Reuters: Ukraina ka humbur 40% të tokës që kontrollonte në Kurskun rus

Nov 24, 2024 | 9:21
SHPËRNDAJE

Ukraina ka humbur më shumë se 40% të territorit që kontrollonte në Kursku rus, kontrollin e të cilit ushtria e Kievit e fitoi nëpërmjet një inkursioni të befasishëm në gusht të këtij viti.

ukraina

Sipas burimit nga ushtria ukrainase Rusia ka vendosur 59,000 trupa në rajonin e Kurskut që kur forcat e Kievit u vendosën dhe lëvizën me shpejtësi, duke e kapur Moskën në befasi, rreth 2.5 vjet pas pushtimit të plotë të Ukrainës.

“Në rastin më të mirë, ne kontrolluam rreth 1,376 kilometra katrorë (531 milje katrorë), tani sigurisht që ajo zonë është më e vogël. Armiku po shton kundërsulmet e tij ”, tha burimi për Reuters.

“Ne tani kontrollojmë rreth 800 kilometra katrorë (309 milje katrorë). Do ta mbajmë këtë terren për aq kohë sa është e nevojshme ushtarakisht”, citohet të ketë thënë ndër të tjera burimi, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm Ushtarak në Ukrainë.

Me inkursionin në Kursk, Kievi ka synuar të ndalë sulmet ruse në rajonet lindore dhe verilindore të Ukrainës, që të pamundësojë përparimin e ushtrisë ruse në Ukrainë, por edhe që të rrisë pazarin në negociatat e ardhshme për paqe.

Megjithatë, forcat ruse është raportuar se janë duke avancuar në rajonin lindor të Ukrainës, Donjeck.

Burimi brenda ushtrisë ukrainase ka thënë se rreth 11.000 ushtarë koreanoverorë kanë arritur në rajonin e Kurskut për të mbështetur Rusinë, ndonëse një pjesë e tyre janë ende në fazë trajnimi.

Ndërkaq Moska as nuk ka konfirmuar, e as mohuar prezencën e ushtarëve të Koresë së Veriut në Kursk.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura