundet. Ajo ka periodën e saj të lëkundjeve të lira apo shpeshtësinë në njësinë e kohës, që ndryshe ne inxhinierët e thërrasim frekuenca. Profesionisti, apo mjeshtri në qenien e tij ndjen apo percepton pikërisht këto frekuenca. Për shkak të këtij rezonimi profesionisti apo mjeshtri jep forma dhe realizon vepra apo kryevepra që i rezistojnë kohës. Dy deputetët propozues, njëherazi edhe inxhinierë, kuptuan se rezonimi i tyre ishte me URDHËRAT E INXHINIERËVE. Shumë mirë. Mbase do të jenë kryeveprat e tyre dhe me këto ligje do t’u mbetet emri si do zot AKILI edhe pas mijëra viteve!? Ishalla u bëftë më e mira!

Projektligji për Urdhrin e Inxhinierit Hidroteknik duket më i kompletuar. Natyrisht si draft më i vonë patjetër që do të qe më i përpunuar, më i arrirë, apo më i modernizuar le të themi. Me këtë draft, duket sikur po konstituohet republika e inxhinierëve hidroteknikë. Le të bëjmë një analizë të thjeshtë.

SË PARI

Do të mblidhen kuota apo tarifa, të cilat më pas do të përdoren. Duke qenë se janë në themel, financa do të kemi buxhet. Pra, do të ushtrohet pushtet ekzekutiv.

SË DYTI

Do të hartohen urdhra, udhëzime apo rregullore lidhur me aktivitetin dhe veprimtarinë e urdhrit. Pra, do të ushtrohet pushtet legjislativ.

SË TRETI

Një organ disiplinor, pra, një trup kuazi gjyqësor do të mbikëqyrë apo disiplinojë inxhinierët në veprimtarinë e tyre profesionale. Analiza e mësipërme krijon ndjesinë që para se të fillojmë të ushtrojmë profesionin, duhet të betohemi përpara një aktori apo faktori unitar të inxhinierëve. Ky mbase duhet të qe presidenti i urdhrit të inxhinierëve.

Tani po, brenda RSH, po konstituojmë republikën e inxhinierëve. Nuk është republikë paralele, as e kithët, po rezonon me një gjatësi vale me RSH, sepse kjo e fundit ka shërbyer si model. Më rezulton që në letër me fund fare të pakorruptuar!? Madje, do të funksionojmë saktësi, kalkulim dhe rezonim alla inxhinierik. Konstituimi dhe suksesi i republikës inxhinierike më duket i garantuar. Garancia kush është do thoni Ju!? Modeli dhe procedurat e projektligjeve, e kush tjetër!? Po mirë duket. Ku ka më mirë. Suksese në ushtrimin e profesionit sipas rregullave dhe urdhrave të republikës inxhinierike!? Në një sintezë të gjithë këtij arsyetimi, mendoj se shumë shpejt do të ikin në mënyrë masive edhe inxhinierët. Nëse ky është qëllimi i projektligjeve, e sigurt do të realizohet shpopullimi inxhinierik shumë shpejt. Madje, mendoj se po të vazhdojë me urdhra elektronikë, eklektikë, gjeologjikë, me progresion eksponencial gjeometrik do të jetë emigracioni inxhinierik. Kjo ishte një optikë imja. Uroj të jem gabuar!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura