Në një ditë të shënuar, siç është 60-vjetori i krijimit të Teatrit Lirik të Operës dhe Baletit, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe Kryeministri Edi Rama prezantuan përpara komunitetit artistik dy projektet për rikonstruksionin e godinës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe ndërtimit të teatrit të ri alternativ me emrin “Turbina”.
Dy projekte madhore, që sipas Kumbaros kapin shifra prej 8,5 milionë euro dhe 3,3 milionë euro. Kjo dëgjesë u mbajt në ngrehinën e ish-Laboratorit Hidroteknik, prej së cilit tashmë ka mbetur “guacka”, siç do ta quante Kryeministri Rama, dhe pak objekte që arkitektët kanë menduar t’i përfshijnë në projektin e ri si kujtesë e së shkuarës.
E pikërisht kjo ngrehinë ngjyrë gri, e zbrazët, priti dje këngëtarë lirikë, balerinë, aktorë, regjisorë e njerëz të tjerë të artit, kuriozë për të mësuar se ç’do të ndodhë me ndërtesat ku ata jo thjesht punojnë, po kanë derdhur gjithë pasionin e tyre. Duke lëvduar punën e brezave të tërë të artistëve të TKOBAP, Kumbaro u shpreh se ata kanë hak kur ankohen se janë lënë pas dore.
“Ky institucion, më i rëndësishmi i artit skenik shqiptar, nuk ka njohur ndërhyrje serioze për ta sjellë jo vetëm në parametra dinjitozë për artin që prodhohet aty, jo vetëm për publikun që i mbeti besnik këtij Teatri në të mirë e në të keq, por as për të krijuar kushtet e domosdoshme për jetën profesionale të artistëve që e kanë shënjuar atë skenë me djersët e punës dhe lotët e emocioneve, që veç ju i dini”.
Ndërsa Rama u shpreh se edhe pse gjatë këtyre 3 viteve është bërë në drejtim të kulturës sa 25 vitet e demokracisë mbledhur së bashku, sërish duhet bërë më shumë. Përveç përmirësimit të infrastrukturës së jashtme, Kryeministri premtoi se do të rriten edhe “kapacitetet e brendshme të financimit të punonjësve, duke rritur pagat dhe shpërblimet dhe infrastrukturën mbështetëse, që s’ështe në ditët e saj më të mira”.
Ai përmendi projekte të tjera për Liceun “Jordan Misja”, Universitetin e Arteve, shkollën koreografike, Teatrin e Korçës apo atë të Shkodrës, që po ndërtohen sipas standardeve bashkëkohore. Për studimin e ndërtesave dhe hartimin e projekteve kanë punuar tri studio: “Ttas”, e specializuar vetëm në ndërtim teatrosh, studioja shqiptare “Atelier4” dhe “Khale Akustic”, që renditet në krye të ekspertizës së akustikës skenike europiane. Në emër të tyre prezantoi dy projektet arkitekti Olsi Eftimi, për t’ua lënë radhën pyetjeve të të pranishmëve që ishin të interesuar për rikonstruktimin e skenave, dhomat e studimit për këngëtarët e instrumentistët, përmasat e tyre, gropën e orkestrës, “xhepat” e teatrove etj.
RIKONSTRUKSIONI I TKOBAP
Rikonstruksioni i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit të Këngëve e Valleve përbën investimin më ambicioz të qeverisë për sa i përket shumës së parave që do të hidhen për ta sjellë atë në parametrat e duhur. Duke përshkruar situatën në të cilën ndodhet sot godina e TKOBAP të rëndë, Kryeministri Rama u shpreh se “sipas konstatimit nga grupi i punës, dyshemeja e skenës rrezikon të përpijë gjithë skllevërit e Aidës dhe gjithë çfarë mund të ndodhet aty”, për të vijuar me prapaskenën, që është kthyer në një vendgrumbullimi të dekoreve të vjetra, sistemin e amortizuar të ndriçimit, atë të ngrohjes dhe të ftohjes, që s’mbahet mend që kur kanë punuar për herë të fundit, dritaret prodhim italian të vitit 1966 etj.
Arkitekti Olsi Eftimi shpjegoi në detaje gjithë ndërhyrjet që do të realizohen në këtë godinë, që nga termoizolimi, rritja e vëllimit të godinës (nga 5300 m kub në 8000 m kub) te sallat e reja të koncerteve, salla e bibliotekës, ambientet e denja për gardërobën, ballkonet, sallat e provave me panele të lëvizshme, perdet e lëvizshme, dyshemenë etj. Sipas tij, gjatë studimit të objektit u vu re se rreziku nga zjarri është një nga problemet kryesore të godinës dhe keqvendosja e disa elementëve sillte mosfunksionimin e tyre e si pasojë edhe rrezikimin e jetës së artistëve dhe spektatorëve.
Eftimi u ndal pak më shumë te përmirësimi i akustikës, një nga çështjet më serioze të këtij teatri. Sipas Eftimit, parametrat e TKOBAP do të arrinin teatrot më modernë në Europë. Sa i takon fasadës së Pallatit të Kulturës, e cila është monument kulture e kategorisë II, ajo do të restaurohet, duke ruajtur historinë e, siç u shpreh arkitekti, duke “i zgjuar bukurinë”. “TURBINA” U pagëzua “Turbina” për të bërë lidhjen me historikun e ndërtesës që shërbente për projektimin e veprave hidroenergjetike.
“Sërish do të prodhohet energji, por energji artistike”, u shpreh arkitekti Olsi Eftimi për qendrën e re artistike që do të adaptohet në ndërtesën e ish-Laboratorik Hidroteknik. Kjo qendër do të ketë dy skena teatri me 400 dhe 150-180 vende spektatorësh secila. E para do të ketë një strukturë statike, ndërsa tjetra do të jetë e çmontueshme dhe e përshtatshme për çdo lloj eksperimenti teatral. Qendra do të ketë edhe një sallë ekspozimi “vizualart” dhe ambiente të tjera për prova dhe administratën.
Arkitekti Eftimi u shpreh se do të ruhet struktura e saj, duke iu nënshtruar idesë se arti mund të shfrytëzojë çdo lloj ambienti. Dhe po ashtu, prej institucionit hidroteknik do të ruhen disa elementë si objekte muzeore dhe instilacione artistike. Sallat do të ndërtohen në mënyrë të tillë që të jenë të shfrytëzueshme edhe për balerinët. Po ashtu, do të ketë një akustikë të mirë, por gjithsesi jo si ajo që do të përftohet në TKOBAP. Mendohet që punimet për këtë ndërtesë do të realizohen brenda një viti. Momentalisht ka përfunduar faza e parë që konsistonte në hapjen e saj, për të filluar me fazën e dytë, atë të ndërtimit.
ALMA MILE
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al