Rilindja e pensioneve?

Nov 21, 2024 | 8:30
SHPËRNDAJE

NGA FATOS ÇOÇOLI fatoscocoli

E ngadaltë, e ndrojtur, me ndjesinë se po i hyhet detit në këmbë. Por duket e tillë, si qasje më në fund dinjitoze ndaj pensionistëve. Në 35 vite tranzicion, asnjë ministër i mëparshëm i Financave nuk ka deklaruar publikisht në daljen e vet të parë në media se misioni i vet do të jetë rritja e pensioneve. Ministri i sotëm i Financave, po. Asnjë herë në 18 vitet e fundit të dhënies së shpërblimit të Vitit të Ri për pensionistët, thesi që qeveria hap nga Buxheti i Shtetit për ta nuk ka qenë kaq i bollshëm, njëqind milionë euro, sa këtë vit. Është filluar me 12 milionë euro në vitin e largët 2006.

Pastaj 13 milionë, 14 milionë, për të ardhur në shpërblimin e Vitit të Ri 2024 prej 38 milionë euro. Ky i Vitit të Ri 2025 prej 2.6 herë më shumë duket shenjë se qeveria kësaj radhe po merret me pensionistët seriozisht. Mos vallë, nga sondazhet e brendshme që socialistët i zhvillojnë shpesh, ka dalë që pensionistët do të votojnë djathtas në zgjedhjet e përgjithshme të pranverës 2025? Si zor. Pensionistët kanë përbërë historikisht hambarin kryesor të votave të Partisë Socialiste tek ne dhe kjo qasje nuk ka ndryshuar tani, me gjithë luftën e tyre të përditshme për të përballuar çmimet e larta të ushqimeve dhe ilaçeve.

Me shpërblimin e fundvitit 2024, të trefishuar në 15 mijë lekë për pensionet deri në 20 mijë lekë të reja në muaj dhe me shpërblimin e dyfishuar në 10 mijë lekë të reja për pensionet mbi 20 mijë lekë të reja në muaj, pensioni mesatar këtë vit rritet me 6.3 për qind për të 720 mijë pensionistët. Duket se më në fund po nis rilindja e pensioneve. Për herë të parë në 34 vitet e tranzicionit, shtimi vjetor i pensioneve e kalon rritjen ekonomike të atij viti. Ndërkohë, pensionet sociale dhe minimale për 240 mijë pensionistë rriten në dhjetor 2024 me 13 për qind për këtë vit. Rritja e pensioneve dhjetorit 2024 do të jetë e para në histori, që favorizon pensionet e ulëta. Nga tri ditë më parë, qeveria zotohet të krijojë pranë Bankës së Shqipërisë fondin e një shpërblimi të dytë për pensionistët.

Edhe ky shpërblim do të jetë i përhershëm, tradicional, për vitet e mira ekonomike të vendit që po kalojmë. Ky shpërblim do të jetë dallëndyshja e pranverës për shpresat e një pensioni më në fund dinjitoz për pensionistët tanë. Ende nuk dihet masa e tij, por ai do të ndikojë më tej në rritjen e të ardhurave vjetore të pensionistëve. Do të jepet në hyrje të çdo pranvere, ndoshta në fund të marsit apo fillim të prillit, duke ndarë për të gjithë pensionistët një shumë të përfituar nga rritja e ekonomisë dhe për rrjedhojë, edhe e të ardhurave të shtetit në vitin paraardhës. Nuk do të jetë vetëm për vitin zgjedhor 2025. Pra, në fund të marsit apo fillim të prillit të çdo viti me rritje ekonomike, do të merret si fond nga të ardhurat shtesë në Buxhetin e Shtetit, të realizuara gjatë vitit të mëparshëm. Ndërkohë, qeveria do të ketë gati vitin e ardhshëm edhe planin e ri të pensioneve, në funksion të rritjes ekonomike të vendit.

Ende nuk dihen në publik detajet e këtij plani, por është e domosdoshme të ndryshohet me ulje numri i viteve të punës me kontribute në sigurimet shoqërore, për pensionin minimal dhe pensionin maksimal. Kjo, pasi aktualisht duhen 15 vite pune me sigurime, për të përfituar pension minimal. Në vitin 2023, nevojiteshin 38 vite punë me sigurime të paguara, për të arritur pension të plotë! Kjo ndodh tek ne, ndërkohë që edhe në vendet më të zhvilluara të Evropës, në Gjermani dhe Francë, përfiton pension të plotë me vetëm 32 dhe 33 vite kontribute shoqërore. Pra 5-6 vite më pak se ne, që këtë vit pragun e viteve kontribut për të përfituar pension të plotë e kemi 38 vite. Jashtëzakonisht shumë! Skema e sotme duhet të ndryshojë. Duhen patjetër që të ulen vitet e kontributit, për të siguruar pension të plotë. Në vende si Shqipëria, ku një pjesë e madhe e punonjësve janë informalë, një periudhë e gjatë kontributesh i shkurajon punonjësit që të kontribuojnë, veçanërisht emigrantët, që janë jashtë tregut vendës të punës.

Mosplotësimi i kriterit të viteve të punës me sigurime ul në mënyrë të ndjeshme përfitimet nga pensioni. Me ritmet aktuale, pensionistët shqiptarë nuk do të plotësojnë as gjysmën e viteve me kontribute, duke bërë që pagesat e tyre në të ardhmen të jenë shumë të ulëta, gati sa pensioni minimal! Plani i ri i pensioneve, i cili po diskutohet me specialistët e Bankës Botërore, duhet po ashtu që ta ngrejë menjëherë pensionin minimal tek ne, me 50 për qind, duke e shkëputur atë nga pensioni social. Plani i ri, duke ulur vitet e kontributeve me sigurime shoqërore për të përfituar pension të plotë, automatikisht do ta rrisë vlerën e pensioneve të 17-20 mijë pensionistëve të rinj që i shtohen skemës çdo vit. Nga ana tjetër, ai do të sjellë edhe të ardhura të tjera për pensionistët, duke garantuar njëkohësisht qëndrueshmërinë afatgjatë të politikës së pensioneve, pa rrezikuar qëndrueshmërinë financiare të vendit (pra nuk do të marrim borxhe për të shtuar pensionet), si dhe pa ulur investimet themelore, për një të ardhme të garantuar për fëmijët tanë.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura