Ministria e Mbrojtjes, pas reshjeve të dendura të shiut, ka treguar situatën në Durrës, qytet i cili u përmbyt.
Mbrojtja bën me dije se në qytetin e Durrësit uji ka depërtuar gjithashtu dhe në oborret e disa shtëpive në zonën e njohur si “Ura e Dajlanit” dhe Ish-Këneta.
Një eskavator i Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit ka mbërritur në Kanalin e Ujërave të Larta për ndërhyrje dhe pastrimin e kanaleve.
Ka rritje të nivelit të ujit në rrugë, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve si dhe prani të ujit në disa zona të qytetit si dhe në Shkozet, Ish-magazinat e Agrotransportit, Zona e Plazhit, Ish-Këneta, Stadiumi dhe Lagja “17 Nëntori”.
Niveli i ujit në Kanalin e Ujërave të Larta në unazën e qytetit ka arritur në një nivel kritik.
Po ashtu, ka prani të ujit edhe në sipërfaqe bujqësore në njësinë administrative Sukth.
“Strukturat vendore janë angazhuar për të riparuar pasojat e krijuara dhe po punojnë intensivisht për të menaxhuar situatën.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të vijojë të ndjekë situatën, për të koordinuar forcat deri në normalizimin e situatës”, njofton Ministria e Mbrojtjes.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al