Rijetëzim bibliotekave në lagje, Veliaj: Librat, paja më e mirë për fëmijët

Dec 7, 2016 | 13:11
SHPËRNDAJE

Të apasionuarit pas leximit, prej ditës së sotme kanë mundësi të gjejnë në bibliotekat e lagjeve të Tiranës më shumë tituj librash, kryesisht të autorëve të mëdhenj, me famë botërore  dhe vendas.

veliaj3

Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës vunë sot në zbatim projektin e  rijetëzimit të bibliotekave të lagjeve, ku paralalelisht me rikonstruksionin, janë pasuruar edhe  me tituj të rinj librash. Sot u bë dhurimi i librave për 6 bibliotekat e para, të cilat kanë  përfituar nga 200 tituj secila.

Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Bibliotekës Nr.9 në Njësinë 7, mori pjesë kryetari  i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe lexues,  kryesisht të rinj. Në fjalën e tij përshëndetëse, kryebashkiaku Veliaj falenderoi Ministrinë e  Kulturës për mundësimin e librave, si dhe theksoi se ky është investimi më i mirë që bëhet  për të ardhmen e shoqërisë dhe sidomos të të rinjve.

veliaj2

“Gjithmonë kemi një pyetje: Cilat janë kombet që ecin përpara, kombet që kanë apo ato që  dinë? Sa herë bëhet kjo pyetje, historia përgjigjet vetëm në një mënyrë: Përpara ecin kombet  që dinë, jo kombet që kanë. Ajo që ke mbaron një ditë; dija është diçka që nuk mbaron, që  mund të përdoret sa herë të duash dhe nuk ta merr dot dikush. Është inkurajuese që në këtë  bibliotekë kemi 750 frekuentues të rregullt, por nuk mjafton”, tha Veliaj. Ndaj, ai shtoi se  këto nisma kanë për qëllim pikërisht rikthimin e qytetarëve te leximi, si mënyra më e mirë  për të marrë dije për jetën.

veliaj1

“Nuk njoh askënd që të jetë bërë i suksesshëm në jetë dhe në CV e vet të thotë se u bëra i  suksesshëm sepse kisha i-phone, i-pad apo mjete elektronike të fundit. Nuk e kam takuar një  njeri të tillë, por pothuajse çdo njeri që ia ka dalë në jetë është një histori suksesi në këtë vend  dhe jashtë vendit, patjetër një rresht në CV e vet e ka të lidhur me librat, me përvojën që i  kanë dhënë librat, me dijen që ka marrë prej tyre. Ndaj thirrja ime është: Këtë vit dhuroni  libra për fëmijët tuaj. Është, ndoshta, paja më e mirë që mund t’i lini një gjenerate tjetër”,  shtoi Veliaj.

veliaj

Ai theksoi se për të nxitur sa më shumë të rinjtë që të lexojnë dhe ta shohin librin  si një mik të tyre, Bashkia e Tiranës do të ndërmarrë edhe nisma të tjera, që synojnë  ndërgjegjësimin e tyre për të qenë më miqësorë me librin.

“Kemi shumë njerëz, kemi shumë energji, jemi popull shumë i ri dhe është shumë e  rëndësishme që biblioteka nuk mund të jetë vetëm ky 60 m2 i kësaj njësie. Ajo që kemi bërë  me Teatrin e Metropolit është një eksperiencë fantastike. Sot teatri është në Pezë, pardje ishte  në Zall Dajt, një ditë më parë në Kashar, një ditë tjetër në Farkë, sepse e kanë kuptuar që  misioni i Teatrit Metropolit nuk janë vetëm muret rrethuese, por është një mision emancipues  i vajtjes te publiku. Do të doja shumë që të 6 drejtoreshat tona të bibliotekave ta marrin seriozisht këtë mision. Misioni i bibliotekës është të jetë energji në komunitet, jo një adresë,  jo vendndodhje, jo një format tipik i mureve të rrethuara me libra, por një bibliotekë aktiv që  jeton me jetën e komunitetit”, u shpreh Veliaj.

Duke filluar nga janari i viti tjetër do të ketë  edhe një kalendar të kthimit të bibliotekave në komunitet.

“Është e rëndësishme të kemi një plan konkret ku në çdo njësi, në çdo shkollë, në çdo  kopësht, në çdo çerdhe të vazhdojë kjo fushatë leximi, kjo rënie në dashuri me librin”, tha  Veliaj.

Nga ana e saj, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro theksoi se do synojë që ky  bashkëpunim i vendosur me Bashkinë e Tiranës të jetë një model për shtrirjen e projektit të  rijetëzimit të bibliotekave në gjitha bashkitë.

“Kjo bibliotekë është edhe biblioteka e fëmijërisë time, biblioteka e lagjes 9, ku kam ardhur  kur kam qenë e vogël dhe pothuajse e kisha harruar ekzistencën e saj. Madje, nuk e dija që  ekzistonte përpara se të fillonim këtë punë bashkë me Erionin. Jam shumë e lumtur që e  fillojmë programin e bashkëpunimit me Bashkinë e Tiranës me bibliotekën nr. 9, pikërisht  për këtë arsye, ku bashkia është e angazhuar për rinovimin fizik të bibliotekave dhe ne  morëm përsipër që këto biblioteka t’i furnizojmë me libra rregullisht, iniciativë që ka filluar me qytetin e Tiranës, edhe pse ka pjesën më të madhe të popullsisë në Shqipëri, por do të  vazhdojë çdo vit me të gjitha bibliotekat e tjera”, përfundoi Kumbaro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura